Ungjillëzimi & Ungjilli

Gjashtë përfitimet e ungjillëzimit për dishepullimin

Nga Brian Parks

Brian Parks është nënkryetar i GDS Knowledge Consultants. Ai është edhe plak kishe, në Kishën Redeemer të Dubait. Ai ka mbi 20 vjet përvojë në shërbesën e studentëve.
Artikull
12.16.2021

“Ungjillëzimi më ndryshoi jetën.” Kështu më tha Xhoni, taksisti im, teksa udhëtonim në autostradën e Orlandos për në konferencën ku do të merrja pjesë. Biseda jonë u përqendrua shpejt te besimi, kur ai zbuloi se nuk kisha ardhur në Orlando për të shkuar në Disney World si shumica e udhëtarëve të tij.

“Çfarë do të thuash?”, e pyeta, duke pritur plotësisht që ai të më shpjegonte se si dikush e kishte çuar te Krishti. Por ai nuk donte të thoshte këtë. Ai donte të thoshte se ungjillëzimi i kishte ndryshuar jetën.

Ai më shpjegoi: “Mësova si ta ndaja besimin tim, gjë që solli në vëmendje shumë çështje të rëndësishme. Më ka nxitur të punoj për gjëra që nuk i kisha menduar kurrë më parë. Dhe, djalosh, pasi e çon dikë te Krishti, nuk e harron kurrë. Të duket sikur nuk mund të ndalesh dot më! Nuk ka asgjë të ngjashme me të.”

Dëshmia e Xhonit për efektin frymëzues shpirtëror të ndarjes së besimit kumboi me gjithçka që kam përjetuar në ecjen time me Krishtin dhe në 22 vjet në shërbesën studentore dhe udhëheqjen e kishës.

Gjithsesi, sa shpesh kemi menduar për dishepullimin dhe ungjillëzimin si dy aspekte të ndara dhe të palidhura të jetës sonë në Krishtin? Akoma më i dëmshëm është fakti që ne shpesh e konsiderojmë të domosdoshëm dishepullimin, kurse ungjillëzimin e konsiderojmë fakultativ. Ose mendojmë se ungjillëzimi është vetëm për ata më të zellshmit dhe “të talentuarit shpirtërisht” në kishat tona.

ÇDO DISHEPULL DUHET TË UNGJILLËZOJË 

Por Besëlidhja e Re na paraqet një tablo, në të cilën çdo dishepull i Krishtit përfshihet normalisht dhe natyrshëm në ungjillëzim, po aq sa edhe në studimin e Biblës, në lutje dhe në adhurimin e përbashkët. Nga i krishteri krejt i ri deri te shenjtori i vjetër me rrudha, ndarja e Ungjillit është pjesë e domosdoshme dhe përbërëse për një jetë rritjeje në Krishtin.

Shumë prej nesh kanë dëgjuar, madje dhe kanë predikuar duke u përqendruar me të drejtë mbi temën e Urdhërimit të Madh “të bëjmë dishepuj” (Mateu 28:18-20). Dhe ne u kemi mësuar atyre që na rrethojnë, se duhet të jenë vetë dishepujbërës. Por gjithashtu duhet të jemi të qartë se “bërja e dishepujve” domosdoshmërisht përfshin ndihmën për njerëzit që nuk janë ende dishepuj, që ata të bëhen dishepuj—domethënë ungjillëzimin. Jezusi e modeloi këtë sjellje (Marku 1:14, 15; Mateu 9:35) dhe i trajnoi apostujt e Tij të bënin të njëjtën gjë (Marku 6:7-13; Luka 10:1-12). Vetëm disa ditë më vonë Jezusi tha se ata do të ishin “dëshmitarët e tij … deri në skajin e dheut” (Veprave 1:8).

Një pjesë e mësimit të apostujve, në të cilin u përkushtua kisha e re e mbushur me Shpirtin e Shenjtë (Veprave 2:42), duhet të ketë qenë shpallja normale dhe e rregullt e Ungjillit me familjen, miqtë dhe të huajt. Që prej javëve dhe muajve të parë pas Rrëshajave, njerëzit po shpëtoheshin çdo ditë (Veprave 2:47). Ungjillëzimi u bë menjëherë një pjesë e jetës së tyre të re të dishepullimit për Zotin Jezus të ringjallur.

PËRFITIMET NGA UNGJILLËZIMI

Këtu janë gjashtë mënyra se si trajtimi i ungjillëzimit ndihmon si një pjesë e domosdoshme e dishepullimit në rritjen e dishepujve të pjekur.

  1. Ungjillëzimi ndihmon ta mbajë Ungjillin në qendër të jetës dhe kishave tona.

Ungjilli e krijon kishën (Kolosianëve 1:5, 6), është mesazhi i saj kryesor (1 e Korintasve 15:1-3) dhe fuqizon rritjen tonë në Krishtin (Filipianëve 1:6). Prandaj, ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbajtur atë në qendër të jetëve tona. Ne e dimë që bota, mishi ynë dhe djalli do të bëjnë gjithçka që munden, për ta larguar atë nga fokusi ynë.

D. A. Carson ka thënë se një mënyrë për ta ruajtur Ungjillin është duke punuar shumë për t`ua transmetuar të tjerëve. Ungjillëzimi na ndihmon ta mbajmë mesazhin e ungjillit si motorin e një jete në rritje në Krishtin.

  1. Ungjillëzimi thellon të kuptuarit tonë për të vërtetat më themelore të Shkrimit.

Bisedat për Ungjillin me jo të krishterë na detyrojnë t’i kuptojmë më mirë të vërtetat thelbësore, të mbështetura në Fjalën e Perëndisë. Çështje si karakteri i Perëndisë, shenjtëria dhe zemërimi i Tij, krijimi i njeriut sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, mëkati, hiri, kryqi i Krishtit dhe gjykimi, të gjitha bëhen pjesë e fokusit. Ne duhet të mendohemi thellë, kur ua shpjegojmë këto koncepte njerëzve të ndryshëm në rrethana të ndryshme. Dhe ne mësojmë më mirë se si këto të vërteta e lidhin së bashku të gjithë Shkrimin, që nga Zanafilla deri te Zbulesa.

Një nga vargjet më të qarta për përfitimet e dishepullimit nga ungjillëzimi është Filemoni 1:6: “që bashkësia e besimit tënd të bëhet e veprueshme nëpërmjet njohjes së çdo të mire që është në ju ndaj Jezu Krishtit.” 

Njohuria mbi diçka dhe shpjegimi që i jep dikujt që nuk e kupton ose nuk e beson, janë dy gjëra të ndryshme. Këto të vërteta të çmuara bëhen më të qarta për ne, ndërsa ua shpjegojmë të tjerëve.

  1. Ungjillëzimi i motivuar siç duhet, rrit dashurinë tonë për Zotin dhe të afërmin.

Të gjithë njerëzit janë thirrur ta duan me gjithë zemër Zotin dhe njerëzit e tjerë (Marku 12:8-31). Shpallja e besimit tonë, që ne e duam Zotin dhe njerëzit, e ndez zjarrin e kësaj dashurie edhe më shumë. Unë nuk e kam parë kurrë ungjillëzimin e motivuar siç duhet, të bëjë të kundërtën.

Nëse nuk e keni çuar dikë te Krishti, unë vetëm sa mund t’jua përshkruaj gëzimin e të parit të fuqisë transformuese të Ungjillit që po funksionon rishtazi te një person. Kur shoh zemrën e tyre të penduar për mëkatin e bërë, zemra ime thyhet plotësisht për mëkatin tim. Kur shoh se si ata gëzohen në lirinë e faljes, më nxit të dëshiroj të ndaloj dhe ta shijoj akoma më shumë vetë. Përjetimi i privilegjit të çuarjes së dikujt te Krishti na kujton se sa më i fuqishëm, më i shenjtë dhe më i mëshirshëm është Zoti nga sa e mendojmë ne. 

Po kështu, kur ndajmë mesazhin e shpresës së Ungjillit me të tjerët, Krishti na premton se ndonjëherë ata do ta refuzojnë dhe ndoshta edhe do të na refuzojnë (Gjoni 15:18-20). Kur ndodh kjo, zemra ime pikëllohet akoma më shumë për burgosjen dhe verbërinë që sjell mëkati. Unë mendoj për gjykimin e ardhshëm me një urgjencë më të madhe. Dhe përsëri pyes veten se pse Zoti do ta shpëtonte një njeri si unë, po aq mëkatar sa personi që më refuzoi mua dhe mesazhin e Ungjillit?

  1. Ungjillëzimi nxit pyetje dhe kundërshtime të papritura nga jo të krishterët, të cilat mund ta thellojnë besimin tonë.

Unë kam jetuar në Lindjen e Mesme për thuajse dhjetë vjet dhe ndërveprimet e mia me myslimanët dhe jo të krishterët e tjerë e kanë forcuar vazhdimisht besimin tim, ndërsa kthehesha te Zoti, duke kërkuar përgjigje me urtësi për pyetjet e tyre. 

Kam kaluar shumë pasdite duke u miqësuar me myslimanët në mensën pranë zyrave të kompanisë sonë. Shpesh bisedat tona do të përqendroheshin natyrshëm në çështjet e besimit dhe unë kam pasur mundësinë që t’ua shpjegoj atë që besojnë të krishterët në të vërtetë. Nuk mund t’u përgjigjesha gjithmonë menjëherë pyetjeve të tyre, por ndërsa i drejtohesha Zotit dhe Fjalës së Tij për përgjigje, besimi im forcohej përherë. Ndarja e besimit tim më vë në pozitë për të dëgjuar kundërshtime dhe për të gjetur përgjigje për pyetjet që kurrë nuk do t’i kisha bërë vetë.

  1. Ungjillëzimi na mbron nga supozimi i gabuar se ata që janë përreth nesh, janë të shpëtuar.

Njerëzit e parilindur nuk mund të disiplinohen në asnjë kuptim biblik. Ata nuk rriten dhe nuk mund të rriten në perëndishmëri (Romakëve 8:5-8).

Një rrezik i madh për kishën sot është supozimi i shpëtimit të njerëzve që thjesht pretendojnë se janë “të krishterë” ose janë të përfshirë në aktivitete të kishës. Mungesa e kujdesit për atë që ne e konsiderojmë të “lindur përsëri”, shpesh i ka rrënjët në pikëpamjet jobiblike të konvertimit (shih 9Marks Journal on conversion). Ose, nganjëherë, frika nga njerëzit nuk na lejon ta ofendojmë një besimtar pretendues, duke sugjeruar që ai mund të mos ketë fare besim te Krishti. 

Por, nëse e bëjmë Ungjillin pjesë të bisedës sonë të përditshme, shpesh do të rezultojë në të krishterë formalë, që do të rilindin sërish nga Fryma e Shenjtë.

Mbjellësi e hodhi farën në mënyrë të lirshme, pa e marrë parasysh se ku ra ajo (në rrugë, në gurishte, në ferra, në tokë të mirë; (Marku 4:2-8). Edhe ne duhet ta shpallim Ungjillin gjerësisht dhe pa dallim, duke lejuar Zotin tonë sovran ta përdorë atë sido që e sheh të arsyeshme, për të shpëtuar të humburit, si dhe për të inkurajuar shenjtorët.

  1. Ungjillëzimi rrit gjasat për t’u persekutuar për ungjillin, gjë që çon në rritjen tonë.

Ekziston një arsye se përse nuk e nisa me këtë “përfitim”! Sidoqoftë, ki parasysh Romakëve 5:3-5:

Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngime, duke ditur që shtrëngimi prodhon durimin, durimi përvojën dhe përvoja shpresën. Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Zotit është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.

Ndërsa ne nuk duhet të kërkojmë shtrëngime për hir të shtrëngimit, duhet të jemi të përgatitur t’i përqafojmë shtrëngimet për hir të Ungjillit (2 e Timoteut 1:8; Romakëve 8:17). Në fakt, shtrëngimet për shkak të ungjillëzimit tonë duhet të jenë një inkurajim për ne, ashtu siç ishin edhe për kishën e hershme (Veprave 5:41). Dhe ndarja e besimit tonë na ndihmon të sigurohemi se do të kemi shtrëngime për shkak të vetë Ungjillit, jo për shkak të vendimeve të pamatura ose shkaktimit të fyerjes së panevojshme. Shtrëngimi për shpalljen që i bëjmë Ungjillit, mund ta thellojë besimin tonë, ndërsa i drejtohemi Shpëtimtarit tonë të vuajtur.

KËSHILLË DHE INKURAJIM

Një këshillë: ndërsa vazhdon me ungjillëzimin si pjesë e dishepullimit tënd, ki kujdes me programet ungjillëzuese. Unë e kam përshkruar ungjillëzimin si nevojë për të qenë “i natyrshëm dhe normal”. Kur e bëjmë atë vetëm sepse po marrim pjesë në një program, atëherë nuk jemi në përputhje me mënyrën se si Shkrimi e përshkruan ungjillëzimin në jetën e besimtarëve. Trajtimi i ungjillëzimit si një program mund ta ndajë atë nga dishepullimi dhe jeta jonë e përditshme.

Rrotat ndihmëse duhet të hiqen një ditë nga biçikleta e një fëmije. Në të njëjtën mënyrë, programet janë të mira për sa kohë që i shohim si forma dhe struktura, që në fund do t’i përdorim në favor të një integrimi më të natyrshëm dhe normal në strukturën e jetës sonë.

Më në fund, inkurajimi i vetëm më i madh për bashkësinë tuaj dhe miqtë e krishterë që ta ndajnë në mënyrë aktive besimin e tyre, është të shohin dhe të dëgjojnë pastorin dhe pleqtë e moshuar duke e ndarë besimin e tyre. Njerëzit do ta mësojnë më së miri përse jeni më të ngazëlluar. Nëse ju si një pastor jeni të ngazëlluar për ta ndarë besimin tuaj, bashkësia do të mësojë të jetë e ngazëlluar për ta ndarë besimin e saj. Dhe ndërsa mësojnë, do të rriten si dishepuj të Jezusit.

Jezusi u tha apostujve të tij tek Urdhërimi i Madh: “Bëni dishepuj… duke i mësuar të mbajnë të gjitha sa ju kam urdhëruar” (Mateu 28:19-20). Ndërsa bëjmë dishepuj, le të sigurohemi që do t’i modelojmë dhe do t’u mësojmë të gjitha ato që Ai na urdhëroi—përfshirë gëzimin dhe bekimin e madh të një jete ungjillëzuese.


Përktheu: Jetmir Duraku | Redaktoi: Elona Dilka | Kryeredaktore: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

 

©️ dritez.al 2020


Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.

Më shumë të etiketuara si: