Predikimi & Teologjia

Teologjia biblike dhe adhurimi i përbashkët

Nga Bobby Jamieson

Bobby Jamieson është zëvendëspastori i kishës Baptiste Capitol Hill Baptist në Washington, DC. Ai është shkrimtar dhe së fundi ka shkruar “Jesus' Death and Heavenly Offering in Hebrews”. E gjeni në Twitter në @bobby_jamieson.
Artikull
08.21.2025

Çfarë bëjmë saktësisht kur mblidhemi si kisha për adhurim? Si e dimë se çfarë duhet të bëjmë në ato mbledhje të përjavëshme?

Në mënyrë të natyrshme të krishterët ungjillorë shkojnë te Shkrimi për të gjetur udhëzim rreth këtyre pyetjeve, por pyetja është në cilin vend të Shkrimit të shohim? Në Dhiatën e Vjetër ka shumë gjëra rreth adhurimit – rreth lutjes dhe flijimeve, rreth koreve dhe cimbaleve e shumë më tepër. Pyetja është nëse i gjithë ai material vlen për mbledhjet e besimtarëve të besëlidhjes së re?

Ajo që kemi nevojë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve është një teologji biblike e adhurimit.[1] Teologjia biblike është disiplina që na ndihmon të gjurmojmë si unitetin ashtu dhe larminë, si vazhdimësinë ashtu dhe shkëputjen, në vijën gjarpëruese historike të Shkrimit.

Në këtë artikull do të skicoj, shumë shkurtimisht, një teologji biblike të adhurimit të përbashkët. Këtë gjë do ta bëjmë me katër hapa: (1) adhurimi i përbashkët në Dhiatën e Vjetër; (2) përmbushja në Krishtin; (3) adhurimi i përbashkët në Dhiatën e Re; (4) leximi i të gjithë Biblës për adhurim të përbashkët.

1. Adhurimi i përbashkët në Dhiatën e Vjetër

Që nga koha kur populli i Perëndisë u dëbua nga prania e tij pas rënies në mëkat te Zanafilla 3, Perëndia ka qenë duke punuar për t’i kthyer ata sërish tek vetja e tij.[2] Prandja, kur Izraeli po vuante në skllavëri në Egjipt, Perëndia i çliroi jo vetëm që të ishin të lirë nga shtypja, por që ata ta adhuronin atë në praninë e tij (Eksodi 3:12, 18). Perëndia e nxori popullin e tij nga Egjipti dhe si solli në vendin e banimit të tij (Eksodi 15:13, 17).

Ku është ai vend banimi? Në fillim, është tabernakulli, tenda e imtësishme në të cilën priftërinjtë do të ofronin flijime për mëkatet dhe papastërtitë e popullit. Tek Eksodi 29:44-46 lexojmë:

Kështu unë do të shenjtëroj çadrën e mbledhjes dhe altarin; do të shenjtëroj gjithashtu Aaronin dhe bijtë e tij, që të më shërbejnë si priftërinj. Do të banoj në mes të bijve të Izraelit dhe do të jem Perëndia i tyre. Dhe ata do të mësojnë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre, që i nxori nga vendi i Egjiptit për të banuar midis tyre. Unë jam Zoti, Perëndia i tyre.

Synimi i Eksodit ishte që Perëndia të banonte mes popullit të tij, dhe ai e bën këtë gjë përmes vendit të shenjtë (tabernakullit) dhe njerëzve (priftërisë) që ai caktoi për atë qëllim.

Kur Perëndia e nxorri Izraelin nga Egjipt, ai i mori pranë vetes si popullin e tij. Mënyra se si ai e konfirmoni këtë marrëdhënie me Izraelin ishte duke përfunduar një besëlidhje me ta, e cila shpesh është quajtur “Besëlidhja e Moisiut.” Tek Eksodi 19 Zoti i kujton popullit të tij atë që ai ka bërë për ta kur i çliroi nga Egjipti, dhe pastaj premton që nëse ata u binden kushteve të besëlidhjes së tij, ata do të jenë thesari i tij i veçantë (Eksodi 19:1-6).

 

Zoti e konfirmoi këtë besëlidhje me popullin tek Eksodi 14, dhe të gjitha ligjet e Eksodit, Levitikut, Numrave dhe Ligjit të Përtërirë shtjellojnë kushtet e kësaj besëlidhjeje. Të gjitha këto hollësi specifikojnë se si duhet të jetojë populli i Perëndisë me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin brenda kësaj besëlidhjeje specifike që Perëndia ka bërë me ta.

Prandaj, flijimet e hollësishme dhe ritualet e pastrimit të përshkruara te Levitiku janë mjeti për riparimi e thyerjeve të bashkësisë së besëlidhjes. Kulti kishte për qëllim ruajtjen e besëlidhjes.

Disa herë në vit të gjithë izraelitët u urdhëruan të mblidheshin bashkë para Zotit në tabernakullin e tij, për festat e Pashkës, fryteve të para, e kështu me radhë (Levitiku 23). Përveç këtyre festave, oferimi i rregullt i flijimeve kryhej nga priftërinjtë, dhe izraelitët vinin në tabernakull (dhe më vonë në tempull) vetëm kur kishin nevojë të ofronin një flijim specifik për mëkatin apo papastërtinë.

Me fjalë të tjera, për Izraelin, adhurimi i përbashkët ishte një rast i veçantë disa herë në vit. Adhurimi i kuptuar si përkushtim ekskluziv ndaj Zotit ishte diçka të cilën izraelitët ishin thirrur ta praktikonin gjithë kohën (Ligji i Perëtërirë 6:13-15). Por në kuptimin e të paturit hyrje intime në praninë e Perëndisë, adhurimi ishte i kufizuar në njerëz, vende dhe kohë të veçanta. Perëndia banonte mes popullit të tij, po, por ajo prani ishte e kufizuar në tabernakull dhe ruhej nga priftërinjtë.

2. Përmbushja në Krishtin

Pika e kthesës në vijën historike të Shkrimit është mishërimi i Perëndisë Bir, Zotit tonë Jezu Krisht. Të gjitha premtimet e Perëndisë janë përmbushur në të (2 Korintasve 1:20). Të gjitha tipat e Dhiatës së Vjetër – insititutcionet e priftërisë, tempullit, mbretit, si dhe ngjarjet e eksodit, mërgimit dhe rikthimit – e gjejnë përmbushjen e tyre në të. Prandaj, në mënyrë që të kuptojmë të gjithë teologjinë e Biblës për adhurimin, duhet të kuptojmë se si Jezusi e përmbush dhe e transformon adhurimin e besëlidhjes së Moisiut.

Tabernakulli dhe më vonë tempulli, ishte vendi ku Perëndia manifestonte praninë e tij mes popullit të tij; Jezusi i përmbush dhe për pasojë i zëvendëson këto struktura të besëlidhjes së vjetër. Gjoni na thotë që Fjala u bë mish dhe – fjalë për fjalë – ngriti tabernakullin mes nesh (Gjoni 1:14). Jezusi premtoi, “Prisheni këtë tempull dhe për tri ditë do ta ngre” (Gjoni 2:20). Me fjalë të tjera, trupi i Jezusit është tani tempulli, vendi ku Perëndia e takon popullin e tij, ku manifeston praninë e tij, dhe ku e trajton mëkatin e tyre (Gjoni 2:21-22). Kjo është arsyeja pse Jezusi mund të thotë që po vjen ora kur adhuruesit e vërtetë nuk do të kenë më nevojë të adhurojnë në Jerusalem, por do të adhurojnë në frymë dhe të vërtetë (Gjoni 4:21-24).

Jezusi përmbush dhe zëvendëson tempullin tokësor në Jerusalem. Ai është tani “vendi” ku adhuruesit e vërtetë e adhurojnë Perëndinë.[3]

Jezusi gjithashtu përmbush dhe zëvendëson të gjithë sistemin e flijimeve që shoqëronte besëlidhjen e Moisiut si dhe tabernakullin dhe tempullin e tij. Libri i Hebrenjve na thotë që, ndryshe nga priftërinjtë të cilëve u duhej të ofronin flijime çdo ditë, Jezusi bëri shlyerjen për mëkatet e popullit “një herë e përgjithmonë, kur ofroi vetveten” (Hebrenjve 7:27). Oferta e vetme vetes së tij nuk pastron vetëm në mish siç bënin flijimet e besëlidhjes së vjetër, por përkundrazi pastron ndërgjegjen tonë, duke na ripërtërirë përbrenda (Hebrenjve 9:13-14). Për shkak se Jezusi e ka përsosur popullin e tij me një ofertë të vetme nuk ka më nevojë apo vend për të ofruar dema dhe cjep (Hebrenjve 10:1-4, 10, 11-18).

Jezusi përmbush dhe zëvendëson flijimet e Levitikut. Tani gjaku i tij siguron shpengimin tonë të përjetshëm (Hebrenjve 9:12).

Mund të vazhdoj të flas kështu për shumë gjëra të tjera. Ideja është që vepra shpëtuese e Jezusit sjell një ndryshim radikal në mënyrën se si Perëndia lidhet me popullin e tij. Besëlidhja e re që Jezusi inauguron e vjetëroi besëlidhjen që Perëndia bëri në Sinai përmes Moisiut (Hebrenjve 8:6-7, 13). Tani, mëkatet e popullit të Perëndisë janë falur përmes besimit në flijimin e Jezusit. Tani, populli i Perëndisë përjeton praninë e tij të hirshme përmes besimit në Krishtin dhe përmes Frymës që banon brenda tyre. Tani, i gjithë populli i Perëndisë ka një hyrje intime te Perëndia (Hebrenjve 4:16, 10:19-22), dhe jo vetëm një grup i vogël priftërinjsh.

3. Adhurimi i përbashkët në Dhiatën e Re

Çfarë kuptimi ka e gjithë kjo për adhurimin e përbashkët në epokën e besëlidhjes së re? Gjëja e parë që duhet vënë re është që kushtet e Dhiatës së Vjetër për adhurimin zbatohen në gjithë jetën e besimtarëve. Te Romakëve 12:1 Pali shkruan, “Ju lutem, pra, o vëllezër, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, t’i paraqitni trupat tuaj si fli të gjallë, të shenjtë, të pëlqyeshëm për Perëndinë, që është shërbesa juaj e mençur.” Tani ne nuk ofrojmë kafshë si flijime por ofrojmë veten tonë. E gjithë jeta e të krishterit është një akt shërbese flijuese ndaj Perëndisë.

Ose konsideroni Hebrenjve 13:15, “Me anë të Jezusit, pra, le t’i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij.” Lavdërimi është flijimi ynë, të cilin e ofrojmë vazhdimisht – jo vetëm një orë të dielë në mëngjes. Fryti i buzëve që rrëfejnë emrin e Perëndisë përfshin këngët e lavdërimit, por edhe shumë më tepër se kaq: shpallja me guxim e ungjillit në publik, të folurit e fjalëve të së vërtetës dhe dashurisë të tjerëve, duke e sjellë çdo fjalë nën sundimin e Krishtit.

Kjo do të thotë që “adhurimi” nuk është diçka të cilën e bëjmë kryesisht në kishë të dielë. Përkundrazi, adhurimi duhet të mbushë gjithë jetën tonë. Për të krishterin, adhurimi nuk është i kufizuar në kohët dhe vendet e shenjta, për shkak se jemi bashkuar me Krishtin me anë të besimit, atë i cili është tempulli i Perëndisë, dhe brenda nesh banon Fryma i Shenjtë, gjë e cila na bën tempullin e Perëndisë individualisht dhe kolektivisht (1 e Korintasve 3:16-17, 6:19, krahaso me Efesianëve 2:22).

Çfarë e karakterizon adhurimin e përbashkët në besëlidhjen e re? Leximi dhe predikimi i Shkrimit (1 e Timoteut 4:14); të kënduarit e psalmeve, himneve dhe këngëve frymërore së bashku (Efesianëve 5:18-19, Kolosianëve 3:16); lutja (1 e Timoteut 2:1-2, 8); kremtimi i porosive të pagëzimit dhe Darkës së Zotit (Mateu 28:19, 1 e Korintasve 11:17-34); dhe nxitja e njëri-tjetrit për dashuri dhe vepra të mira (Hebrenjve 10:24-25).

