Ungjillëzimi & Ungjilli
A është besimi në Krishtin mënyra e vetme për t’u shpëtuar?
- Sfida kulturore: Ditët e sotme, njerëzve u pëlqen shumë të jenë gjithëpërfshirës. Duam që të gjithë të kenë të drejtë. Në fakt, ne mendojmë se e vetmja mënyrë për të qenë gabim është të mendosh se dikush mund të jetë gabim për diçka. Prandaj, kur bëhet fjalë për fenë, ne themi: “Të gjitha rrugët të çojnë te Perëndia. Nuk është vetëm një rrugë e duhura. Gjëja e drejtë për të besuar është ajo gjë që funksionon për ty.” Po, a është kjo ajo çfarë thotë Bibla?
- Përgjigjja e shkurtër: Tek Veprat 4:12, Pjetri thotë: “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell, që u është dhënë njerëzve, me anë të të cilit duhet të shpëtohemi.”
- Një përgjigje pak më e gjatë: Besimi në Krishtin është mënyra e vetme për t’u shpëtuar, sepse vetëm përmes besimit në të mund të drejtësohemi para Perëndisë (Galatasve 2:16). Vetëm përmes besimit në Krishtin mund të pajtohemi me Perëndinë (Romakëve 5:9-11). Vetëm përmes besimit në Krishtin mund të marrim jetën e përjetshme (Gjoni 3:16). Jezusi është i vetmi ndërmjetës mes Perëndisë dhe njeriut (1 e Timoteut 2:5).
- Vërtet gjithëpërfshirëse: Edhe pse shumë njerëzve sot, ky mesazh iu duket tmerrësisht përjashtues, ne duhet t’i drejtojmë ata te gjithëpërfshirja rrënjësore e ungjillit. Ungjilli përballet me të gjithë njerëzit si mëkatarë dhe ofron falje, dhe jetë të përjetshme për të gjithë ata që largohen nga mëkati dhe besojnë në Krishtin. Nuk ka rëndësi sa i mirë apo i keq ke qenë. Nuk ka rëndësi nga vjen apo çfarë prejardhje fetare ke. Nëse pendohesh për mëkatet e tua dhe beson në Krishtin, do të shpëtohesh.
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga 9Marks: https://www.9marks.org/answer/faith-christ-only-way-be-saved/
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2022
Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.