Jeta së bashku

Pesë arsye pse nuk dishepullojmë (Pjesa 4)

Artikull
08.21.2025

Në tre postimet e kaluara, kam sugjeruar katër arsye përse nuk dishepullojmë, pavarësisht se Krishti na e urdhëron këtë.

Arsyeja e pestë dhe e fundit se përse nuk dishepullojmë ka qenë nën sipërfaqe të çdo gjëje që kam shkruar deri më tani: kishat tona shumë shpesh kanë turp nga ungjilli dhe prandaj e marrin atë si të mirëqenë.

Para pak kohësh, më ftuan të flisja në një kishë afër Londrës. Numri i njerëzve po pakësohej, kështu që kisha po bënte ç’ishte e mundur për të tërhequr të rinj. Ata kishin shtuar një tjetër shërbesë në një orar më të përshtatshëm, po merrnin folës të ftuar nga i gjithë vendi, po shpenzonin para në marketing dhe kishin paguar një grup adhurimi që të vinte nga afërsisht 161 km larg.

Pata rastin të bisedoja me një anëtar të këndshëm të kësaj bashkësie mbi shkaqet e anëtarësisë së plakur dhe të lodhur të saj. “Kjo mund të jetë një pyetje e ndjeshme,” thashë unë, “por, si po shkon predikimi i ungjillit?”. Përgjigjja e tij erdhi bashkë me një buzëqeshje të vetëdijshme dhe paksa të sikletosur. “E po,” tha ai, “duhet t’u japim njerëzve atë që ata duan.”

Më solli në mendje fjalët e Martin Lloyd-Jones-it: “Po nuk i mbushi kishat predikimi [i ungjillit], le të qëndrojnë bosh”. Pse? Sepse një kishë që është mbushur me metodologji, me marketing apo muzikë, nuk është një kishë plot me dishepuj.

Është e vërtetë që këto gjëra mund të sjellin shtim të përkohshëm të njerëzve në kishë, por, siç shkruan dhe Mark Dever-i: “Rritja për të cilën flitet, nxitet dhe lutet në Dhiatën e Re, nuk është thjesht numerikerritje e numrit të njerëzve. Nëse kisha jote tani është me më shumë njerëz nga sa ka qenë disa vite më parë, a do të thotë kjo që ajo është kishë e shëndetshme? Jo detyrimisht” (Nëntë shenja të një kishe të shëndetshme, 201-202).

“Rritja” pa mësimin besnik dhe të rregullt të ungjillit, është një rritje pa thellësi. E gjerë sa oqeani dhe e thellë sa një pellg. Nëse duam thellësi po aq sa gjerësi, nuk ka tjetër si predikimi apo biseda e ngjyrosur në ungjill.

Edhe diçka të fundit. Ka një rrezik që edhe kishat e vetëshpallura me “ungjillin në zemër” ose “ungjillin në qendër”, e mbajnë ungjillin aq thellë në zemër, saqë në të vërtetë qëndron është i fshehur për të tjerët.

Mund ta përmendim emrin e Jezusit, fjalën “ungjill” dhe citimin e Fjalës së Perëndisë, thjesht sa për të kaluar radhën. Por, ndoshta nuk shkojmë kurrë aq larg sa t’i kujtojmë vërtet njëri-tjetrit se kush është Jezusi, çfarë ka bërë ai dhe çfarë domethënie ka kjo për ne. Ne mund të bëjmë gabimin fatal të marrjes së ungjillit thjesht të mirëqenë, në vend që ta shpallim atë me të vërtetë.

Shpresoj që të mos jetë kështu vërtet, por e kam parë këtë vazhdimisht në kisha të cilat e identifikojnë veten si Bibël-besuese dhe ungjillore. Në një udhëtim së fundi në Uells, kisha privilegjin t’i bashkohesha një grupi të vogël besimtarësh të mbledhur në një kishë të madhe dhe të zbukuruar në mënyrë kongregacionale. Mirëpritja ishte e ngrohtë dhe pothuajse shfajësuese: “Kam frikë se s’para kemi shumë të rinj këto ditë”. Pastori foli nga 1 e Timoteut 3 rreth mashtrimit të pasurisë. Ajo që u tha, ishte e vërtetë. Por, oh, çfarë u la pa thënë!