Një nga gjërat më goditëse rreth adhurimit të përbashkët në besëlidhjen e re është fokusi i vazhdueshëm në ndërtimin e gjithë trupit të Krishtit. Pali shkruan, “Fjala e Krishtit të banojë në ju me begati; në çdo urtësi, mësoni dhe këshilloni njëri-tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke i kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja” (Kolosianëve 3:16). Ne mësojmë dhe këshillojmë njëri-tjetrin teksa i këndojmë Zotit. Ndërsa e lavdërojmë Perëndinë, ne e ndërtojmë njëri-tjetrin. Pali shkon aq larg sa të thotë që gjithçka në bashkësinë e mbledhur bashkë duhet bërë me synimin e ndërtimit të trupit të Krishtit (1 e Korintasve 14:26).

Çfarë është unike rreth mbledhjeve të përjavshme të kishës nuk është koha kur adhurojmë, por fakti që kjo është koha kur ne e ndërtojmë njëri-tjetrin duke e adhuruar Perëndinë së bashku.

Për shkak të besëlidhjes së re që u inaugurua nga Krishti, adhurimi i përbashkët në epokën e besëlidhjes së re ka një strukturë krejt tjetër nga adhurimi i përbashkët në besëlidhjen e vjetër. Në vend të takimit disa herë në vit, adhurimi i përbashkët është i përjavshëm. Në vend që të takohen në tempullin në Jerusalem, besimtarët mblidhen në kisha lokale kudo që të jetojnë. Në vend që prania e Perëndisë të jetë e kufizuar në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të ruajtur nga priftërinjtë, Perëndia tani banon në të gjithë popullin e tij me anë të Frymës, dhe Krishti është i pranishëm me popullin e tij kudo që ata mblidhen (Mateu 18:20). Në vend që të kryejmë një sërë flijimesh dhe ofertash të hollësishme, të krishterët mblidhen që të dëgjojnë Fjalën, të predikojnë Fjalën, të luten sipas Fjalës, ta këndojnë Fjalën, dhe ta shohin Fjalën në porositë e pagëzimit dhe Darkës së Zotit. E gjitha kjo ka për synim ndërtimin e trupit në dashuri që të gjithë ne të arrijmë pjekurinë në Krishtin (Efesianëve 4:11-16).

4. Leximi i gjithë Biblës për adhurimin e përbashkët

Si shohim drejt Shkrimit që të na mësojë se çfarë të bëjmë në adhurimin e përbashkët?

Së pari, mendoj se është e rëndësishme të afirmojmë që Shkrimi në fakt na mëson se çfarë duhet të bëjmë në takimet e rregullta të kishës. Mbani mend që edhe pse e gjithë jeta është adhurim, takimi i përjavshëm i kishës zë një vend të veçantë në jetën e krishterë. Të gjithë të krishterëve u kërkohet të mblidhen bashkë me kishën (Hebrenjve 10:24-25); pjesëmarrja në kishë nuk është fakultative për të krishterin. Kjo do të thotë që në fakt çdo gjë që kisha bën në adhurim së bashku bëhet një praktikë e domosdoshme për anëtarët e saj. Pali i nxit të krishterët që të mos lejojnë asnjë rregull të krijuar nga njerëzit apo praktikë adhurimi e cila të bëhet e detyrueshme për ndërgjegjen e tyre (Kolosianëve 2:16-23).

Unë do të sugjeroja që këto parime biblike përbëjnë atë që historikisht është quajtur “parimi rregullues” i adhurimit.[4] Domethënë, në adhurimin e tyre të përbashkët, kishat duhet të kryejnë ato praktika që urdhërohen në mënyrë pozitive në Shkrim, qoftë përmes një urdhërimi të qartë apo përmes një shembulli normativ. Të bësh ndonjë gjë tjetër do të thotë të rrezikosh lirinë e krishterë. Prandaj, kishat duhet të shohim Shkrimin për të na thënë si duhet të adhurojmë së bashku, dhe duhet të bëjnë vetëm atë që Shkrimi na thotë të bëjmë.

Por kjo ngre pyetjen, çfarë na thotë saktësisht Shkrimi që të bëjmë? Për ta thënë më me saktësi, si ta dallojmë se cili material biblik rreth adhurimit është normativ dhe detyrues? Për t’iu përgjigjur plotësisht kësaj pyetjeje do të duhej një libër i tërë; këtu do t’ju ofroj skicën më të shkurtër të mundshme.

Dallimi i mësimit biblik rreth adhurimit kërkon zgjuarsi, përderisa Shkrimi askund nuk na paraqet, për shembull, një “rend shërbese” të plotë, dhe qartësisht normativ. Por ka disa urdhërime në Dhiatën e Re të cilat në mënyrë mjaft të qartë janë të detyrueshme për të gjitha kishat. Fakti që si kisha e Efesit ashtu dhe ajo e Kolosit u urdhëruan të dyja që të këndonin (Efesianëve 5:18-19, Kolosianëve 3:16), dhe kishës në Korint i refererohet si duke kënduar (1 e Korintasve 14:26), sugjeron që të gjitha kishat duhet të këndojnë. Fakti që Pali e urdhëroi Timoteun të lexonte dhe predikonte Shkrimin në një letër e cila kishte për qëllim ta udhëzonte atë për mënyrën se si duhej të sillej kisha (1 e Timoteut 3:15, 4:14) sugjeron që leximi dhe predikimi i Shkrimit janë vullneti i Perëndisë jo vetëm për një kishë, por për çdo kishë.

Na ana tjetër, disa urdhërime, si “Përshëndeteni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë” (Romakëve 16:16), duket se shprehin një parim universal (“Mikpriteni njëri-tjetrin në dashuri të krishterë”) në një formë e cila mund të mos jetë universala nga ana kulturore.

Për më tepër, disa urdhërime të lidhura me kontekstin mund të kenë një ndikim më të gjerë, si në rastin kur Pali u thotë Korintasve të vënë mënjanë para ditën e parë të javës. Kjo ishte për një ofertë specifike për shenjtorët në Jerusalem, por të gjitha kishat janë urdhëruar t’i mbështesin financiarisht mësuesit e tyre (Galatasve 6:6), prandaj dhënia mund të ketë një vend në adhurimin e përbashkët.

Megjithatë, deri tani kemi trajtuar Dhiatën e Re. Po Dhiata e Vjetër? Në fund të fundit, Dhiata e Vjetër ka shumë urdhërime rreth adhurimit:

Lëvodojeni me tingullin e borive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe të qestes.

Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë.

Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese. (Psalmi 150:3-5).

A do të thotë kjo që në mënyrë që të jenë biblike, takimet e kishave tona kanë nevojë të përfshijnë boritë, qesten, harpën, dajren, kërcimin, veglat me tela, veglat me frymë dhe cembalet? Unë do sugjeroja që jo.

Mbani mend që Psalmet janë shprehje të adhurimit nën besëlidhjen e Moisiut, të cilës disa shkrimtarë të Dhiatës së Re i referohen si “besëlidhja e vjetër” (Hebrenjve 8:6). Tani që besëlidhja e re e premtuar te Jeremia 31 ka ardhur, besëlidhja e vjetër është vjetëruar. Nuk jemi më nën ligjin e Moisiut (Romakëve 7:1-6, Galatasve 3:23-26). Prandaj, edhe format e adhurimit të lidhura me epokën e ligjit të Moisiut nuk janë të detyrueshme. Në tempull shërbenin priftërinjtë, disa prej të cilëve ishin të specializuar në muzikën liturgjike (1 e Kronikasve 9:33). Në fakt, këta janë ata që i shohim të luajnë instrumentet e ndryshme të përmendura në Psalmin 150 (2 e Kronikave 5:12, 13, 9:11). Prandaj, Psalmi 150 nuk na siguron një model për adhurimin e krishterë; në vend të kësaj, ai është duke paraqitur një formë të veçantë adhurimi të besëlidhjes së vjetër të lidhur me tempullin dhe priftërinë Levitike.

Kjo në vetvete nuk e saqron pyetjen se çfarë lloj instrumentesh mund të jenë të përshtatshme për të shoqëruar të kënduarit e bashkësisë së kishës. Por do të thotë që një apelim i thjeshtë ndaj shembullit të Dhiatës së Vjetër nuk është me vend, po aq sa dhe një apelim ndaj shembullit të Dhjatës së Vjetër nuk e përligj flijimin e kafshëve sot. Kjo është pika ku shumë tradita të krishtera nuk e arrijnë një teologji biblike të adhurimit, duke iu apeluar në mënyrë të përzgjedhur shembujve të Dhiatës së Vjetër sikur tipare të caktuara të adhurimit të tempullit dhe priftërisë Levitike të jenë kaluar në epokën e besëlidhjes së re.

Sigurisht që ka shumë gjëra në Dhiatën e Vjetër të cilat e informojnë mënyrën e adhurimit tonë. Psalmet na mësojnë të adhurojmë me drojë dhe mahnitje, gëzim dhe habi, mirënjohje dhe ngazëllim. Por Dhiata e Vjetër nuk përshkruan as elementet dhe as format e adhurimit të kishës së besëlidhjes së re.

Në këtë kuptim, Dhiata e Re siguron një kushtetutë të re për popullin e besëlidhjes së re të Perëndisë, po aq sa edhe Dhiata e Vjetër shërbente si kushtetuta për popullin e Perëndisë nën besëlidhjen e vjetër. Perëndia ka vetëm një plan shpëtimi, dhe një popull që shpëton, por mënyra se si populli i Perëndisë lidhet me të ndryshoi në mënyrë radikale pas ardhjes së Krishtit dhe themelimit të besëlidhjes së re.

Kjo është arsyeja pse kemi nevojë t’i përdorim të gjitha mjetet e teologjisë biblike – të marrim së bashku besëlidhjet, të gjurmojmë lidhjet mes tipeve dhe kundërtipeve, të vëzhgojmë premtimin dhe përmbushjen, të dallojmë vazhdimësitë dhe shkëputjet – në mënyrë që të arrijmë në një teologji të adhurimit të përbashkët. Si populli i besëlidhjes së re të Krishtit, të banuar nga Fryma i Shenjtë, ne adhurojmë në Frymë dhe të vërtetë, sipas kushteve që vetë Perëndia ka specifikuar në Shkrim.

 

[1] Për një teologji biblike që e cila e ka ndikuar thellë përqasjen time në këtë artikull shihni librin e David Peterson, Engaging with God: A Biblical Theology of Worship (Doëners Grove: InterVarsity Press, 1992).

[2] Për një udhëzim bazë për vijën historike të Shkrimit e cila përdor si lente parësore atë të Perëndisë që mbledh popullin e tij, shihni librin e Christopher Ash, Remaking a Broken World: A Fresh Look at the Bible Storyline (Milton Keynes, UK: Authentic, 2010).

[3] Për më tepër rreth trajektores së tempullit në gjithë kanonin e Shkrimit, shihni librin e G. K. Beale, The Temple and the Church’s Mission: A Biblical Theology of the Dwelling Place of God, New Studies in Biblical Theology 17 (Downers Grove, IL: InterVarsity Press, 2004).

[4] Për një mbrojtje të shkurtër të parimit rregullues shihni librin e Jonathan Leeman, “Regulative Like Jazz,” dhe tre kapitujt e parë të librit Give Praise to God: A Vision for Reforming Worship, redaktuar nga Philip Graham Ryken, Derek W. H. Thomas, dhe J. Ligon Duncan, III (Phillipsburg, NJ: Presbyterian & Reformed, 2003).

Përktheu: Asim Hamza | Reaktoi:
Burimi: https://www.9marks.org/article/biblical-theology-and-corporate-worship/


Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.

Më shumë të etiketuara si: