Jeta së bashku
Pesë arsye pse nuk dishepullizojmë (Pjesa 2)
Herën e kaluar, pamë arsyetimin biblik për bërjen e dishepujve dhe shtruam bëmë pyetjen: “Pse nuk po i bindemi urdhërimit të Zotit?” Unë sugjerova se “hiri badjava” ishte një nga fajtorët kryesorë.
DY ARSYE TË TJERA PSE NUK DISHEPULLOJMË
Më lini të sugjeroj dy arsye të tjera se pse dishepullimi ynë është kaq i cekët.
1. Kishat tona duan të afrojnë kërkuesit, jo besimtarët.
Së pari, kishat tona janë kërkim-ndjekëse, por jo besim-ndjekëse. Asnjë kishë tjetër nuk ka bërë më shumë kërkime dhe zhvillime për shërbesa për të afruar kërkuesit sesa “Willow Creek” në Çikago. Ata nisën t’i përshtatnin shërbesat e kishës për të qenë të orientuara specifikisht që të afrojnë kërkuesit 30 vjet më parë.
Mirëpo, në 2008-tën, ata publikuan rezultatet e një sondazhi katër-vjeçar për të matur sa efektivë kishin qenë në përmbushjen e thirrjes së Jezusit për të bërë dishepuj (Mateu 28:19). Konkluzioni i tyre ishte se, pas tri dekadash, ata duhet ta kalonin fokusin e shërbesës nga afrimi i të humburve në pajisjen e besimtarëve për t’u rritur në besimin e tyre: nga ndjekës të kërkuesve në ndjekës të besimtarëve.
Ajo që kuptoi “Willow Creek” (në mënyrën më të vështirë) ishte se nuk mund t’i shërbenin dy zotërinjve. Nëse fokusi ynë është gjithmonë të përpiqemi të kënaqim kërkuesit, ne nuk do të rrisim dishepuj. Dieta jonë si një kishë do të kufizohet vetëm në qumësht dhe rritja jonë do të pengohet, sepse asnjëherë nuk do të konsumojmë ushqim të fortë.
Autori i librit të Hebrenjve i qorton ata besimtarë që nuk kanë avancuar kurrë përtej “të vërtetave elementare të fjalës së Perëndisë”:
…ndonëse tashmë duhet të ishit mësues, keni përsëri nevojë që t’ju mësojë dikush gjërat elementare të fillimit të thënieve të Perëndisë dhe keni nevojë për qumësht dhe jo ushqime të forta. Sepse kushdo që ushqehet me qumësht është pa përvojë në fjalën e drejtësisë, sepse është foshnjë;kurse ushqimi i fortë është për të përsosurit, të cilët, meqë janë mësuar, i kanë ndjesitë të stërvitura për të dalluar të mirën dhe të keqen. (Hebrenjve 5:12-14)
Ta themi qartë, nuk po sugjeroj që nuk ka vend për ndonjë shërbesë që fokusohet te të jashtmit. Për shembull, shërbesa e Krishtlindjes. Por nëse ky është fokusi ynë i përgjithshëm çdo javë, të krishterët nuk do të dëgjojnë gjërat e thella të Perëndisë, dishepullimi i tyre do të jetë i cekët dhe si rezultat, ata do të jenë të paaftë praktikisht për të dishepulluar dikë tjetër.
Nuk duhet të frikësohemi se mos fokusi në shërbesën për besimtarët do të na mënjanojë nga jo-të krishterët. Në fund të fundit, ne do të jemi duke predikuar ungjillin. Dhe ungjilli që i mirëmban dhe i rrit besimtarët, është i njëjti ungjill që na bërin të tillë.
Si rezultat, për të mirën e besimtarëve si dhe të jobesimtarëve, ne duhet të predikojmë ungjillin çdo javë – në çdo shërbesë, çfarëdoqoftë teksti ynë. Jezusi tha se i gjithë Shkrimi dëshmon për atë (Gjoni 5:39). Kështu që, edhe nëse po fillojmë Levitikun, le ta predikojmë atë në mënyrën që Jezusi e bëri: duke vënë në dukje shpëtimin që ishte në të.
Patjetër që, nëse ne jemi të fiksuar në përpjekjen për të qenë të orientuar drejt kërkuesve, shanset janë që nuk do të jemi duke predikuar fare nga Levitiku – apo nga ndonjë pjesë tjetër e Shkrimit që të mund të mendojmë se mund t’i trembë ata që nuk e presin. Kjo nuk është e mirë. Ashtu si na kujton 2 e Timoteut 3:16-17: “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe edukim në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.”
Me fjalë të tjera, na duhet i gjithë Shkrimi për të bërë dishepuj. Nëse neglizhojmë pjesë të caktuara të tij, sepse jemi të shqetësuar se kjo do të largojë jo-të krishterët, cilësia e dishepullimit tonë do të bjerë dukshëm.
2. Kishat tona janë më pak të konvertuara.
Së dyti, kishat tona janë më pak të konvertuara. Domethënë, kishat tona kanë më pak të krishterë në to, kështu që ka më pak njerëz të aftë për të dishepulluar njëri-tjetrin. Pa dyshim që arsyet për këtë janë më komplekse, por më lini të sugjeroj dy prej tyre.
Në radhë të parë, përpara se të njiheshe si anëtar i trupit të Krishtit, duhej të ishe i krishterë. Këtë presupozon edhe Dhiata e Re.
Por tani, në shumë kisha – madje në disa kisha ungjillore të mëdha të mirënjohura – mund të bëhesh një anëtar thjesht duke plotësuar një kuti në një kartë mirëseardhjeje. Ka shumë pak ose aspak përpjekje për ta ekzaminuar personin frymërisht, për të provuar dhe për t’u siguruar që ata janë ndjekës të vërtetë të Krishtit. Si mund të presim që ata që nuk janë dishepuj vetë, të dishepullojnë të tjerët?
Në radhë të dytë, praktika e disiplinimit të kishës ka humbur fare.
Ky ishte standardi i zakonshëm i kishës së Dhiatës së Re, ose të paktën i kishës së bindur të Dhiatës së Re. Për shembull, te 1 e Korintasve 5, Pali thotë se duhet të dëbojmë mëkatarët e papenduar nga anëtarësia e kishës.
Dështimi ynë për t’iu bindur urdhërimit të Palit është frymërisht vrastar. Kjo rezulton në anëtarë që nuk janë dishepuj. Me të vërtetë, ata mund të tregojnë shenja që janë aktivisht kundër Krishtit, duke çnderuar Zotin dhe ungjillin e tij. Sërish, ne nuk mund të presim që njerëzit të cilët nuk janë dishepuj vetë, të mund të dishepullojnë të tjerë.
Përse i kemi neglizhuar këto dy gjëra?
Mendoj se ka disa arsye, por një nga më kryesoret është kjo: numrat janë bërë aq të rëndësishëm për ne saqë do të bënim çdo gjë për t’i rritur ato. Jemi të dëshpëruar që të hyjnë sa më shumë njerëz dhe duam dëshpërimisht që ata të qëndrojnë. Kemi ulur çmimin, me shpresë që më shumë do të blejnë.
Çfarë ndodh kur ne fundosim praktikat biblike të disiplinës dhe të anëtarësisë të kishës? Ne përfundojmë me një kulturë kishe që sa vjen e bëhet më shumë e çkrishterizuarë, e zhveshur nga kripa dhe drita e saj. Kultura e dishepullimit në kishat tona bëhet e pamundur nëse shumë nga anëtarët e saj, nuk janë dishepuj vetë. Dhe ndikimi i anëtarëve të padisiplinuar të kishës mbi anëtarët e kishës që janë duke e ndjekur Krishtin me të vërtetë, nuk do të jetë mirëdashës.
Për ta thënë ndryshe (dhe duke marrë hua analogjinë e Mark Dever-it), dikur, dera kryesore e kishës ruhej me kujdes, ndërkohë që dera e pasme ishte e hapur. Do të thotë që, kishat ishin të kujdeshme për ata që lejonin brenda dhe i disiplinonin me zell ata, jetët e të cilëve binin në kundërshti me rrëfimin e tyre. Kurse tani, ne e lëmë derën kryesore të hapur kanat më kanat dhe derën e pasme e mbyllim fort, sepse kemi frikë mos largohet dikush.
Po të vazhdojmë me këtë mendësi, fatkeqësisht, ne mund të shohim bashkësi që nuk e dishepullojnë njëra-tjetrën.
Rradhës tjetër, do të sugjeroj një arsye të katërt pse nuk dishepullojmë.
Përktheu: Sergej Meçe
Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.9marks.org/article/five-reasons-we-dont-disciple-part-2/
Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.