D. A. Carson-i, duke shkruar në Basics for Believers, bën këtë vëzhgim të urtë:

Në një pjesë të vogël të ungjillëzimit perëndimor, ka një tendencë shqetësuese për t’u përqendruar fokusuar në periferi. Kolegu [im]… Dr. Paul Hiebert… buron nga trungu i menonitëve dhe analizon trashëgiminë e tij në një mënyrë që ai vetë do ta njihte si diçka të një karikature të thjeshtë, por gjithsesi të dobishme. Një brez i menonitëve besuan në ungjill dhe e dinin gjithashtu që kishte pasoja sociale, ekonomike dhe politike. Brezi tjetër morën ungjillin të mirëqenë, por u identifikuan me pasojat. Brezi pas këtij e mohuan ungjillin: “pasojat” u bënë gjithçka. Duke supozuar këtë lloj skeme për ungjillëzimin, dikush mund të dyshojë se pjesë të mëdha të lëvizjes kanë ngecur në hapin e dytë dhe disa që po rrëshqasin tek i treti.

Kjo nuk është një lutje delikate për… një ungjill pa pasoja sociale. Rilexojmë me urtësi dëshmitë e “Rizgjimit Ungjillor” në Angli dhe të “Rizgjimit të Madh” në Amerikë, si dhe shërbesat e jashtëzakonshme të Howell Harris-it, George Whitefield-it, vëllezërve Wesley, dhe të të tjerëve. Me të drejtë i kujtojmë vetes se si nën ndikimin e Perëndisë, konvertimet e tyre udhëhoqën luftimet për heqjen e skllavërisë, reformimin e kodit penal, fillimin e bashkimeve tregtare, transformimin e burgjeve dhe ç’lirimin e fëmijëve nga puna në miniera. E gjithë shoqëria u transformua, sepse burra dhe gra, me të vërtetë të konvertuar, panë se jeta duhet të jetohet nën ndikimin e Perëndisë dhe në një mënyrë që e kënaq atë.

Por pa as edhe një përjashtim, këta burra dhe gra e vendosën ungjillin të parin në jetën e tyre. Ata u gëzuan në të, e predikuan, çmuan leximin e Biblës dhe shtjellimin që ishte fokusuar në Krishtin dhe në ungjillin, dhe nga këto baza vazhduan më tej në rendin më të gjerë social. E thënë shkurt, ata vendosën ungjillin të parin në synimet e tyre dhe jo të fundit. Të mos e shohësh këtë si prioritet, do të thotë të jesh një brez larg nga mohimi i ungjillit. (26-28, theksimi im)

Nëse vrojtimi i Carson-it është i vërtetë, ne nuk kemi vetëm një përgjegjësi për bashkësinë tonë të tanishme, por edhe për bashkësitë e së ardhmes.

Në shekullin e XIX-të, predikuesi Charles Spurgeon-i identifikoi një çështje të ngjashme:

Unë besoj se ato predikime që janë të mbushura me Krishtin kanë më shumë gjasa të jenë bekim në konvertimin e dëgjuesve. Qofshin predikimet tuaja të mbushura me Krishtin, nga fillimi në fund të ngjeshura me ungjillin. Sa për veten time vëllezër, unë nuk mund të predikoj asgjë tjetër përveç Krishtit dhe kryqit të Tij, sepse nuk di gjë tjetër, dhe vendosa shumë kohë më parë, që ashtu si apostulli Pal, të mos di gjë tjetër veç Jezu Krishtit dhe Atij të kryqëzuar.

Njerëzit më kanë pyetur shpesh: “Cili është sekreti i suksesit tënd?” Unë gjithmonë përgjigjem se nuk kam sekret tjetër përveç kësaj, se kam predikuar ungjillin, -jo rreth ungjillit, por ungjillin… (Soul Winner, 35, theksimi im)

Motra dhe vëllezër, në dishepullimin tonë ndaj të tjerëve – qoftë nga podiumi apo nga bisedimet e përditshme – a mos po e marrim thjesht të mirëqenë ungjillin? A flasim për ungjillin pa e shpjeguar se çfarë është ai në të vërtetë? A kemi turp prej tij, të paktën në mënyrë funksionale?

Dishepullimi i gjerë e i thellë, të cilin e duam në kishat tona, do të vijë vetëm kur ne të mos e marrim më të mirëqenë ungjillin dhe ta shpallim atë me të vërtetë.

 

Botuar me leje nga: https://www.9marks.org/article/5-reasons-we-dont-disciple-part-4/
Përktheu: Sergej Meçe
Redaktoi: Linea Simeon


Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.

Më shumë të etiketuara si: