Jeta së bashku

Si t’i mbijetosh një krize kulturore

By Mark Dever

Mark Dever është pastori kryesor në Kishën Baptiste Capitol Hill në Washington, D. C. dhe president i 9marks. E gjeni në Twitter në @MarkDever.
Article
12.17.2021

Opinioni publik duket se po ndryshon në lidhje me martesën mes të njëjtës gjini, sikurse po ndryshojnë edhe ligjet e kombit tonë. Sigurisht që ky ndryshim është thjesht një i vetëm në një konstelacion më të madh. Pikëpamjet e Amerikës dhe të botës perëndimore rreth familjes, dashurisë, seksualitetit në përgjithësi, tolerancës, Perëndisë, dhe shumë gjërave të tjera duket sikur po shtyhen në drejtime, që i vendosin në pozita mbrojtëse të krishterët që besojnë Biblën.

Është e lehtë të ndihemi sikur jemi bërë “shkelësit moralë” më të rinj, e thënë kjo nga Al Mohler. Të qëndrosh për parimet historike të krishtera, do t’ju futë gjithnjë e më tepër në telashe sociale dhe ndoshta ekonomike, dhe mbase një ditë edhe në telashe kriminale. Është ironike që të krishterëve u thuhet të mos i sforcojnë pikëpamjet e tyre tek të tjerët, ndërkohë që kërcënohen me humbjen e vendit të punës, për shkak se nuk po ndjekin vijën e re të partisë.

Në gjithë këtë situatë, të krishterët tundohen t’i zërë paniku, ose të flasin si njerëz të alarmuar. Por duke vepruar kështu, ne po tregojmë se kemi përqafuar një krishterim nominal dhe jo biblik.

Ja, pra, ku janë shtatë parime për t’i mbijetuar ndryshimeve shumë reale kulturore, me të cilat po ballafaqohemi tani.

  1. Kujtoni se kishat ekzistojnë që të punojnë për një ndryshim të mbinatyrshëm.

I gjithë besimi i krishterë bazohet tek ideja që Perëndia i merr njerëzit frymërisht të vdekur dhe u jep atyre jetë të re. Kurdoherë që ungjillëzojmë, jemi duke ungjillëzuar në varreza.

Nuk ka pasur kurrë një kohë apo një kulturë, kur të ketë qenë e natyrshme të pendohesh për mëkatet e tua. Ajo kulturë nuk ekziston, nuk ka ekzistuar dhe nuk do të ekzistojë kurrë. Të krishterët, kishat dhe në mënyrë të veçantë pastorët duhet ta dinë në thellësi të qenies së tyre se gjithmonë kemi qenë të përfshirë në një punë të mbinatyrshme.

Nga ky pikëvështrim, ndryshimet e fundit kulturore e kanë bërë punën tonë zero për qind më të vështirë.

  1. Kuptoni që përndjekja është normale.

Gjatë muajve të fundit kam predikuar nga Ungjilli sipas Gjonit, dhe disa njerëz më kanë falënderuar që kam nxjerrë në pah temën e përndjekjes. Por nuk jam i bindur se predikimi im ka ndryshuar; mendoj se dëgjimi i njerëzve ka ndryshuar. Ndodhitë e fundit në sferën publike i kanë bërë njerëzit të shqetësohen për atë që i pret të krishterët. Por nëse do të ktheheshit të dëgjonit predikimet e mia të kaluarapër shembull, një seri që kam predikuar në vitet 1990 rreth 1 e Pjetritdo të zbulonit se ekspozimi i zakonshëm biblik do të thotë ta ngresh temën e përndjekjes herë pas here.

Përndjekja është ajo me të cilën të krishterët përballen në këtë botë të rënë. Kjo është ajo që Jezusi na premtoi (p. sh. Gjoni 16).

Mund të jetë që në provaninë e Perëndisë disa të krishterë ta gjejnë veten në rrethana ku, edhe nëse e përkushtojnë jetën e tyre për t’iu bindur Jezusit, nuk do të përballen me tallje apo përndjekje. Por mos u mashtroni nga ndërtesat e bukura, në të cilat takohen shumë kisha. Jezusi që ne ndjekim u ekzekutua si armik i shtetit.

Kohët e fundit, një nga bashkëpastorët e mi vëzhgoi se në historinë e përndjekjes së krishterë shpesh janë gjërat dytësore dhe jo ungjilli ato që nxitin përndjekje. Përndjekësit nuk thonë: “Ti beson në ungjillin e Jezu Krishtit, prandaj tani do të të përndjek.”

Përkundrazi, mund të jetë një praktikë apo besim që ne si të krishterë e kemi, gjë e cila bie ndesh me atë që njerëzit duan apo që kërcënon mënyrën se si ata e shohin botën. Prandaj dhe na kundërshtojnë.

Sërish, në varësi të reagimit tonë ndaj ndryshimeve kulturore, me panik apo alarm, në po atë masë biem ndesh me mësimin e Biblës në lidhje me dishepullimin e zakonshëm të krishterë. Kjo do të thotë se kemi përqafuar normalitetin e të qenët të krishterë nominal.

Pastorët, sidomos, duhet të japin shembullin, duke i mësuar bashkësisë që të mos luajnë rolin e viktimës. Predikimi dhe mësimi ynë i rregullt duhet të kripet me faktin që përndjekja është diçka normale. Puna e udhëheqësit është që ta përgatisë kishën për mënyrën se si mund ta ndjekim Jezusin, edhe nëse kjo do të thotë që do të përjetojmë kriticizëm shoqëror, humbje privilegji, ndëshkime financiare, apo ndjekje kriminale.

  1. Shmanguni nga utopizmi.

Të krishterët duhet të jenë njerëz të dashurisë dhe drejtësisë, dhe kjo do të thotë që gjithmonë duhet të përpiqemi që ta bëjmë cepin tonë të vogël të globit pak më të mirë nga sa e gjetëm, qoftë kjo një grup fëmijësh kopshti, apo një mbretëri. Por edhe ndërsa punojmë për hir të dashurisë dhe drejtësisë, duhet të mbajmë mend që nuk do ta transformojmë këtë botë në mbretërinë e Krishtit tonë.

Perëndia nuk na ka porositur që ta bëjmë këtë botë të përsosur; ai na ka porositur që më së shumti të drejtojmë njerëzit drejt Atij që një ditë do ta bëjë botën të përsosur, edhe nëse tretim jetën tonë duke dashur dhe duke bërë të mira. Nëse tundoheni nga utopizmi, ju lutem vini re që Shkrimi nuk e lejon këtë gjë, dhe që historia e utopizmit ka një vazhdë provash që ka shpërqendruar dhe mashtruar madje edhe disa prej ndjekësve më të zellshëm të Krishtit.

Është gjë e mirë të ndiejmë trishtim, për shkak të aprovimit në rritje që i jepet mëkatit në kohën tonë. Por një nga arsyet pse të krishterët në mënyrë të veçantë në Amerikë ndihen të zhgënjyer në lidhje me ndryshimet e tanishme kulturore, është se ne kemi qenë disi utopikë në shpresat tona. Sërish, në atë masë që ju mendoni dhe flisni si njerëz të alarmuar, ju demonstroni që mund të kenë qenë supozimet utopike ato që ju kanë motivuar gjithë kohën.

  1. Shfrytëzoni administrimin tonë demokratik.

Do të ishte e trishtueshme, nëse nga komentet e mia dikush do të dilte në përfundimin se nuk ka rëndësi se çfarë bëjnë të krishterët publikisht apo në lidhje me shtetin. Pali na thotë t’i nënshtrohemi qeverisë. Por në kontekstin tonë demokratik, pjesë e nënshtrimit ndaj shtetit do të thotë që kemi pjesë në autoritetin e tij. Dhe nëse kemi pjesë në autoritetin e tij, në njëfarë mënyrë mund të kemi pjesë gjithashtu edhe në tiraninë e tij. Të neglizhosh procesin demokratik, për aq sa kjo është në dorën tonë, do të thotë të neglizhojmë një administrim që na është besuar.

Nuk mund të krijojmë dot Utopi, por kjo nuk do të thotë se s`mund të jemi administratorë të mirë të asaj që kemi, apo që s`mund t’i përdorim proceset demokratike për t’i bekuar të tjerët. Për hir të dashurisë dhe drejtësisë, duhet ta shfrytëzojmë administrimin tonë demokratik.

  1. Besojini Zotit, jo rrethanave njerëzore.

Nuk ka pasur kurrë një sërë rrethanash, përmes të cilave të krishterët nuk mund t’i besojnë Perëndisë. Vërtet bukur, Jezusi i besoi Atit përgjatë kryqit “për gëzimin që gjendej para tij” (Hebrenjve 12:2). Asnjë gjë me të cilën do të përballemi unë dhe ti, nuk do të krahasohet dot me atë që Mbretit iu desh të vuante.

Ne mund t’i besojmë atij. Ai do ta tregojë veten besnik përmes gjithçkaje që mund të na duhet të durojmë. Ndërsa i besojmë atij, do të japim një dëshmi të bukur rreth mirësisë dhe fuqisë së Perëndisë, dhe do t’i sjellim Atij lavdi.

  1. Kujtoni se gjithçka që kemi është hir i Perëndisë.

Duhet të kujtojmë se çdo gjë që marrim, përveç ferrit, është një arsye që të krishterët të hedhin valle. Apo jo? Gjithçka që ka një i krishterë, është krejtësisht prej hirit. Duhet ta ruajmë atë perspektivë, në mënyrë që të mos tundohemi të bëhemi tepër të hidhëruar me punëdhënësin tonë, me miqtë tanë, me anëtarët e familjes dhe me qeverinë tonë, kur ata na kundërshtojnë.

Si ishte në gjendje Pali të këndonte në burg? Ai e dinte nga çfarë ishte falur. E dinte se çfarë lavdie e priste. I kuptoi dhe i çmoi realitete kaq të mëdha.

  1. Prehuni në sigurinë e fitores së Krishtit.

Portat e ferrit nuk do të fitojnë kundër kishës së Jezu Krishtit. Nuk ka pse të kemi frikë dhe të dridhemi sikur pas gjithë këtyre mijëvjeçarëve, Satani të ketë marrë përfundimisht epërsi në kundërshtimin e Perëndisë përmes lobimit për martesën mes të njëjtës gjini.

“Oh, këtu mund të humbasim përfundimisht!” Jo, nuk ka shanse.

Njerëzit përreth botës tani dhe përgjatë historisë kanë vuajtur shumë më tepër nga sa vuajnë tani të krishterët në Amerikë apo në botën perëndimore. Por ne nuk hamendësojmë që në ato raste Satani pati epërsinë, apo jo?

Çdo komb dhe epokë ka një mënyrë të veçantë, për ta shprehur shthurjen e vet në sulmin e tyre kundër Perëndisë. Por asnjë nuk do të ketë sukses, ashtu sikurse edhe kryqëzimi nuk pati sukses në mposhtjen e Jezusit. Po, ai vdiq. Por tri ditë më pas ai u ringjall prej së vdekurish.

Mbretëria e Krishtit nuk është në rrezik për dështim. Sërish, të krishterët, kishat dhe në mënyrë të veçantë pastorët duhet ta dinë këtë gjë në thellësi të qenies së tyre. Dita D ka ndodhur. Tani është koha e pastrimit. As edhe një person i vetëm, të cilin Perëndia e ka zgjedhur ta shpëtojë, nuk ka për të dështuar të shpëtohet, për shkak se agjenda laike është “duke fituar” në kohën dhe vendin tonë. Nuk duhet të ketë ankth apo dëshpërim brenda nesh.

Mund të mos jemi në gjendje t’i mundim të tjerët me argumente. Ata mund të mos binden nga librat dhe artikujt tanë. Por ne mund t’i duam me dashurinë e mbinatyrshme që Perëndia na ka treguar neve në Krishtin. Mund ta bëjmë të njohur Fjalën e tij sot: me përulësi, siguri dhe gëzim.


Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© dritez.al 2020


Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.

More articles tagged as: