Anëtarësia & Disiplina

A është biblike anëtarësia në kishë?

Artikull
08.21.2025

“Nusja e Krishtit nuk mund të jetë kurorëshkelëse; ajo është e pakorruptuar dhe e pastër. Ajo ka vetëm një shtëpi; e ruan shenjtërinë e një shtrati me modesti të dëlirë. Ajo na mban ne për Perëndinë. Nusja e Krishtit cakton bijtë që i kanë lindur për mbretërinë. Kushdo që ndahet nga Kisha dhe bashkohet me një kurorëshkelës, është i ndarë nga premtimet për Kishën; as ai që braktis Kishën e Krishtit, nuk mund të arrijë shpërblimet e Krishtit. Ai është një i huaj; një përdhosës; ai është një armik. Nuk mund ta quajë më Perëndinë si Atin e vet, apo Kishën si mëmë të tij.

— Cyprian, Treatise on the Unity of the Church, 6.

Isha 18 vjeç kur u bëra pastor i kishë

s së parë baptiste “Highland Village” (e njohur ndryshe tani si “The Village Church”). Kisha pasur vështirësi në eksperiencën e mëparshme me kishën time, dhe në atë kohë nuk e kisha kaluar dhe aq fazën e të qenët “i zhgënjyer me kishën lokale”.

Për të qenë i sinqertë, në atë kohë nuk isha i sigurt nëse anëtarësia në kishë ishte diçka biblike. Pavarësisht kësaj, Fryma e kishte bërë shumë të qartë që unë do të baritorja këtë kishë të vogël në rrethinat e Dallas-it. Kjo ishte një nga shumë ironitë e jetës sime të atyre ditëve.

Kisha e parë baptiste “Highland Village” ishte pjesë e lëvizjes “seeker-sensitive” (e dhënë ndaj afrimit të jobesimtarëve) dhe nuk kishte një proces anëtarësimi formal, edhe pse po punonin në mënyrë aktive për këtë, dhe ndaj kërkuan mendimin e pastorit të ri. E kisha kapur fort idenë e kishës universale, por nuk dija aq shumë — dhe, siç thashë, isha disi skeptik — për kishën lokale. Filluam të rritemi shpejt me 20 e ca-vjeçarë të rinj dhe shpeshherë të zhgënjyer, të cilët zakonisht ishin pa eksperiencë të mëparshme në kishë, ose me eksperiencë jo të mirë. Ata e pëlqenin “The Village”, sepse ne ishim “ndryshe”. Kjo më çudiste gjithmonë, sepse ne nuk po bënim gjë përveç predikimit dhe këndimit.

Në biseda me këta burra dhe gra fillova të dëgjoj gjëra të tilla si: “Kisha është e korruptuar; ka të bëjë vetëm me paranë dhe egon e pastorit,” ose: “ Jezusin e dua, problemin e kam me kishën”. E preferuara ime ishte: “Kur e organizon kishën, ajo e humbet fuqinë e saj”. Edhe pse me raste i kuptoja fare mirë këto komente në vetvete (unë, ashtu si gjithë brezi im, kemi probleme me autoritetin dhe përkushtimin), më çudisnin sepse po më drejtoheshin mua, njerëz që ishin pjesëmarrës në kishën ku unë isha pastor.

DY PYETJE NGA HEBRENJVE 13:17

Meqë ishim duke pasur konflikte mbi doktrinat, që i shikoja si më shumë të rëndësishme, po pyesja veten nëse duhet ta linim mënjanë këtë çështjen e anëtarësimit në kishë dhe t’i ktheheshim më vonë. Në atë kohë po përgatitesha për të predikuar nga libri i Hebrenjve dhe “rastisi” që isha në kapitullin 13, kur vargu 17 më pa drejt e në sy: “Dëgjoni udhëheqësit tuaj dhe bindjuni, sepse ata rrinë syhapur mbi shpirtrat tuaj, si ata që duhet të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim dhe jo me psherëtima, sepse kjo nuk do t’ju sillte dobi.”

