Udhëheqja e kishës
A është zemërbutësia dobësi? – Reflektime pastorale mbi butësinë
Cila është fjala e parë që ju vjen në mendje kur dëgjoni titullin “pastor”? Unë mendoj se nuk është “i butë”. Përveç protagonistit në filmin “The Iron Giant”, heronjtë tanë të famshëm nuk njihen për butësinë e tyre. Ata priren të arrijnë bëma të mëdha përmes forcës së madhe, aftësisë dhe forcës së vullnetit. Ata shkëlqejnë në arrogancë, jo në përulësi.
Unë gjithmonë mendoja se isha i butë. Kur lexoja përmes listës së virtyteve në Dhiatën e Re, nuk e kisha vënë re asnjëherë butësinë. Kur isha një djalë i ri, gjithmonë lutesha rregullisht kundër epshit. Luftoja krenarinë. U përpoqa të largoja përtacinë. Këto mëkate vdekjeprurëse përbënin një përbindësh me tri kokë, të cilin e dija se duhej ta kundërshtoja. Por diku gjatë rrugës, ndërkohë që po merresha me një sulm frontal kundër Ciberit tim, një mëkat i vogël tinëzar doli nga zemra ime dhe më sulmoi prapa krahëve. Ai ka shumë emra: ashpërsi, pafytyrësi dhe të qenët autoritar, janë disa prej tyre. Ai nuk është as zemërbutë e as i butë.
Pra, si mundi të më tërhiqte vëmendjen ky mëkat i vogël tinëzar? Një vëlla i dashur bëri diçka të guximshme; më tha se unë kisha raste që isha i ashpër dhe frikësues. Aq i ashpër në fakt, saqë ai nuk ishte i sigurt se mund të shërbente me mua në trupin e pleqve të kishës. Fjalët e tij më shtangën. Nuk mund ta besoja! Por prapë s’kisha si të mos e besoja. Ky vëlla është i zgjuar, i perëndishëm dhe e dija që donte më të mirën për mua, dhe për kishën që e donim të dy.
MËKATI IM MË MASHTROI
Duhej të gërmonim më thellë. I kërkova atij të zgjidhte nja-dy pleq nga kisha jonë me të cilët ndihej rehat për të ndarë këtë informacion. Të katërt u ulëm për të folur dhe për t’u lutur. Ai u tha atyre shqetësimet e tij dhe e bëri këtë me përulësi, duke rrëfyer ndërkohë edhe dobësinë e tij. Mirëpo, ndërsa po flisnim, unë kuptova më mirë mënyrat me të cilat kisha drejtuar biseda, që i kishin bërë të tjerët të ndiheshin të vegjël. Mësova se ndërsa, për shumicën e kohës, epshi, përtacia dhe krenaria ime ishin nën kontroll, ashpërsia kishte arritur kulmin.
Po pyesja veten se si nuk munda ta shikoja këtë mëkat për kaq shumë kohë. Mbi të gjitha, unë lutesha rregullisht, lexoja Biblën çdo ditë dhe predikoja të paktën një herë në javë. Isha veçuar nga një kishë lokale që të adresoja mëkatet e një bashkësie të tërë, kështu që si mundet që në mënyrë kaq të pakujdesshme të mos shikoja mëkatin tim?
Përgjigjja e shkurtër është: nuk e di, mëkati im më mashtroi. Teologu i shekullit XIX, Archibald Alexander-i, vuri në dukje: “Në të gjithë mëkatin, mendja është nën një ndikim mashtrues. Mendimet dhe motivet e duhura për një çast harrohen ose mposhten.” [1] Ai ka të drejtë; unë isha mashtruar me idenë se të qenët i drejtpërdrejtë (një fjalë më e pëlqyeshme sesa të qenët i ashpër) ishte thjesht pjesë e stilit tim të udhëheqjes.
Ndërsa javët po kalonin, Zoti më kujtoi se shenjtërimi është një proces, edhe për pastorët. Jo vetëm kaq, por në fjalët e mprehta të vëllait tim të dashur, gjeta fuqinë e Hebrenjve 3:13: “Por nxitni njëri-tjetrin çdo ditë, për sa kohë thuhet: ‘sot’, që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit”. Nxitja e tij më drejtoi që ta shqyrtoja zemrën time nga e para.
SHKRIMI MË RIFRESKOI
Po aq e rëndësishme është se edhe qortimi i tij më drejtoi që ta lexoja Shkrimin me një sy tjetër. Për shembull, kur e kujtoja më parë Moisiun, fillimisht mendoja për një lider thellësisht të guximshëm i cili mposhti një pasiguri të madhe për të udhëhequr popullin e Perëndisë nga Egjipti. Kjo është e vërtetë! Moisiu ishte një mbrojtës shumë i fortë i drejtësisë, por kjo nuk ishte e gjitha. Ndërsa isha ballë për ballë me ashpërsinë time, e pashë Moisiun si një burrë që u transformua personalisht dhe fuqishëm nga lavdia e Perëndisë. Prandaj, Shkrimi e përshkruan atë si “një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut” (Num.12:3).
Më parë, kur meditoja për frytet e Frymës, ndalesha në nevojën time për gëzim, për besim dhe vetëkontroll. Mirëpo tani, zemërbutësia po më thërriste nga teksti, duke më detyruar ta vendosja zemrën në këtë pjesë specifike të fryteve të Frymës (Gal. 5:22-23).
Çdo herë që shkoja tek 1 e Pjetrit 5 për të ekzaminuar rolin e pleqve në kishë, më parë vëzhgoja veçanërisht se si ata duhet të jenë shërbëtorë të gatshëm, jo ziliqarë për fitim. Por tani, ajo që më bën përshtypje është fakti se ata nuk duhet të jenë “zotërues” mbi delet nën kujdesin e tyre (1 e Pjetrit 5:3).
Sa herë kam lexuar te 1 e Timoteut 3, duke menduar cilësitë e nevojshme për të pasur ofiqin e mbikëqyrësit? Besnikëria në martesë, kthjelltësia dhe respekti, secila më tërhiqte vëmendjen. Por nuk mund ta lexoj më këtë pasazh pa parë shprehjen: “jo i dhunshëm por i butë” duke ndriçuar me drita neoni.
KISHA JONË NUK KA NEVOJË PËR NJË PASTOR ZEMËRBUTË
Të drejtosh një kishë, edhe me një shumicë pleqsh, nuk është e lehtë. Një pastor i mirë duhet të jetë i përgatitur që të marrë një breshëri kritikash. Kështu e ka puna! Për më tepër, mund të ketë pritshmëri që pastorët jo vetëm të dinë ku duhet të jetë kisha, por të kenë edhe vizionin, besimin, vendosmërinë dhe mendje-fortësinë për ta çuar aty. Dhe ndonjëherë, për shkak të mendjeve tona të mjegullta nga mëkati, ne pastorët nuk arrijmë të shohim sesi nxitja e virtytit të zemërbutësisë do ta ndihmojë këtë çështje. Ne e dimë se Amerika nuk ka nevojë për një president zemërbutë, ushtria nuk ka nevojë për një gjeneral zemërbutë dhe kompania nuk ka nevojë për një CEO të dobët. Pra, ndoshta pa e pranuar, ne vendosim se kisha jonë nuk ka nevojë një pastor zemërbutë.
Mirëpo, kisha nuk është një shtet, një ushtri apo një kompani. Nëse Perëndia do e donte që të udhëhiqej nga politikanët, gjeneralët apo CEO-t, ai do e kishte bërë të mundur këtë gjë. Në vend të kësaj, në urtësinë e tij, ai ua besoi të ardhmen e kishës pleqve, shenja dalluese e të cilëve është një njohje personale e dobësisë: “Dhe ne e kemi këtë thesar në enë prej balte, që epërsia e pashoqe e kësaj fuqie të jetë e Perëndisë dhe jo prej nesh” (2 e Kor. 4:7). Nëse Jezusi e shpëtoi botën duke e bërë veten një asgjë (Fil. 2:7), atëherë me siguri është detyra e çdo plaku të ketë qëndrimin e tij.
Si bashkëshort, i vlerësoj shumë fjalët e Dave Harvey-t për zemërbutësinë në martesë: “Zemërbutësia nuk ka të bëjë fare me të qenët i dobët apo pasiv. Zemërbutësia është fuqi e mprehur nga dashuria… Në martesë, të jesh zemërbutë nuk është të jesh i dobët apo i pambrojtur, por të jesh aq i përkushtuar ndaj bashkëshortit/es tënde, saqë do të sakrifikosh për të mirën e tij ose të saj.” [2] Këto fjalë janë njësoj me vend edhe për baritimin.
Zemërbutësia nuk është dobësi! Pastori që ndien nevojën për të forcuar kishën drejt madhështisë nëpërmjet ushtrimit të dhuntive të tij, e nënvlerëson fuqinë e ungjillit. Pastori i bindur se duhet të jetë me gjykimin më të mirë, më mendjemprehti, më energjiku ose më komandanti, ka humbur të vërtetën biblike më bazike: Perëndia kënaqet kur përdor burrat më zemërbutë, sepse ata janë dukshëm më të varur ndaj tij. Kjo nuk do të thotë se një pastor i mirë është i qetë, i rezervuar në udhëheqje apo skeptik ndaj gjykimit të vet. Aspak! Megjithatë, ka kuptimin se një pastor është “i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim” (Jakobi 1:19).
Unë nuk jam ende aq i butë sa duhet të jem, por jam i ndërgjegjshëm ndaj tundimit tim për të qenë i ashpër, dhe e di se ky ndërgjegjësim më bën mua një bashkëshort, një baba dhe një pastor më të mirë. Unë e di se një ditë, shërbesa ime do të mbarojë. Njerëz të shumtë do të mblidhen te funerali im ku, unë shpresoj, se do të flasin më shumë për Jezusin se sa për mua. Por për sado gjatë të kujtohem, do të doja të kujtohesha si një burrë që ishte shembull i zemërbutësisë.
TË SHKOSH DREJT ZEMËRBUTËSISË
Asnjë nga ne nuk është as zemërbutë as i butë siç duhet të jetë. Mirëpo, çfarë duhet të bësh nëse mendon se ke një problem real me këtë?
- Gjej dikë që do të ta thotë të vërtetën me dashuri, dhe pyete: “A jam i butë?”. Mua më ndihmoi thjesht për të ditur se ky është një aspekt ku duhet të fokusohem me të vërtetë. Të jesh në dijeni mund të mos jetë gjysma e betejës, por është një fillim.
- Medito mbi disa tekste kyç të Shkrimit: Fjalët e Urta 15:4; Mat. 5:5; Gal. 5:23; Efes. 4:1-3; Kolos. 3:12; 1 e Tim. 6:11; Jak. 1:21. Për më tepër, konsidero karakterin e Krishtit. Pali tha se çdo i krishterë shndërrohet në shëmbëllimin e Krishtit, “nga lavdia në lavdi” (2 e Kor. 3:18). Kjo do të thotë se po ndajmë gjithashtu zemërbutësinë e tij (2 e Kor. 10:1; Mat. 11:29). Është e vështirë të kalosh kohë me vargje të tilla dhe të mos largohesh me një dëshirë më të madhe për të qenë i butë.
- Konsidero sesi të perceptojnë të tjerët. Nëse fjalët, toni dhe fytyra jote u dukën të ashpra dhe pa ndjenja, rishikoje rikonsideroje se si komunikon me të tjerët. Një pjesë e dashurisë ndaj një personi tjetër është të dalësh nga mënyra jote e zakonshme për t’u siguruar që ata e dinë që ti kujdesesh për ta. Ndonjëherë mungesa e butësisë është thjesht një dështim i të shpjeguarit qartë se si ndihesh në të vërtetë.
- Lutu që Perëndia të të bëjë më të butë. Me siguri kjo është një lutje që Perëndia i përgjigjet me kënaqësi. Ai i do delet e tij më shumë sesa ty dhe për shkak të dashurisë për to, ai do të punojë me butësinë në zemrat e nën-barinjve, të cilët me të vërtetë duan të shfaqin zemërbutësinë e Krishtit.
* * * * *
[1]Archibald Alexander, Practical Truths (Harrisonburg, VA: Sprinkle, 1998), 59.
[2]Dave Harvey, When Sinners Say, “I Do,” (Wapwallopen, PA: Shepherd Press, 2007), 130.
Botuar me leje nga: https://www.9marks.org/article/is-meek-weak/
Përktheu: Sergej Meçe
Redaktoi: Linea Simeon
Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.

