Predikimi & Teologjia

Një argument biblik për predikimin ekspozue

Nga Mike Bullmore

Mike Bullmore është pastori kryesor i Kishës Crossway Community në Kenosha, Wisconsin.
Artikull
12.17.2021

Çfarë është predikimi ekspozues? Një predikim është ekspozues, nëse përmbajtja dhe qëllimi i tij përkon me përmbajtjen dhe qëllimin e një pjese specifike nga Shkrimi. Predikuesi shpall atë që pasazhi thotë dhe ka për qëllim të ndikojë te dëgjuesit, në të njëjtën mënyrë që Perëndia ka dashur të flasë nëpërmjet pasazhit të zgjedhur nga Fjala e Tij. 

Predikues, përfytyro sikur Perëndia është ulur në bashkësinë ku ti po predikon. Si do të jetë shprehja e fytyrës së Tij? A do të thotë: “Nuk ishte kjo, ajo që doja të thoja nëpërmjet këtij pasazhi.” Apo do të thotë: “Po, pikërisht këtë kam dashur të them.”

Argumenti biblik për predikimin ekspozues fillon me lidhjen midis dhuratës që Krishti i ngritur në qiell i ka dhënë kishës te pastorët mësues (Efesianëve 4:11) dhe mandatit biblik për pastorët mësues për t’i “predikuar botës” (2 e Timoteut 4:2). Ata që predikojnë, duhet të predikojnë Biblën e tyre.

Ndoshta vendi më i mirë për të filluar të demonstrojmë legjitimitetin e identifikimit të predikimit dhe predikimit të fjalës është libri i Veprave. Te Veprat, shprehja “fjala e Perëndisë” është stenografi e rregullt e thelbit të predikimit apostolik. Te Veprat 6:2, për shembull, apostujt thonë: “Nuk është e drejtë që ne të heqim dorë nga predikimi i fjalës” (shiko Veprat 12:24; 13:5, 46; 17:13; 18:11). Shprehja shfaqet shpesh edhe si “fjala e Zotit” (8:25; 13:44; 15:35-36 etj.) e disa herë shfaqet dhe si “fjala” (4:29; 8:4; 11:19). Në librin e Veprave, ka një identifikim të qartë dhe të vazhdueshëm midis predikimit apostolik dhe shprehjes “fjala e Perëndisë”. 

Ndërkohë që thelbi i predikimit apostolik ishte lajmi i mirë i pajtimit me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, ky mesazh transmetohej dhe shpjegohej pothuajse i pandryshuar, nëpërmjet ekspozimit të Besëlidhjes së Vjetër. Pra, predikimi në Besëlidhjen e Re përfshinte predikimin e “fjalës së Perëndisë” dhe një pjesë shumë e rëndësishme e këtij predikimi ishte ekspozimi i Besëlidhjes së Vjetër. Kjo na çon në përfundimin se Shkrimet e Besëlidhjes së Vjetër duhet të përfshihen në konceptin tonë për predikimin e “fjalës”. Një përfundim ky që konfirmohet edhe nga deklaratat e drejtpërdrejta (p.sh. 2 e Timoteut 3:16; Romakëve 3:2) dhe nga deklaratat jo të drejpërdrejta (p.sh. Romakëve 15:4) të Besëlidhjes së Re.

Pra kjo “fjalë” është fjala për Jezusin, siç është parashikuar në Besëlidhjen e Vjetër dhe tashmë e shpjeguar në predikimin apostolik. Kjo është fjala e “folur” (Veprat 4:29), “e shpallur” (13:5) dhe që duhet “pranuar” (17:11) si “fjala e Perëndisë”. I njëjti identifikim ruhet përgjatë gjithë letrave të Palit. Pa hezituar, ai e quan mesazhin që predikon, “fjala e Perëndisë” (2 e Korintasve 2:17, 4:2; 1 e Thesalonikasve 2:13) ose thjesht “fjala” (Galatasve 6:6).

Edhe në kontekstin e detyrës që Pali i jep Timoteut për të “predikuar fjalën”, konfirmohet identifikimi midis predikimit dhe predikimit të fjalës së Perëndisë. Timoteu duhet ta ketë kuptuar menjëherë se për cilën “fjalë” po i fliste Pali. Ashtu si thekson edhe biografia e Timoteut, me siguri kjo “fjalë” përfshinte edhe “shkrimet e shenjta” dhe mesazhin apostolik—“Ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove” (2 e Timoteut 3:10-17).

Përfundimi që duhet të nxjerrim nga e gjithë kjo është se “fjala” që ne duhet të predikojmë, është e vërteta që përbëhet nga Shkrimet e Besëlidhjes së Vjetër dhe mësimet apostolike rreth Krishtit—d.m.th. Besëlidhjen e Re. Pra, është mirë të identifikojmë “fjalën” me Biblat tona. Pikërisht këtë duhet të mësojnë ata që janë të thirrur për të qenë “pastor mësues”. Detyra jonë është të shpallim “fjalën” e folur nga Perëndia, të ruajtur në Shkrimet dhe që na është besuar neve. Jeta shpirtërore e popullit të Perëndisë varet nga kjo fjalë (Ligji i Përtërirë 8:3). Për këtë arsye, pastorët e rinj duhet t’i “kushtohen leximit, këshillimit dhe mësimit”(1 e Timoteut 4:13). Nëse kjo thirrje do të na drejtohej neve sot, edhe në fakt na drejtohet, atëherë burimi i predikimit tonë do të jetë plotësisht Bibla jonë në gjithë përmbajtjen e saj.

Çfarë pamjeje do të ketë kjo? Në përgatitjet për predikimet tona, do të ketë pamjen e një pasazhi të marrë nga fjala e Perëndisë dhe studimi i kujdesshëm i tij, që të mund të “themi drejt fjalën e së vërtetës”. Në podium, do të ketë të njëjtën pamje me atë që lexojmë te Nehemia 8:8: “Ata lexojnë nga libri… në mënyrë të qartë, duke shpjeguar domethënien, me qëllim që të kuptonin atë që lexohej.” Perëndia ka premtuar dhe ka për qëllim të përdorë këtë lloj predikimi për të arritur një nga synimet e Tij të mëdha—mbledhjen dhe ndërtimin e njerëzve të Tij.


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon | Kryeredaktore: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

 

© dritez.al 2020


Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.

Më shumë të etiketuara si: