Jeta së bashku

Pesë arsye pse nuk dishepullojmë (Pjesa 1)

Artikull
08.21.2025

Shtatë vjet më parë, gazeta Christianity Today i kërkoi John Stott-it të vlerësonte rritjen e kishës ungjillore. Kjo ishte përgjigjja e tij:

Përgjigjja është “Rrritje pa thellësi”. Asnjë nga ne nuk e vë në diskutim rritjen e jashtëzakonshme të kishës, por ka qenë kryesisht një rritje në vlerë numerike dhe statistike. Dhe në krahasim me rritjen në numër, nuk ka pasur një rritje të mjaftueshme në dishepullim.

Fatkeqësisht, ky vlerësim është akoma i vërtetë, edhe shtatë vjet më vonë. Edhe pse rritja jonë ka qenë e gjerë si oqeani, zakonisht është e thellë sa një pellg. Po përse? Çfarë ka shkuar keq? Gjatë muajve në vazhdim, do të sugjeroj pesë arsye pse nuk dishepullojmë – ose të paktën që nuk dishepullojmë siç duhet.

Por fillimisht, cili është arsyetimi biblik për dishepullimin? Ka shumë, por pasazhi kryesor është Mateu 28:18-20:

Dhe Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj të gjitha kombet duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, duke i mësuar të mbajnë të gjitha sa ju kam urdhëruar…”

Tani pyetja është, a është ky urdhërim (“shkoni dhe bëni dishepuj”) vetëm për njëmbëdhjetë dishepujt të cilëve po u fliste Jezusi? Apo është për çdo dishepull të krishterë?

Disa herë, përkthimet të japin përshtypjen sikur “shkoni” është pjesa kryesore e urdhërimit – në këtë mënyrë, vargu bëhetu bë katalizator për lëvizjen moderne të misionit. Por pjesa kryesore e fjalisë është “bëni dishepuj”. Një komentues shkruan kështu: “Urdhërimi i Jezusit këtu, nuk është domosdoshmërisht për të kryer mision diku tjetër, aty në një shtet tjetër. Është një urdhërim që e bën bërjen e dishepujve agjendë normale dhe prioritet të çdo kishe e të çdo dishepulli të krishterë.”

D. A. Carson arrin në të njëjtin përfundim:

Urdhërimi iu është dhënë të paktën të Njëmbëdhjetëve, por të Njëmbëdhjetëve në rolin e tyre si dishepuj. Prandaj, ata janë shembuj për të gjithë dishepujt… Është e detyrueshme për të gjithë dishepujt e Jezusit që t’i bëjnë të tjerët siç janë edhe vetë – dishepuj të Jezu Krishtit.

Kjo më sjell në një pyetje trazuese. Nëse vetë Zoti Jezus ka urdhëruar çdo të krishterë të “bëjë dishepuj”, pse s’po e bën asnjë këtë? Çfarë po i pengon kishat tona nga të qenët komunitete që lulëzojnë me dishepuj-bërës?

Më lini të sugjeroj pesë arsye në artikujt e ardhshëm – një tani dhe katër më vonë.

PSE NUK DISHEPULLOJMË? SEPSE NE PREDIKOJMË HIR BADIHAVA

Besoj ju kujtohet pastori dhe teologu gjerman, Dietrich Bonhoeffer. Ai e përkufizoi hirin badihava kështu: “Hiri badihava është predikimi mbi për faljen pa kërkuar pendim, pagëzim pa disiplinë kishtare. Kungim pa rrëfim. Hiri badihava është hir pa dishepullimin, hir pa kryqin, hir pa Jezu Krishtin” (The Cost of Discipleship, 43-44).

Çfarë dëgjojnë njerëzit kur predikohet ungjilli në kishën tuaj lokale? A dëgjojnë: “Patjetër që ke mëkatuar, por tani çdo gjë të është falur. Jezusi pagoi çmimin e mëkatit tënd. Kështu që çdo gjë është në rregull!”

Për kaq sa është, kjo është mirë. Por nuk është e mjaftueshme. Problemi është se ky ungjill, nuk përmban asnjë kërkesë për dishepullim. Nuk kërkohet asnjëherë pendimi. Asnjë shpresë për shenjtëri. A nuk është kjo në kundërshti me ngulmimin e Jezusit te Marku 8:34: “Kushdo që do të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.”?

Siç e thotë dhe shprehja; hiri mund të jetë falas – por nuk është badihava. Jezusit i kushtoi jetën e vet. Dhe do të na kushtojë edhe jetët tona gjithashtu, nëse duam ta ndjekim atë. Ftesa mund t’u jepet të gjithëve, por vetëm ata që i binden thirrjes së Jezusit – moho vetveten dhe merr kryqin tënd – e kanë pranuar atë.

Dhe pyetja është, a po e mësojmë këtë ungjill në kishat tona lokale? A e përmban ungjilli ynë kërkesën për dishepullim? Apo e lexojmë Markun 8:34 nën zë, e kalojmë në shkronja të imta, duke shpresuar që askush të mos e vërë re derisa të kenë hedhur firmën? A po e zvogëlojmë çmimin e dishepullimit, me shpresë që të shtohen blerjet?

Një pyetje tjetër që lidhet me këtë: A e shprehim dashurinë e Perëndisë si “të pakushtëzuar”? Nëse po, padashur kemi kontribuar në problemin e hirit badihava. Sepse nga një anë, dashuria e Perëndisë nuk është aspak pa kushte. Dëgjoni se çfarë thotë David Powlison këtu: “Edhe pse është e vërtetë që dashuria e Perëndisë nuk varet nga asgjë që bëni ju, ajo varet shumë në atë që Jezu Krishti bëri për ju. Në këtë kuptim, është shumë e kushtëzuar. I kushtoi Jezusit jetën e vet” (God’s Love: Better than Unconditional, 11).

Nëse nuk e mësojmë “kushtëzimin” e dashurisë së Perëndisë, do të ofrojmë hir badihava. Hir që nuk kërkon ndonjë bindje radikale, thjesht një tundje dembele të kokës. Hir që nuk trazon, vetëm qetëson.

Ungjilli nuk është me kushte (“Nëse më bindesh mua, unë do të të dua”). Por nuk është as i pakushtëzuar (“Të dua ty, pa marrë parasysh nëse më bindesh apo jo.”). Ungjilli është anti-kushtëzues (“Të dua ty, edhe pse nuk më je bindur mua, sepse Biri im u bind.”). Dhe bindja e Birit në vendin tonë na bën që të duam dhe të bindemi edhe ne. Siç Jezusi tha: “Nëse më doni, mbani urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15).

Frika është se në dëshirën tonë ungjillëzuese për të marrë “vendime” nga njerëzit, shumë prej këtyre “vendimeve” mund t’ia kemi hequr kuptimin. Tjetër gjë është të “bësh lutjen”, dhe është komplet tjetër gjë të pendohesh dhe të besosh. Është shumë herë më e lehtë të ecësh nëpër tallash sesa të ecësh nëpër rrugën e Kalvarit.

MUND TA “SHTRENJTOJMË HIRIN”?

Pra, çfarë mund të bëjmë ne (nëse mund ta them kështu) për ta shtrenjtuar hirin?

Së pari, kur predikojmë ungjillin, tundohemi të predikojmëështë tunduese të predikosh vetëm identitetin dhe misionin e Krishtit (“Jezusi është Biri i Perëndisë dhe ai vdiq për mëkatarët si puna jote.”). Por, ne duhet të predikojmë gjithashtu edhe thirrjen e tij: “Kushdo që do të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.” (Marku 8:34).

Le të mos dyshojë askush nga bashkësitë tona: një i krishterë e tregon se është i tillë duke mohuar veten dhe duke marrë kryqin e vet. Kjo do të thotë se kur predikojmë ungjillinnë predikimin tonë të ungjillit, nuk duhet të harrojmë mënyrën se si Jezusi vetë e predikoi atë. Ai i thirri njerëzit të pendohen dhe të besojnë (Marku 1:15). Këto të dyja janë të pandashme. Asnjëherë nuk duhet t’i paraqesim si të kundërta gjatë predikimit tonë, a thua se “besimi” është i rëndësishëm për t’u bërë dikush i krishterë, pastaj “pendimi” është një opsion shtesë për të krishterët e përkushtuar shumë. Asnjëra prej tyre nuk është e diskutueshme.

Së dyti, kur njerëzit na pyesin se si ta dinë që janë vërtet në Krishtin, le të mos i drejtojmë në bërjen e një lutjeje apo daljen para altarit. Baza biblike për sigurinë është vazhdimësia e ecjes sonë gjatë rrugës së Kalvarit, duke mbartur kryqin e turpit dhe duke dhënë fryte të denja të pendimit (Mateu 3:8).

Hiri badihava mund të jetë më i lehtë për t’u “blerë”. Mund të ndihmojë për t’i mbushur kishat, por do t’i shihnim ato të mbushen me njerëz që nuk janë dishepuj, që nuk duan të jenë aq  dishepuj dhe rrjedhimisht nuk kanë dëshirë për të dishepulluar të tjerët. Do të kemi krijuar një kulturë ku dishepullimi është në thelb i parëndësishëm.

Në artikullin e radhës, do të sugjeroj një arsye të dytë se përse ne nuk dishepullojmë.

 

Përktheu: Sergej Meçe
Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga: https://www.9marks.org/article/five-reasons-we-dont-disciple-part-1/


Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.

Më shumë të etiketuara si: