Rreth 9Marks
Misioni
9Marks ekziston për të pajisur udhëheqësit e kishës me një vizion biblik dhe me materiale praktike për të shfaqur lavdinë e Perëndisë para kombeve përmes kishave të shëndetshme.
Historiku
Kjo organizatë i ka rrënjët e veta në punën pastorale të Mark Dever dhe Matt Schmucker në Kishën Baptiste Capitol Hill në Washington, DC. Kishin kaluar disa dekadave që kjo bashkësi po përjetonte dobësim, kur Marku (pastori) dhe Meti (administratori/plaku) nisën ta reformonin atë në fillim të viteve 1990. Të dy bashkë, ata nuk ndoqën urtësinë e kohës që vinte nga letërsia e shkruar për rritjen e kishës: të bënin anketime, të themelonin programe të reja, apo të kultivonin kulturën e duhur. Ata thjesht hapën Biblën, Marku predikoi, dhe të dy së bashku punuan për ta strukturuar kishën sipas Shkrimeve.
Libri
Me nxitjen e Metit, Marku shkroi dhe botoi vetë libërthin “9 Shenjat e një kishe të shëndetshme,” i cili vite më vonë u kthye në një libër të botuar nga shtëpia botuese “Crossway” me titullin Nëntë shenjat e një kishe të shëndetshme. Kështu, ndërsa gjithnjë e më shumë pastorë panë sa të dobishme ishin bisedat e nisura nga Marku dhe Meti, në fund të viteve nëntëdhjetë lindi një organizatë, e cila që nga ajo kohë është rritur dalëngadalë.
Organizata
9Marks beson se kisha lokale është qendra e fokusit të planit të Perëndisë për shfaqjen e lavdisë së tij para kombeve, dhe se Bibla është e mjaftueshme për jetën e kishës. Prandaj, si organizatë, ne jemi të përqendruar te kisha, të përqendruar te Shkrimi, dhe të përqendruar te pastori. Ne e vlerësojmë shumëllojshmërinë e zërave dhe stileve, si dhe bashkëpunimet me të njëjtën mendje. Ne shpresojmë se do të vazhdojmë të rritemi në njohjen e Fjalës së Perëndisë dhe në zbatimin e saj në bashkësinë lokale. Ne synojmë që t’i përhapim materialet tona përmes kanaleve, platformave dhe institucioneve ekzistuese dhe atyre të reja.
Nëntë shenjat janë (1) predikimi ekspozues, (2) teologjia biblike, (3) një kuptim biblik i lajmit të mirë, (4) një kuptim biblik i konvertimit, (5) një kuptim biblik i ungjillëzimit, (6) anëtarësia biblike e kishës, (7) disiplina biblike e kishës, (8) dishepullimi dhe rritja biblike, (9) udhëheqja biblike e kishës. Këto nuk janë të vetmet gjëra të nevojshme për ndërtimin e kishave të shëndetshme, por ato janë nëntë praktika, të cilat shumë kisha sot i shpërfillin, dhe që duhen theksuar sërish.
Misioni i 9Marks
9Marks ekziston për të pajisur udhëheqësit e kishës me një vizion biblik dhe me materiale praktike për të shfaqur lavdinë e Perëndisë para kombeve përmes kishave të shëndetshme. Me këtë synim në mendje ne duam të shohim kisha të karakterizuara nga këto nëntë shenja për shëndetin:
9 Shenjat e një kishe të shëndetshme
1. Predikimi ekspozues
Çfarë është?
Një predikim ekspozues merr pikën kryesore e një pjese nga Shkrimi dhe e bën atë pikën kryesore të predikimit, si dhe e zbaton atë në jetën e sotme.
Ku është kjo në Bibël?
- Sipas Shkrimit, Perëndia arrin atë që dëshiron përmes të folurit (shih Zanafilla 1:3, Isaia 55:10-11, Veprat e Apostujve 12:24). Kjo do të thotë që nëse predikuesit duan që predikimet e tyre të mbushen me fuqinë e Perëndisë, ata duhet të predikojnë atë që Perëndia thotë.
- Bibla ka shumë shembuj për këtë lloj predikimi dhe mësimi: Priftërinjtë levitikë jepnin mësim ligjin (Ligji i Përtërirë 33:10), Ezra dhe Levitët lexuan nga ligji dhe shpjeguan kuptimin e tij (Nehemia 8:8), Pjetri dhe apostujt e shtjelluan Shkrimin dhe i nxitën dëgjuesit e tyre të reagonin me pendim dhe besim (Veprat 2:14-41, 13:16-47).
- Nga ana tjetër, Perëndia i dënon ata që “parashtrojnë vegimet e zemrave të tyre dhe jo atë që vjen nga goja e Zotit” (Jeremia 23:16, 18, 21-22).
Pse është e rëndësishme?
Predikimi ekspozues është i rëndësishëm, për shkak se Fjala e Perëndisë është ajo që bind, konverton, ndërton dhe shenjtëron popullin e Perëndisë (Hebrenjve 4:21, 1 e Pjetrit 1:23, 1 e Thesalonikasve 2:13, Gjoni 17:17). Predikimi që pikën kryesore të predikimit ka pikën kryesore të tekstit, e bën kishën të sundohet nga agjenda e Perëndisë dhe jo nga ajo e predikuesit.
2. Teologjia Biblike
Çfarë është?
Teologjia biblike është doktrinë e shëndoshë; është besim që përputhet me Shkrimin.
Ku është kjo në Bibël?
- E gjithë Bibla jep mësim doktrinën e shëndoshë.
- Shumë libra të Dhiatës së Re, si letrat e Palit drejtuar Romakëve dhe Efesianëve, janë të mbushura plot e përplot me mësim të pasur doktrinor (shih Romakëve 1-11 dhe Efesianëve 1-3).
- Autorët e Dhiatës së Re argumentuan shpesh që doktrina e shëndoshë është thelbësore për të krishterët e shëndetshëm dhe për kishat e shëndetshme (shih 1 e Timoteut 1:5, 2 e Gjonit 1-6, dhe Titit 2:1-10).
Pse është e rëndësishme?
Teologjia biblike është thelbësore për
- Ungjillëzimin. Ungjilli është doktrinë. Prandaj, doktrina e shëndoshë është e nevojshme për ungjillëzim.
- Dishepullimin. Jezusi u lut: “Shenjtëroi ata në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta” (Gjoni 17:17). Krishterimi u rrit duke jetuar në dritën e të vërtetës—me fjalë të tjera, me doktrinën e shëndoshë.
- Unitetin. Sipas Dhiatës së Re, i vetmi unitet i vërtetë është uniteti në të vërtetën (1 e Gjonit 1:1-4, 2 e Gjonit 10-11).
- Adhurimin. Të adhurosh Perëndinë do të thotë të shpallësh mrekullitë e tij (1 e Pjetrit 2:9-10) dhe ta lartësosh atë për shkak të personit të tij (Psalmi 29:2). Adhurimi i vërtetë është një reagim ndaj doktrinës së shëndoshë.
3. Një kuptim biblik i Ungjillit.
Çfarë është?
Lajmi i mirë është që:
- I vetmi Perëndi, i cili është i shenjtë, na krijoi në shëmbëlltyrën e tij për ta njohur atë (Zanafilla 1:26-28).
- Ne mëkatuam dhe u ndamë prej tij (Zanafilla 3, Romakëve 3:23).
- Në dashurinë e tij të madhe, Perëndia u bë njeri në Jezusin, jetoi një jetë të përsosur, dhe vdiq në kryq, duke e përmbushur kështu ligjin vetë dhe duke marrë mbi vete dënimin për mëkatet e të gjithë atyre që do të largohen nga mëkati i tyre dhe do të besojnë në të (Gjoni 1:14, Hebrenjve 7:26, Romakëve 3:21-26, 5:12-21).
- Ai u ringjall prej së vdekurish, duke treguar se Perëndia e pranoi flijimin e Krishtit dhe se zemërimi i Perëndisë kundër nesh është shuar (Veprat e Apostujve 2:24, Romakëve 4:25).
- Tani Ai na bën thirrje të pendohemi për mëkatet tona dhe të besojmë vetëm në Krishtin për faljen tonë (Veprat e Aposjtuve 17:30, Gjoni 1:12). Nëse pendohemi për mëkatet tona dhe besojmë në Krishtin, lindim sërish në një jetë të re, në një jetë të përjetshme me Perëndinë (Gjoni 3:16).
- Ai është duke mbledhur një popull të ri pranë vetes mes të gjithë atyre që i nënshtrohen Krishtit si Zot (Mateu 16:15-19, Efesianëve 2:11-19).
Ku është kjo në Bibël?
Romakëve 1-4 përmban një nga ekspozimet më të plota të ungjillit në Shkrim, dhe 1 e Korintasve 15:1-4 përmban një përmbledhje të ngjeshur të ungjillit.
Pse është e rëndësishme?
- Një kuptim biblik i ungjillit është i rëndësishëm, për shkak se ungjilli është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, dhe ai është e vetmja mënyrë që njerëzit mëkatarë të pajtohen me një Perëndi të shenjtë.
- Jo vetëm kaq, por gjithçka në kishë rrjedh nga kuptimi që ajo ka për ungjillin, qoftë predikimi, këshillimi, dishepullimi, muzika, ungjillëzimi, misioni, e kështu me radhë.
4. Një kuptim biblik i konvertimit
Çfarë është?
Një kuptim biblik i konvertimit dallon si atë që Perëndia bën, ashtu dhe atë që njerëzit bëjnë në shpëtim. Në konvertim, Perëndia
- u jep jetë të vdekurve (Efesianëve 2:5)
- u jep shikim të verbërve (2 e Korintasve 4:3-6)
- dhe jep dhuratën e besimit dhe të pendimit (Filipianëve 1:29, Veprat 11:18).
dhe në konvertim njerëzit
- pendohen për mëkatin (Marku 1:15, Veprat e Apostujve 3:19)
- dhe besojnë në Jezusin (Gjoni 3:16, Romakëve 3:21-26).
Një kuptim biblik i konvertimit dallon që vetëm Perëndia mund të shpëtojë, dhe se ai i shpëton individët duke i aftësuar ata të reagojnë ndaj mesazhit të ungjillit përmes pendimit për mëkatin dhe besimit në Krishtin.
Ku është kjo në Bibël?
- Jezusi i thirri njerëzit të pendohen dhe të besojnë në të (Marku 1:15). Ai tha se nëse dikush nuk ka lindur sërish ai s’mund të hyjë në mbretërinë e qiellit (Gjoni 3:1-8).
- Përgjatë librit të Veprave të Apostujve, apostujt u bëjnë thirrje njerëzve që të kthehen nga mëkati i tyre dhe të besojnë në Krishtin (Veprat e Apostujve 2:38, 3:19-20, 10:43, 13:38-39, 16:31, 17:30).
- Shumë nga letrat përshkruajnë si nevojën tonë për t’u penduar dhe për të besuar në Krishtin, ashtu dhe punën e mbinatyrshme të Perëndisë për ta arritur këtë gjë (Romakëve 6:1-23, 1 e Korintasve 2:14-15, 2 e Korintasve 4:3-6, Efesianëve 2:1-10, 1 e Thesalonikasve 1:9-10; 2 e Timoteut 2:25-26).
Pse është e rëndësishme?
Një kuptim biblik i konvertimit është i rëndësishëm për kishat për shkak se
- Qartëson se si kishat duhet t’i nxitin jo të krishterët—ato duhet t’u bëjnë thirrje që të pendohen për mëkatin dhe të besojnë në Krishtin.
- U kujton kishave se ato duhet të mbështeten në Perëndinë në të gjitha përpjekjet e tyre ungjillëzuese; vetëm ai mund të japë jetë të re.
- I mëson kishat që të ruajnë një dallim të qartë mes vetes së tyre dhe botës.
- Jeta e anëtarëve të kishave duhet të karakterizohet nga fryti i konvertimit,
- Kishat duhet të pranojnë në pagëzim dhe në Darkën e Zotit vetëm ata që tregojnë prova të konvertimit.
Kishat duhet të ungjillëzojnë dhe të japin mësim për jetën e krishterë në mënyrë të tillë që natyra radikale e konvertimit të theksohet vazhdimisht.
5. Një kuptim biblik i ungjillëzimit
Çfarë është?
Ungjillëzimi është thjesht t’u tregosh jo të krishterëve lajmin e mirë për atë që Jezu Krishti ka bërë për t’i shpëtuar mëkatarët dhe t’i nxitësh ata të pendohen dhe të besojnë. Për të ungjillëzuar në mënyrë biblike ju duhet:
- Të predikoni të gjithë ungjillin, madje edhe lajmin e vështirë të zemërimit të Perëndisë kundër mëkatit.
- T’u bëni thirrje njerëzve të pendohen për mëkatet e tyre dhe të besojnë në Krishtin.
- Ta bëni të qartë që besimi në Krishtin kushton, por ama ia vlen.
Ku është kjo në Bibël?
Shkrimi përban si mësim ashtu edhe ungjillëzim (Mateu 28:19-20, Romakëve 10:14-17; 1 e Pjetrit 3:15-16) si dhe shembuj të predikimeve ungjillëzues (shiko Acts 2:14-41, 3:12-26, 13:16-49, 17:22-31). Për më tepër, sa herë që Shkrimi flet për ungjillin, ai na mëson se çfarë duhet të ndajmë në ungjillëzim (shih për shembull Romakëve 1-4 dhe 1 e Korintasve 15:1-4).
Pse është e rëndësishme?
- Kur një kishë ka një kuptim jobiblik të ungjillit, ajo nuk ungjillëzon, ose ungjillëzon duke manipuluar apo mashtruar, ose ndan një mesazh që nuk është ungjilli.
- Nga ana tjetër, një kuptim biblik i ungjillëzimit e qartëson rolin tonë në misionin që Perëndia i ka dhënë kishës: ne duhet të predikojmë lajmin e mirë për atë që Krishti ka bërë dhe të lutemi që Perëndia t’i sjellë njerëzit në besimin e atij lajmi.
6. Anëtarësia biblike e kishës
Çfarë është?
Sipas Biblës, anëtarësia e kishës është një përkushtim që duhet ta marrë çdo i krishterë për të marrë pjesë, për të dashur, për të shërbyer dhe për t’iu nënshtruar një kishe lokale.
Ku është kjo në Bibël?
- Përgjatë historisë së Dhiatës së Vjetër, Perëndia bëri një dallim të qartë mes popullit të tij dhe botës (shih Levitiku 13:46, Numrat 5:3, Ligji i Përtërirë 7:3).
- Krishti thotë se hyrja në mbretërinë e Perëndisë do të thotë të lidhesh pas një kishe “në tokë” (Mateu 16:16-19, 18:17-19). Ku e shohim kishën në tokë? Në kishën lokale.
- Dhiata e Re i referohet në mënyrë të qartë faktit që disa njerëz janë brenda kishës dhe disa njerëz të tjerë janë jashtë saj (1 e Korintasve 5:12-13). Kjo është shumë më tepër sesa një lidhje e rastit.
- Kisha në Korint përbëhej nga një numër i caktuar besimtarësh, prandaj Pali mund të fliste për një dënim të dhënë nga shumica (2 e Korintasve 2:6).
- Jo vetëm që Dhiata e Re flet për realitetin e anëtarësisë së kishës, por gjithë ato raste marrëdhëniesh me “njëri-tjetrin” u janë shkruar kishave lokale, dhe kjo e plotëson kuptimin tonë se si duhet të duket praktikisht anëtarësia e kishës.
Pse është e rëndësishme?
Anëtarësia biblike e kishës është e rëndësishme, për shkak se kisha përfaqëson dëshminë e Perëndisë për veten e tij në botë. Ajo shfaq lavdinë e tij. Prandaj, në anëtarësinë e kishës, jo të krishterët duhet të shohin në jetët e njerëzve të ndryshuar të Perëndisë faktin që Perëndia është i shenjtë dhe i hirshëm dhe se ky ungjill është i fuqishëm për t’i shpëtuar dhe transformuar mëkatarët.
7. Disiplina biblike e kishës
Çfarë është?
- Në kuptimin e saj më të gjerë, disiplina e kishës është gjithçka që kisha bën për t’i ndihmuar anëtarët e saj të ndjekin shenjtërinë dhe të luftojnë mëkatin. Predikimi, mësimi, lutja, adhurimi i përbashkët, marrëdhëniet e llogaridhënies, dhe mbikëqyrja e perëndishme nga pastorët dhe pleqtë janë të gjitha forma të disiplinës.
- Në kuptimin e saj më të ngushtë, disiplina e kishës është akti i korrigjimit të mëkatit në jetën e trupit, ku përfshihet hapi i fundit i mundshëm i përjashtimit të një personi që rrëfen se është i krishterë nga anëtarësia në kishë dhe nga pjesëmarrja në Darkën e Zotit, për shkak të mëkatit serioz dhe të papenduar (shih Mateu 18:15-20, 1 e Korintasve 5:1-13).
Ku është në Bibël?
- Dhiata e Re urdhëron ushtrimin e një disipline korrigjuese (përjashtimi i mëkatarëve të papenduar nga bashkësia e kishës) në pjesë si Mateu 18:15-17, 1 e Korintasve 5:1-13, 2 e Korintasve 2:6, dhe 2 e Thesalonikasve 3:6-15.
- Dhiata e Re flet për disiplinën formuese (përpjekjen tonë për t’u rritur së bashku në shenjtëri) në pjesë të panumërta rreth ndjekjes së shenjtërisë dhe ndërtimit të njëri-tjetrit në besim, pjesë si Efesianëve 4:11-32 dhe Filipianëve 2:1-18.
Pse është e rëndësishme?
Mendojeni disiplinën si furka që e ndihmon pemën të rritet drejt, si rrotat shtesë të biçikletës, apo si orët e panumërta të praktikimit të një muzikanti. Pa disiplinë, nuk do të rritemi ashtu si Perëndia dëshiron të rritemi. Me disiplinë, do të rritemi, dhe me hirin e Perëndisë do të japim frytin e paqshëm të drejtësisë (Hebrenjve 12:5-11).
8. Dishepullimi dhe rritja biblike
Çfarë është?
Shkrimi na mëson se një i krishterë i gjallë është një i krishterë që rritet (2 e Pjetrit 1:8-10). Shkrimi gjithashtu na mëson se ne rritemi jo vetëm përmes udhëzimit, por edhe përmes imitimit (1 e Korintasve 4:16, 11:1). Prandaj kishat duhet t’i këshillojnë anëtarët e tyre që të rriten në shenjtëri dhe t’i ndihmojnë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.
Ku është kjo në Bibël?
- Pjetri i këshilloi lexuesit e tij të rriteshin në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht (2 e Pjetrit 3:18).
- Pali i këshilloi efesianët që të rriten duke i thënë njëri-tjetrit të vërtetën në dashuri (Efesianëve 4:15).
- Shumë pasazhe në Shkrim na udhëzojnë të imitojmë udhëheqësit e perëndishëm (Filipianëve 4:9; Hebrenjve 13:7).
Pra, sipas Shkrimit, të gjithë të krishterët duhet të rriten në Krishtin, të imitojnë të krishterët e tjerë të perëndishëm, dhe t’i inkurajojnë të tjerët në rritjen e tyre në ngjashmëri me Krishtin.
Pse është e rëndësishme?
- Nxitja e dishepullimit dhe rritjes biblike është e rëndësishme, për shkak se asnjëri nga ne nuk është i plotë. Derisa të vdesim, të gjithë të krishterët do të përleshen me mëkatin, prandaj kemi nevojë për të gjithë ndihmën që mund të marrim në këtë betejë.
- Nëse një kishë e shpërfill dishepullimin dhe rritjen, apo nëse mëson një version të shtrembëruar dhe jobiblik për këto gjëra, do t’i shkurajojë të krishterët e vërtetë dhe do t’u japë gabimisht siguri të krishterëve të rremë. Nga ana tjetër, nëse një kishë kultivon një kulturë dishepullimi dhe rritjeje të krishterë, kjo do të shumëfishojë përpjekjet e besimtarëve për t’u rritur në shenjtëri.
- Një kishë që nuk po rritet në besim, në fund të fundit, do të japë një dëshmi të pashëndetshme në botë.
9. Udhëheqja biblike e kishës
Çfarë është?
Bibla na mëson se çdo kishë lokale duhet të udhëhiqet nga një shumësi burrash të perëndishëm dhe të kualifikuar, të quajtur pleq.
Ku është kjo në Bibël?
Pali parashtron kualifikimet për pleqtë te 1 e Timoteut 3:1-7 dhe Titit 1:5-9. Pasazhet që japin prova për një shumësi pleqsh në një kishë lokale përfshijnë Veprat e Apostujve 14:23, 20:17, 1 e Timoteut 4:14, 1 e Timoteut 5:17, dhe Jakobi 5:14.
Pse është e rëndësishme?
Perëndia u jep kishave pleq si dhurata
- për t’i ushqyer delet e Perëndisë me fjalën e Perëndisë (Gjoni 21:15-17),
- për t’i drejtuar delet (1 e Timoteut 4:16; 1 e Pjetrit 5:3, Hebrenjve 13:7),
- dhe për t’i mbrojtur delet nga sulmuesit (Veprat e Apostujve 20:27-29, 2 e Timoteut 4:3-4, Titit 1:9),
- ndërsa ata mbrojnë veten dhe kishën përmes urtësisë së faktit që janë shumë (Fjalët e Urta 11:14; 24:6).
Cila është ideja bazë? Pleqësia biblike e kishës është e rëndësishme, për shkak se pa të, populli i Perëndisë është si dele pa barinj.
Pse ekziston 9Marks?
Shumë pastorëve u është mësuar që ta përkufizojnë “suksesin” me statistika dhe përjetime të forta emocionale. 9Marks ekziston për t’i ndihmuar udhëheqësit e kishave ta përkufizojnë suksesin si besnikëri ndaj Perëndisë, ndaj Fjalës së tij dhe ndaj popullit të tij.
Në fakt, shumë prej këtyre pastorëve nuk janë të interesuar për numrat thjesht për hir të numrave. Ata duan të arrijnë gjithnjë e më shumë njerëz me lajmin e mirë të krishterimit. Problemi është që ata nisin ta ristrukturojnë jetën e përbashkët të kishave të tyre rreth arritjes së njerëzve. Arritja bëhet gjëja parësore.
Modelet e ndryshme
Disa përpiqen ta tërheqin botën me programet e kishës dhe përmes ungjillëzimit derë më derë. Ata i mbyllin predikimet e tyre duke i ftuar njerëzit të “dalin përpara”—”Jezusi dëshiron fort një marrëdhënie personale me ty, prandaj ftoje atë në zemrën tënde.”
Të tjerë ndërtojnë gjithçka rreth idesë së të qenët miqësor për jo të krishterët apo “kërkuesit.” Ata i heqin tej pengesat kulturore të kishës dhe u drejtohen “nevojave të menjëhershme,” si marrëdhëniet, përmbushja, dhe qëllimi.
Kurse të tjerë theksojnë nevojën që kishat duhet të lënë mënjanë çdo lloj kufiri dhe të “mishërojnë” veten e tyre në kulturë. Prandaj kishat shkojnë në zemër të qytetit. Ato përfshihen me artet, shkollat dhe kuzhinat për nevojtarët. Ato transformojnë kulturën, shërbejnë dhe sjellin shërim.
Pyetja kryesore
Problemi është që mbrojtësit e këtyre tre modeleve fillojnë me pyetjen dytësore: “Si mund ta arrijmë botën?” Kjo është pyetje e mirë, por nuk është pyetja parësore. Pyetja e parë është: “Ne si popull i Perëndisë, si mund të jemi besnikë ndaj tij?” Pjesë e të qenët besnikë do të thotë të përpiqesh ta arrish botën, por besnikëria në thelb ka të bëjë me dëgjimin e Perëndisë dhe të bërët e gjithçkaje që ai na urdhëron të bëjmë: “duke i mësuar të mbajnë të gjitha sa ju kam urdhëruar” (Mateu 28:20).
9Marks propozon që kishat duhet të fillojnë me besnikërinë, gjë e cila na sjell te një përqasje tjetër.
Kisha besnike
Përfytyrojeni këtë: një grup njerëzish që mblidhen bashkë në një dhomë. Dikush çohet, hap Biblën dhe thotë, “Kjo është ajo që Perëndia thotë.” Ai e shpjegon. Kisha këndon, lutet dhe ndan bukën dhe kupën me verë, dhe kthehen në shtëpi të ngazëlluar për ta ndarë Fjalën e Perëndisë me ata që nuk e kanë dëgjuar atë kurrë.
Në realitet kjo nuk është asgjë më tepër sesa tabloja e një kishe besnike.
Një kishë besnike? Kjo nuk tingëllon shumë e përshtatshme në marketing. Ndoshta tingëllon po aq ngazëlluese sa të shohësh një farë që mbillet. Prisni, ka më tepër: Fjalët vijnë me fuqi, me Frymë të Shenjtë, dhe me bindje të thellë përbrenda. Ndërgjegjet janë tejshpuar. Jetët janë ndryshuar. Njerëzit kthehen në shtëpi duke e adhuruar Perëndinë dhe duke e urryer mëkatin, duke e dashur njëri-tjetrin dhe duke kërkuar fqinjët e tyre.
Një kishë besnike është një kishë e përulur dhe që mban vesh, dhe kjo është tërheqëse në mënyrë të mbinatyrshme. Është e dallueshme si kripa dhe e shkëlqyer si drita. Njerëzit madje nisin të duken si… bij dhe bija të Perëndisë. Kjo po që është tërheqëse! E gjithë kjo fillon me të dëgjuarit e tij.
Çfarë bën 9Marks?
Në organizatën 9Marks, ne shkruajmë libra, artikuj dhe vlerësime librash. Ne organizojmë konferenca, regjistrojmë intervista, dhe këshillohemi me udhëheqës kishash. Me pak fjalë, ne bëjmë gjithçka që mundemi për t’i ndihmuar pastorët e tanishëm dhe ata të ardhshëm, si dhe anëtarët e kishës të shohin se si duket një kishë biblike, dhe të hedhin hapa praktikë për t’u bërë një kishë e tillë.
Në vitet e para të kësaj organizate, zëri i Mark Dever ishte zëri i vetëm publik. Megjithatë, parimet janë biblike, dhe për pasojë ka pasur një lëvizje të vogël nga udhëheqës kishe që po përfshihen duke shkruajtur dhe folur.
Librat 9Marks
Shkrimtarë që po rriten në numër, po kontribuojnë në serinë e librave të 9Marks. Librat e Mark Dever janë standardet: Nëntë shenjat e një kishe të shëndetshme, Ungjilli dhe Ungjillëzimi personal, dhe shumë të tjerë. Por mund t’i hidhni një sy librit nga Thabiti Anyabwile, i cili bën fjalë se si të jesh një anëtar i shëndetshëm i kishës, librit nga Greg Gilbert mbi ungjillin, librit nga Michael Lawrence rreth teologjisë biblike, librit të Michael McKinley mbi mbjelljen e kishave, dhe shumë titujve të tjerë. Shtypni këtu për më tepër libra nga 9Marks.
Burimet multimedia të 9Marks
9Marks ofron një larmi burimesh multimedia, ku përfshihen materiale audio dhe video. Ne përpiqemi t’i pajisim dhe inkurajojmë udhëheqësit përmes intervistave të udhëheqjes, mesazheve të konferencave, paneleve të diskutimit, leksioneve dhe shpjegimeve të shkurtra të temave kyç. Shtypni këtu për burimet e multimedias së 9Marks.