Udhëheqja

Një thirrje pastorëve që të luten për njerëzit e tyre

Artikull
08.21.2025

Nëse je thirrur nga Perëndia për të qenë pastor, jam i sigurt se ke dëshirë të lutesh për njerëzit e tu. Mjerisht, dëshira nuk është kurrë e mjaftueshme.

Kur Zoti ynë u kërkoi dishepujve të tij më besnikë dhe më të afërt: “…qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua”, jam i sigurt se ata kishin dëshirë të rrinin zgjuar e të luteshin besnikërisht me Atë që e donin aq shumë. Mirëpo, fatkeqësisht, dëshira nuk mjaftoi. Përkundrazi, ata u bënë figura të paharrueshme të së vërtetës së dhimbshme të lutjes, që çdo pastor e ka përjetuar: “…fryma është gati, por mishi është i dobët” (Mateu 26:41). Sa herë ke marrë vendimin të lutesh për njerëzit e tu, vetëm që më pas ta gjesh veten në gjumë të thellë, ngaqë të ishin “rënduar sytë” (Mateu 26:43)?

Qëllimi i këtij artikulli është të luftojë lodhjen e syve me të vërtetat lutje-gjallëruese të fjalës së Perëndisë. Shpresoj që këto meditime do të bëjnë që shpirti yt të lartësohet me thirrjen apostolike: “Duke iu kushtuar lutjes” (Veprat 6:4a).

Për këtë arsye, të ofroj gjashtë të vërteta biblike, që shpresoj se do të të japin energjinë për të dalë nga përgjumja e mungesës së lutjes.

1. Të mos lutesh për njerëzit e tu është mëkat.

Të mos lutesh Moslutja është mëkat. Ta themi troç këtë. Pastori që nuk lutet për njerëzit e tij është po aq jobiblik sa pastori që refuzon të predikojë Fjalën e Perëndisë. Një nga aspektet më të ëmbla të realitetit të të qenët i krishterë, është se tani ne jemi “shërbëtorë të drejtësisë” (Romakëve 6:18). Pavarësisht të pasurit “dëshirat e mishit” që na tërheqin drejt mëkatit (Galatasve 5:16), besimtarët kanë ende një dëshirë të pashuajtshme për të bërë të drejtën. Për shkak se Perëndia e shtënë ligjin në mendjet tona dhe e ka shkruar në zemrat tona (Jeremia 31:33; Hebrenjve 8:10), ne dëshirojmë ta duam drejtësinë dhe ta urrejmë paudhësinë (Psalmi 45:7; Hebrenjve 1:9). Fryma nuk i lejon kurrë të krishterët ta tolerojnë mëkatin në jetët e tyre. Ashtu si anëtarët e mbledhur të cilëve pastorët u shërbejnë, edhe ata vetë nuk mund të jetojnë kurrë të lumtur duke e toleruar mungesën e lutjes në jetët e tyre, sepse të mos lutesh moslutja është mëkat.

Profeti Samuel e bëri këtë më se të qartë kur i premtoi popullit të Izraelit se do të lutej për ta, duke thënë: “…mos ndodhtë kurrë që unë të mëkatoj kundër ZOTIT duke hequr dorë nga lutjet për ju” (1 i Samuelit 12:23). Samueli pranon se të hequrit dorë nga lutja për popullin e Perëndisë ishte një mëkat kundër Perëndisë. Samueli ishte një udhëheqës në mes të popullit të Perëndisë. E si mund të thoshte ai se merakosej për ta kur nuk ia parashtronte nevojat e tyre Jehovah Jireh-ut, të Vetmit që mund të kujdesej për ato nevoja? Dhe si mund të pretendonte Samueli ta drejtonte popullin e Perëndisë nëse nuk e drejtonte atë për të kërkuar Zotin në lutje? Ta lësh popullin e Perëndisë pa lutje është si ta lësh atë pa kujdes, pa nevojat bazë dhe pa drejtim, “si delet që nuk kanë bari” (Mateu 9:36). Ne si pastorë jemi thirrur t’i arratisemi mëkatit dhe të ndjekim drejtësinë. Duhet të mësojmë t’i arratisemi mëkatit të mungesës së lutjes dhe të veshim zakonin e drejtë e të mrekullueshëm të lutjes për njerëzit tanë.

2. Lutja për njerëzit tuaj përlëvdon Perëndinë.

Një nga vargjet e mia të preferuara për lutjen është Psalmi 50:15: “Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më përlëvdosh”.

Çdo ditë fatkeqësie është një ditë mundësie dhe privilegji për të përlëvduar Perëndinë. Ndonjëherë ne ndihemi sikur ngushëllimi i të sëmurëve, dishepullimi i të rinjve në besim dhe këshillimi i situatave të vështira mund të jetë shpërqendrim nga thirrja jonë e vërtetë, por nuk është ashtu.

Çdo fatkeqësi që na vjen është një mundësi për ta nderuar Perëndinë dhe për t’i thirrur atij për ndihmë — dhe ai e bën këtë! Kur ai iu përgjigjet lutjeve tona dhe punon në jetënt e njerëzve për të cilët ne lutemi, ai përlëvdohet. Kur ai ngushëllon të sëmurët apo rregullon problemet organizuese që ne hasim, ai përlëvdohet sepse ai e bëri atë punë.

Ne duhet të ndjekim këshillën e John Newton-it (1725-1807) te një nga himnet e tij:

Hajde, shpirti im, përgatite lutjen:
Jezusit t’i përgjigjet asaj, i pëlqen;
Për këtë të thërret vetë Ai,
Ndaj nuk do të të injorojë, kurrsesi;
Ndaj nuk do të të injorojë kurrsesi.

Te një mbret po vjen tani, Ti po vjen te një Mbret,
Kërkesa të mëdha sill ti; Sill kërkesa të mëdha;
Se të tilla janë hiri dhe fuqia e tij, Askush tepër nuk kërkon;
Fundin nuk ua gjen dot njeri; Askush tepër nuk kërkon;
Fundin nuk ua gjen dot njeri. Nga sa hiri i tij ofron.

Kur i kërkojmë Zotit të veprojë në mes të vështirësive tona, ne jemi duke i dhënë atij lavdinë që i takon.

3. Thirrja jonë është të imitojmë udhëheqësit që luten për popullin e vet.

Hebrenjve 13:7 thotë kështu për udhëheqësit tanë të kishës: “Kujtoni udhëheqësit tuaj, që ju thanë fjalën e Perëndisë dhe, duke vështruar rezultatin e sjelljes së tyre, imitoni besimin e tyre”. Po të vëreni udhëheqësit e mëdhenj të kishës së krishterë, ajo që kanë të përbashkët të gjithë është përkushtimi në lutje. Këtë e vëmë re në jetën e apostullit Pal, i cili u rrëfeu kolosianëve se ai dhe kolegët e tij në shërbesë nuk reshtnin së luturi, që nga dita që dëgjuan lidhur me ta (Kolosianëve 1:9).

Çfarë vendosmërie shembullore! Lutje papushim qysh nga dita që dëgjoi për ‘delet’ kolosiane. Mbajeni parasysh këtë vëllezër, dhe imitoni këtë mënyrë jetese. Mbani parasysh edhe shembullin e Epafrait, “që është nga tuajt dhe shërbëtor i Krishtit” dhe për të cilin Pali na thotë se “lufton gjithnjë për ju në lutje, që ju të qëndroni të përsosur dhe të mbushur përplot në gjithë vullnetin e Perëndisë” (Kolos. 4:12). Kujtoni shembullin e burrave të perëndishëm si Pali dhe Epafrai, burra të lutjes.

4. Lutja për njerëzit tuaj shëmbëllen përparësinë që i jepnin asaj kishat e Dhiatës së Re.

Derdhja e Frymës së Shenjtë ditën e Rrëshajëve ishte përgjigje e një lutjeje. Udhëheqësit e krishterë më të hershëm, bashkë me rreth 100 ndjekës të Krishtit, po luteshin dhe po prisnin, kur Perëndia befas lëvizi me fuqi (Veprat 1-2). Të krishterët më të hershëm përkushtoheshin “në lutje” (Veprat 2:42), dhe me rritjen e kishës dhe kërkesës për udhëheqje, drejtuesit kuptuan që duhet të rimendonin prioritetet e tyre (Veprat 6). Neglizhenca e disa vejushave në kishë bëri që ata të kuptonin se nuk mund të bënin gjithçka.

Por cili duhej të ishte fokusi i tyre? A të fokusoheshin në bamirësi dhe administrim? Këto ishin mundësi të mira dhe frymërore (Romakëve 12:6-8), por udhëheqësit e kishës së hershme e dinin se diçka tjetër ishte më e mirë. Të drejtuar nga Fryma e Shenjtë, ata shpallën:

“Nuk është mirë për ne të lëmë fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza. Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilët do t’i vendosim në këtë detyrë. Kurse ne do të qëndrojmë duke iu kushtuar lutjes dhe shërbesës së fjalës”. (Veprat 6:2-4)

E vutë re çfarë ishte në listën e domosdoshmërive të apostujve? Studimi, mësimi i Fjalës, dhe lutja. Patjetër që kisha kolektive nuk mund t’i linte vejushat të vdisnin urie. Mirëpo Por drejtuesit e kuptuan që do të humbnin gjithçka nëse do të hiqnin dorë nga lutja. Gjithë bamirësia e nevojshme për kujdesin ndaj vejushave do të mbarohej, nëse drejtuesit nuk do të rimbusheshin me mëshirën e Perëndisë përmes lutjes për popullin e Perëndisë. Nëse duam të kemi shërbesa si të Dhiatës së Re, duhet të kuptojmë dhe të praktikojmë lutjen e Dhiatës së Re.

5. Lutja për njerëzit e Perëndisë do të bëjë që ata të ndryshojnë.

Ne, si pastorë, dëshirojmë t’i shohim njerëzit të rriten në përngjasim me Krishtin. Punojmë me predikime, pasi besojmë në fuqinë e Biblës për të ndryshuar jetë. Bëhemi shembull për tufën, pasi e dimë se njerëzit ndjekin udhëheqësit e tyre.

Por a lutemi? Dua ta them qartë se ne kemi nevojë për këshillim, predikim dhe mundësi trajnimi. Mirëpo të gjitha këto janë të kota pa fuqinë e Perëndisë të çliruar përmes nëpërmjet lutjes. Apostulli Pal e pa lutjen si mjetin kryesor në promovimin e shenjtërisë së popullit të Perëndisë. Prandaj, ai u lut:

…që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mençuri frymërore, që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqeni në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë, duke u fuqizuar me çdo fuqi, sipas pushtetit të lavdisë së tij, për çdo durim e zemërgjerësi, me gëzim (Kolosianëve 1:9-11)

Njohja, urtësia, mençuria frymërore, ndryshimi i jetës, fryti, forca, fuqia, ngulmi, durimi — çfarë mund të kërkosh më shumë se kaq! Për apostullin Pal, të gjitha këto vijnë te populli i Perëndisë përmes lutjes. Dhe sërish në librin e Filipianëve, Pali lutet:

…që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo perceptim, që të shqyrtoni cilat janë gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe të papenguar për ditën e Krishtit, të mbushur me fryte të drejtësisë që janë me anë të Jezu Krishtit, për lavdi e për lëvdim të Perëndisë. (Filipianëve 1:9-11)

Dashuria, njohuria, dallimi i më të mirës, pastërtia, të qenët të panjollë dhe me fryte të drejtësisë — për lavdi e lëvdim të Perëndisë. Përsëri, gjithë këto bekime vijnë prej lutjes. A i tregojnë këto tipare bashkësitë tona? Mbase jo, sepse “nuk lypni” (Jakobi 4:2). O Zot, na bëj të lutemi!

6. Lutja është mënyra se si njerëzit e zakonshëm bëjnë gjëra të jashtëzakonshme për Perëndinë.

Pleqtë e kishës sime janë përpjekur me vite të tëra t’i binden besnikërisht thirrjes së Perëndisë për t’u lutur për të sëmurët, në përputhje me Jakobin 5:14. Sa herë që mblidhemi me një prej shenjtorëve në vuajtje të Perëndisë për t’u lutur për shërimin e tyre, më inkurajon një varg i vetëm në librin e Jakobit. Ai na kujton: “Elia ishte një njeri njësoj si ne me pasione, dhe u lut duke kërkuar që të mos binte shi, edhe nuk ra shi mbi dhe për tre vjet e gjashtë muaj” (Jakobi 5:17). Gjithnjë e kam ndier vendosjen e këtij vargu në fund të kapitullit 5, si një mëshirë zemërbutë e Perëndisë.

Mendojeni pak! Jakobi sapo u ka thënë të sëmurëve të thërrasin pleqtë e kishës të luten për personin e sëmurë, me shpresën se ata do të shërohen. Duket që ata mendojnë se shërimi nuk do të vijë njëherë në hënë, por që është diçka të cilën duhet ta presim prej Perëndisë në jetën e zakonshme të kishës. Ai shkruan: “…lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta ngrejë atë”. Çfarë premtimi! Pleqtë po i kërkojnë Perëndisë të bëjë një mrekulli. Jakobi e di se pastori i zakonshëm do të mendojë: “Unë?! Por unë jam thjesht një njeri i zakonshëm!”. Jakobi e parashikon këtë kundërshtim duke e përmbyllur historinë e Elias: “Dhe u lut përsëri dhe qielli dha shi edhe dheu dha frytin e tij” (Jakobi 5:18).

Jakobi është duke thënë: “Ja, o pleq, ju jeni si Elia, ai që Perëndia përdori për të ndryshuar motin për tre vjet e gjysmë. Patjetër që Perëndia mund të përdorë një njeri të zakonshëm si ti për të bërë gjëra të jashtëzakonshme”. Sa inkurajuese! Nuk kemi përse të jemi të jashtëzakonshëm që Perëndia të bëjë gjëra të jashtëzakonshme nëpërmjet shërbesës sonë. Në vend të kësaj, duhet ta përqafojmë plotësisht dhe me gëzim normalitetin tonë, dhe të hidhemi në premtimet e jashtëzakonshme të Perëndisë.

Vëllezër, shpresoj që këto gjashtë arsye ta formojnë ndërgjegjen tuaj dhe ta drejtojnë zemrën tuaj për në pasionin dhe vendosmërinë më të thellë për t’u lutur. Jepuni pas lutjes për popullin tuaj. Përse të mos i kërkoni Perëndisë t’ju drejtojë tani në një vendosmëri të ripërtërirë për lutje ? Le të burojë fryti i bindjes prej një mendjeje të transformuar nga Fjala e Perëndisë (Romakëve 12:1-2). Lutja i jep lavdi Perëndisë, sipas shembullit të burrave të mëdhenj të së shkuarës, sipas pasqyrimit të prioritetit të kishës së hershme, duke i ndryshuar njerëzit tanë dhe duke u përdorur prej Perëndisë për të lejuar njerëzit e zakonshëm të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Na ndihmoftë Perëndia të lutemi!

* * * * *

Ky artikull është marrë i përshtatur nga një kapitull i librit “Pray for the Flock: Ministering God’s Grace through Intercession” (Zondervan, 2015).

 

Përktheu: Sergej Meçe / Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.9marks.org/article/a-call-for-prayer/


Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.

Më shumë të etiketuara si: