Jeta së bashku

Si e formon Darka e Zotit kishën lokale

By Bobby Jamieson

Bobby Jamieson është zëvendëspastori i kishës Baptiste Capitol Hill Baptist në Washington, DC. Ai është shkrimtar dhe së fundi ka shkruar “Jesus' Death and Heavenly Offering in Hebrews”. E gjeni në Twitter në @bobby_jamieson.
Article
12.17.2021

Kur martohet një çift, në fakt? A ndodh kur thonë “Po”? Kur pastori i shpall burrë dhe grua? Apo kur e konsumojnë martesën?

Ka kuptim të themi se secili prej këtyre momenteve është thelbësor në formimin e një martese. Por secili prej tyre varet nga të tjerët. Kjo është arsyeja pse, nëse një martesë nuk konsumohet kurrë, në njëfarë kuptimi çifti nuk është ende plotësisht i martuar. Ky dallim ka peshë ligjore; prishja e një lidhjeje të tillë konsiderohet anulim dhe jo divorc.

Ç`lidhje ka kjo vallë me Darkën e Zotit? Mua më duket se shumë të krishterë e mendojnë Darkën e Zotit si një përkushtim privat të intensifikuar. Shkoj në kishë, dëgjoj Fjalën, ha bukën dhe pi verën, kujtoj vdekjen e Krishtit dhe faljen e mëkateve të mia, kthehem në shtëpi. Sigurisht, ne gjithashtu e lidhim Darkën e Zotit me kishën, të paktën si diçka që e bëjmë kur “shkojmë në kishë”. Gjithsesi, shumica e të krishterëve nuk shkojnë më larg se kaq, kur bie fjala për lidhjen e Darkës së Zotit me kishën lokale.

Në fakt, unë dua të argumentoj që Darka e Zotit luan një rol thelbësor në formimin e kishës. Kremtimi i Darkës së Zotit së bashku është një hap thelbësor, i cili e bën kishën të jetë kishë. Në një kuptim tepër domethënës, Darka e Zotit është momenti kur një grup të krishterësh bëhen një trup. Darka e Zotit i bën të shumtët një.

Po fokusohem te kjo ide për dy arsye. Së pari, për shkak se është neglizhuar së tepërmi mes të krishterëve ungjillorë. Mendoj se Pali na mëson qartë se Darka e Zotit bashkon shumë veta në një, sikurse do ta shohim pas pak. Por shumë pak pastorë dhe kisha duket se e kapin idenë e Palit dhe pak e lejojnë atë t’u japë formë pikëpamjeve të tyre rreth Darkës së Zotit dhe kishës. Së dyti, mënyra se si Darka e Zotit e bën një kishë lokale, është thelbësore për shumë nga pyetjet praktike me të cilat do të përballen pastorët dhe kishat: Kush mund të marrë pjesë në Darkën e Zotit? Kush duhet ta udhëheqë? Në cilat takime të ngjashme me ato të kishës është e lejuar të kremtohet?

Për të menduar me urtësi rreth mënyrës se si ta kremtojmë Darkën e Zotit, kemi nevojë ta vendosim mirë këtë lente historike para syve tanë.

SI I BËN DARKA E ZOTIT TË SHUMTËT NJË

Kujtoni fjalët e Palit te 1 e Korintasve 10:16-17: “kupa e bekimit, që ne bekojmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në gjakun e Krishtit? Buka që ne thyejmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në trupin e Krishtit?” Pali u kujton korintasve që ngrënia e bukës dhe pirja e kupës do të thotë të shijosh bashkësi me Krishtin, të përjetosh përfitimet e vdekjes së Tij.

Nga kjo bashkësi “vertikale” mes Krishtit dhe besimtarëve, Pali nxjerr një konkluzion “horizontal” në vargun 17: “Sepse ne të shumtët, jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë.” Deklarata qendrore e Palit në këtë varg është që ne që jemi shumë, jemi një trup. Ai e mbështet apo e themelon këtë deklaratë dy herë duke iu referuar pjesëmarrjes tonë të përbashkët në Darkën e Zotit: “Jemi një bukë… sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë.” Fakti që Pali e përsërit këtë arsye dy herë, na ruan nga të parit e bukës thjesht si përfaqësim, apo portretizim të unitetit të kishës. Në vend të kësaj, Pali e themelon unitetin e kishës mbi kremtimin e Darkës së Zotit nga kisha. Ka një trup, për shkak se ka një bukë.

Pali po thotë se Darka e Zotit në fakt i bën të shumtët një. Darka e Zotit na mbledh “ne që jemi shumë” dhe na bën një trup. Me fjalë të tjera, Darka e Zotit themelon kishën lokale. Sigurisht, ideja e Palit nuk ka të bëjë me anën mekanike të bukës dhe të ngrënies, sikur një kishë më e madhe që ka nevojë për më tepër se një bukë për të kremtuar Darkën e Zotit, të mos ishte më një kishë, por shumë të tilla. Në vend të kësaj, Pali përdor “një bukë” si shprehje e kremtimit të Darkës së Zotit në kishë, në mënyrë të përbashkët dhe si një e tërë. Ideja e Palit është që në Darkën e Zotit, për shkak se të gjithë kemi pjesë së bashku në Krishtin, uniteti ynë në Krishtin krijon trupin e bashkuar të kishës.

Me fjalë të tjera, Darka e Zotit është shenja e betimit të ripërtëritjes së besëlidhjes së re. Në Darkën e Zotit, ne ripërtërijmë përkushtimin tonë ndaj Krishtit dhe ndaj njëri-tjetrit. Ky përkushtim i dyfishtë është ai që e bën kishën të jetë kishë.

KISHA LOKALE, NË DY HAPA

Perëndia krijon një kishë lokale në dy hapa. Në hapin e parë, Ai krijon të krishterë. Si? Ai dërgon predikues për të shpallur Krishtin (Romakëve 10:14-17). Ai dërgon Frymën e Tij për t’i aftësuar disa që dëgjojnë, ta pranojnë dhe rrëfejnë Krishtin (1 e Korintasve 12:3). Ai bën që Fjala e Tij të bëhet e efektshme në jetët e tyre, duke iu dhënë jetë të re në Krishtin (Jakobi 1:18). Perëndia e krijon kishën e Tij duke dërguar Fjalën e Tij dhe duke dërguar Frymën e Tij që ta bëjë të efektshme Fjalën e Tij. Perëndia krijon njerëz të ungjillit, njerëz të cilët janë shpëtuar përmes besimit në Krishtin. Ky është hapi i parë.

Kur njerëzit vijnë te Krishti, bëhen anëtarë të trupit të Tij universal. Ata janë frymërisht një me Të. Por, në mënyrë që të krijohet një kishë, njerëzit duhet të vijnë jo vetëm te Krishti por edhe te njëri-tjetri. Ata duhet të vijnë bashkë, dhe kjo ardhje bashkë kërkon një përkushtim. Një kishë lokale nuk vjen automatikisht në ekzistencë kurdoherë që dy apo më shumë të krishterë janë në të njëjtin qytet, apo në të njëjtën dhomë. Përndryshe, sa herë që do të rastisnit me një të krishterë tjetër në një dyqan, do të shfaqej një kishë e re, e cila do të zhdukej po aq shpejt sa të kaloni në anën tjetër të rafteve. Një kishë është shumë më tepër sesa thjesht “të krishterë” në numrin shumës. Kisha është më tepër se shuma e pjesëve të saj. Duhet të ketë diçka që i lidh njerëzit së bashku.

NJERËZIT E UNGJILLIT & QEVERISJA E UNGJILLIT

Prandaj, në mënyrë që të krijohet një kishë, njerëzit e ungjillit duhet të formojnë një qeverisje ungjilli. Një kishë lind kur të krishterët përkushtohen, për të qenë një kishë së bashku. Ky është hapi i dytë. Mendoni sërish për shembullin e martesës. Martesa lind kur një burrë dhe një grua përkushtohen të jenë bashkëshort dhe bashkëshorte. Betimi krijon martesën. Në mënyrë të ngjashme, një kishë lind kur një grup të krishterësh i përkushtohen njëri-tjetrit, për të bërë gjithë sa Jezusi urdhëroi që kishat e Tij të bëjnë së bashku: të mblidhen për të adhuruar, ta ndërtojnë njëri-tjetrin në dashuri, të mbajnë barrët e njëri-tjetrit, të kremtojnë së bashku pagëzimin dhe Darkën e Zotit. 

E gjithë kjo është ende puna e Perëndisë, përderisa është puna e Tij shpëtuese dhe fuqizuese ajo që e aftëson reagimin tonë të duhur ndaj ungjillit, duke përfshirë këtu edhe reagimin e duhur të përkushtimit ndaj njëri-tjetrit. Puna e Perëndisë dhe puna jonë nuk janë në konkurrencë. Ne mund të vijmë së bashku si të krishterë, vetëm sepse Perëndia së pari na ka bërë të krishterë. Perëndia krijon një kishë duke krijuar të krishterë, dhe duke i aftësuar ata të krishterë të përkushtohen ndaj njëri-tjetrit.

PAGËZIMI DHE DARKA E ZOTIT

Si ushtrohet saktësisht ky përkushtim prej një grupi të krishterësh? Porositë e pagëzimit dhe Darkës së Zotit luajnë role thelbësore. Në pagëzim, përkushtohesh publikisht ndaj Krishtit dhe popullit të Tij. Pagëzimi është momenti kur besimi bëhet publik. Kjo është mënyra se si një besimtar i ri shfaqet si besimtar në botë dhe në radarin e kishës. Me fjalë të tjera, pagëzimi e shënjon një besimtar nga bota. Në pagëzim, kisha i thotë botës: “Ky person i përket Jezusit!”

Në Darkën e Zotit, ne ripërtërijmë përkushtimin tonë ndaj Krishtit dhe popullit të Tij. Por, në dallim me pagëzimin, Darka e Zotit është diçka të cilën e bëjmë të gjithë së bashku. Darka e Zotit shënjon një grup të tërë të krishterësh si një trup, duke hequr kështu një vijë mes tyre dhe botës përreth. Duke hequr një vijë mes kishës dhe botës, pagëzimi dhe Darka e Zotit heqin një vijë përreth kishës. Këto dy porosi bëjnë të mundur të tregojmë diçka dhe të themi “kisha”, në vend që të tregojmë shumë gjëra dhe të themi “të krishterët”.

Përfytyro një të krishterë që shkon në një qytet të ri, predikon ungjillin, dhe një grusht njerëzish vijnë në Krishtin rreth të njëjtës kohë. Ky i krishterë i ri pagëzon secilin prej tyre. Si dhe kur do të bëhen një kishë ky grusht të krishterësh? Do të thoja se përgjigjja me themelore dhe më thelbësore është kjo: kur ata të kremtojnë Darkën e Zotit së bashku. Mbaj mend se kremtimi i Darkës së Zotit shpreh përkushtimin tonë ndaj Krishtit dhe ndaj njëri-tjetrit. Të marrësh përfitimet e Krishtit në Darkën e Zotit, do të thotë t’i pranosh njerëzit e Krishtit si vëllezër dhe motra. Në vetë Darkën e Zotit ne marrim përkushtimin ndaj njëri-tjetrit, gjë e cila na çon përtej pragut mes “një grusht të krishterësh” dhe “një kishë lokale”. Në vetë Darkën e Zotit ne vijmë së bashku si një trup. Sikurse thotë edhe Pali: “Sepse ne të shumtët, jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë” (1 e Korintasve 10:17).

Për t’u treguar të matur, mendoj se në përgjithësi është me vend që kishat të qartësojnë se çfarë po bëjnë, kur shpallen për herë të parë si kishë përmes një zotimi gojor, që anëtarët bëjnë ndaj njëri-tjetrit. Në traditat Baptiste dhe Kongregacionaliste kjo shpesh quhet “besëlidhje kishe”, dhe nganjëherë konfirmohet nga e gjithë kisha, sa herë që kremtojnë Darkën e Zotit. Mendoj se kjo është një praktikë shumë e mirë. Por nuk është se përkushtimet gojore krijojnë kishën veçmas pjesëmarrjes tonë të përbashkët në Darkën e Zotit. Përkundrazi, përkushtimi i qartë gojor ndaj një besëlidhjeje kishe thjesht e bën të qartë atë që nënkuptohet në Darkën e Zotit. Një besëlidhje gojore kishe na ndihmon në të kuptuarit tonë, na kujton saktësisht se çfarë po bëjmë, kur marrim pjesë së bashku në elementet e bukës dhe verës.

Sërish, mendoj se fillimi i një kishe është paksa i ngjashëm me fillimin e një martese. Analogjia nuk është e përsosur, sikurse ndodh gjithmonë, por na ndihmon shumë. Një martesë lind kur një burrë dhe një grua shpallin betimet, një pastor apo një zyrtar ligjor i shpall të martuar, dhe çifti e konsumon martesën e tyre. Betimi “Po” nis marrëdhënien e re, por ajo marrëdhënie e re nuk konfirmohet derisa bashkëshorti dhe bashkëshortja e vulosin bashkimin e tyre fizikisht.

Në mënyrë të ngjashme, një mbledhje besimtarësh nuk është një kishë lokale derisa ta vulosin bashkimin e tyre me njëri-tjetrin përmes Darkës së Zotit. Nëse një grup besimtarësh që synojnë të jenë një kishë, nuk e kremton kurrë së bashku Darkën e Zotit, jo vetëm që nuk po i binden Jezusit, por në njëfarë kuptimi real ata nuk janë ende një kishë. Darka e Zotit konsumon përkushtimin, përmes të cilit të krishterët bëhen një kishë.

Si e krijon Darka e Zotit një kishë? Bashkë me pagëzimin, Darka e Zotit është mënyra si njerëzit e ungjillit formojnë një qeverisje të ungjillit. Darka e Zotit është mënyra si të krishterët vijnë së bashku, përkushtohen ndaj njëri-tjetrit, dhe e kalojnë pragun nga “shumë” në “një.” Në Darkën e Zotit, bashkësia jonë me Krishtin krijon bashkësi me njëri-tjetrin. Darka e Zotit bën të shumtët një.

THJESHTËSI E MAHNITSHME

Ekziston një thjeshtësi e mahnitshme në projektimin e Perëndisë për kishën. Çfarë kërkohet për të bërë një kishë? Predikimi i ungjillit, i cili krijon njerëz të ungjillit, të cilët marrin pjesë në porositë e ungjillit. Forma që ungjilli dhe porositë e tij i japin popullit të Perëndisë, quhet kishë. Pagëzimi bashkon një me shumë, dhe Darka e Zotit bashkon shumë në një.

Pagëzimi dhe Darka e Zotit skalitin ungjillin në vetë formën dhe strukturën e kishës. Ato që bëjnë të shumtët në një, janë shenjat e ungjillit. Kur të krishterët vijnë së bashku për të formuar një kishë, nuk po shkojnë përtej ungjillit, por më thellë në të.


Ky artikull u përshtat nga libri i ri i Bobby Jamieson Understanding the Lord’s Supper, në serinë “Church Basis” (B&H, 2016).


Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

 

©️ dritez.al 2020


Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.