Më lindën dy pyetje. Së pari, nëse Bibla nuk e kërkon që të jemi pjesë e një kishe lokale, atëherë cilët drejtues duhet të dëgjojë dhe t’i bindet një individ i krishterë? Së dyti, dhe më personalisht, për kë duhet të jap unë llogari si pastor?

Këto dy pyetje filluan kërkimin tim për të kuptuar biblikisht kishën lokale dhe nisën me idetë e autoritetit dhe nënshtrimit.

Për sa i përket pyetjes së parë, Shkrimet i urdhërojnë shumë qartë të krishterët që t’i binden dhe të nderojnë një trup udhëheqësish (Hebr. 13:17; 1 e Tim. 5:17). Nëse anëtarësia në një kishë lokale nuk ka kuptim, atëherë kujt duhet t’i nënshtrohemi dhe t’i bindemi? A është çdokush që ka titullin “plak” nga çdo kishë? A duhet që ti, si i krishterë, t’i bindesh dhe t’i nënshtrohesh atyre të krisurve në “Westboro Baptist”? A duhet që për t’ju bindur Shkrimeve, të protestojmë nëpër funeralet e ushtarëve, ashtu siç lë të nënkuptohet pastori i “Westboro”?

Për sa i përket pyetjes së dytë, Shkrimet urdhërojnë qartësisht një unitet pleqsh që të kujdesen për njerëz specifikë (1 e Pjet. 5:1-5, si dhe Vepr. 20:29-30). A do jem unë përgjegjës si pastor për të gjithë të krishterët në njësinë administrative të Dallasit? Me shumë nga kishat në Dallas, unë kam ndryshime të forta teologjike dhe filozofike. A do të jap llogari për çfarë mësojnë ata në grupe të vogla, si i shpenzojnë paratë dhe për atë që bëjnë për misionet ndërkombëtare?

PO DISIPLINA E KISHËS?

Pasi mora në konsideratë pyetjet mbi autoritetin dhe nënshtrimin, çështja e dytë që u ngrit gjatë studimit tim për kishën lokale ishte mësimi biblik mbi disiplinën e kishës.

Gjendet në disa vende, por askund më qartë se te 1 e Korintasve 5:1-12. Në këtë pasazh, Pali ballafaqon kishën në Korint për pranimin e një burri që po ecte në mënyrë flagrante dhe të papenduar në imoralitet seksual. Korintasit po e kremtonin këtë si hir prej Perëndisë, por Pali i paralajmëron ata se për këtë lloj ligësie duhet të vajtonin dhe jo të krenoheshin. Ai i quan arrogantë dhe u thotë që ta heqin këtë burrë për prishje të mishit dhe me shpresë për shpëtimin e shpirtit të tij. Në vargjet 11-12, ai flet pa dorashka: “Por tani ju shkrova të mos përziheni nëse dikush kërkon të quhet vëlla, duke qenë kurvar, ose lakmues ose idhujtar, o shpifës, o pijanec ose rrëmbyes; me një të tillë madje as të mos hani bashkë. Sepse ç’më duhet të gjykoj edhe të jashtmit? A nuk i gjykoni ju të brendshmit?”

Ka qenë eksperienca ime e trishtë që shumë pak kisha vazhdojnë të praktikojnë disiplinën e kishës, por ky është një artikull më vete, për një herë tjetër. Pyetja që më lind nga ky tekst është e thjeshtë: Si mund të heqësh dikë “jashtë”, nëse nuk ka një marrje “brenda”? Nëse nuk ka një angazhim lokal në një komunitet të besëlidhjes së besimit, atëherë si mund ta heqim dikë nga ky komunitet i besimit? Disiplina e kishës nuk do të funksionojë nëse nuk ekziston anëtarësia në kishën lokale.

PROVA TË TJERA ME SHUMICË PËR ANËTARËSINË

Ka prova të tjera në Shkrime që mbështesin anëtarësinë lokale të kishës.

Shohim te Veprat 2:37-47 që ka një regjistër të numrit të atyre të cilët rrëfenin Krishtin dhe mbusheshin me Frymën e Shenjtë (v. 41), dhe vihet në dukje që kisha po e maste rritjen e saj (v. 47).

Te Veprat 6:1-6, shohim që bëhen ndodhin zgjedhje, në mënyrë që të adresohen probleme apo akuzime specifike.

Te Romakëve 16:1-16, ne shohim atë që duket si e mirëqenë, dijenia se kush është pjesëtar kishe.

Te 1 e Timoteut 5:3-16 shohim një mësim të qartë mbi trajtimin e vejushave në kishë dhe te vargjet 9-13 lexojmë këtë:

Një e ve të regjistrohet në listën e vejushave, po të jetë jo më e re se gjashtëdhjetë vjeçe, të ketë qenë gruaja e një burri të vetëm, dhe të ketë dëshminë për vepra të mira: që ka rritur fëmijë, ka pritur të huajt, ua ka larë këmbët shenjtorëve, ka ndihmuar të shtypurit, i është kushtuar vazhdimisht çdo vepre të mirë. Po refuzo vejushat më të reja, sepse, si të mërziten nga Krishti duke u dhënë pas dëshirave të tyre, duan të martohen, duke tërhequr mbi vete gjykimin, se e kanë hedhur poshtë besimin e parë. Por njëkohësisht, duke shëtitur nëpër shtëpi mësohen të jenë përtace, por jo vetëm përtace, por edhe llafazane dhe kureshtare duke folur gjëra që s’kanë hije.

Në këtë tekst shohim kriteret se kush do të kualifikohetpër atë që të kualifikonte ose jo për të qenë në programin e kujdesjes ndaj të vejave në Efes. Kisha lokale në Efes është e organizuar dhe ata po ecnin sipas një plani.

Këtu mund të vazhdonim pafund, duke pyetur si mund t’u bindemi urdhërimeve të Perëndisë te 1 e Korintasve 12 apo Romakëve 12, pa qenë të lidhur me një komunitet lokal të besëlidhjes së besimit. Mirëpo, për të zbërthyer të gjitha tekstet e mundshme, do të duhej më shumë kohë nga sa i kam kushtuar këtij artikulli.

PLANI I PERËNDISË ESHTË QË NE T’I PËRKASIM KISHAVE LOKALE

Kur fillon të shikosh gjithë këto tekste, bëhet e qartë se plani i Perëndisë për kishën e tij është që ne t’i përkasim një komuniteti lokal të besëlidhjes së besimit. Kjo është për mbrojtjen dhe pjekurinë tonë, si dhe për të mirën e të tjerëve.

Nëse e sheh kishën si një lloj banketi ku merr çfarë të pëlqen, atëherë ti i kufizon shumë gjasat për rritjen tënde në pjekuri. Rritja në perëndishmëri mund të dhembë. Për shembull, ndërsa ndërveproj me të tjerët në trupin tim lokal, zbulohet përtacia ime për të qenë i zellshëm, ashtu si dhe padurimi im, mungesa e lutjes apo hezitimi për t’u marrë me të përulurit (Rom. 12:11-16). Megjithatë, ky ndërveprim më jep edhe mundësinë për t’u përballur me dashuri nga motrat dhe vëllezërit të cilët janë në të njëjtën llogore me mua, si edhe një vend të sigurt për të rrëfyer dhe për tu penduar. Mirëpo, nëse kisha është vetëm një vend që ti e viziton pa iu bashkuar asnjëherë, si një banketi i lartpërmendur, bën mirë të hetosh nëse gjithmonë largohesh atëherë kur zemra jote fillon të ekspozohet nga Fryma, dhe kur puna e vërtetë sapo ka filluar.

Cili është konkluzioni? Anëtarësia në kishën lokale është çështje e bindjes biblike, jo preferencë personale.

 

Përktheu: Sergej Meçe
Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga: https://www.9marks.org/article/journalchurch-membership-biblical/


Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.

Më shumë të etiketuara si: