Jeta së bashku

Gjashtë parime për shërbesën me të rinjtë

By Jonathan Leeman

Jonathan Leeman (@JonathanLeeman) është redaktori i serisë së librave 9Marks si dhe i revistës 9Marks. Ai është gjithashtu autori i disa librave rreth kishës. Që nga momenti kur u thirr në shërbesë, Jonathan ka përfunduar një master nga Seminari Southern dhe një doktoraturë mbi Eklesiologjinë nga Universiteti i Uellsit. Ai jeton me bashkëshorten e tij dhe me katër vajzat e tyre në Cheverly, Maryland, ku edhe shërben si plak kishe në Kishën Baptiste Cheverly.
Article
12.17.2021

“Çfarë bën kisha juaj për gjimnazistët dhe studentët?” Këtë pyetje ma bëri një shoku im pastor kohët e fundit.

Nuk ekspert në shërbesën e të rinjve, por prirem të mendoj se ekziston një masë fleksibiliteti në program. A organizoni një takim të përjavshëm? Për kë është? Çfarë bëni? A keni projekte të veçanta apo udhëtime? Këto gjëra do t’jua lë ju t’i vendosni.

Gjithsesi, do t’ju ofroj disa parime biblike, të cilave duhet t’u kushtojmë vëmendje, pavarësisht se çfarë bëjmë dhe ndjesia ime është që shumë prej grupeve të të rinjve nuk u kushtojnë vëmendje.

1) Çfarëdo që të bëni, ruani një vijë të qartë ndarëse mes kishës dhe botës.

Jezusi, Pali, Pjetri dhe pjesa tjetër janë të prerë që ne të heqim një vijë të qartë ndarëse mes kishës dhe botës, pavarësisht nëse personi është 14 apo 84 vjeç (p. sh. Mateu 18:15-20; 2 e Korintasve 6:14-7:1; 1 e Pjetrit 2:9-12). Kjo nuk është aspak moderne! Përderisa Perëndia ishte tepër i interesuar se kush identifikohej me emrin e Tij në Besëlidhjen e Vjetër, po kështu edhe Jezusi është tepër i interesuar për faktin se kush identifikohet publikisht me emrin e Tij në Besëlidhjen e Re (p.sh. Ezekieli 36:20-27, 36; Mateu 18:20, 28:19; krahaso me 1 e Korintasve 5:4).

Tundimi në shërbesën e të rinjve, nëse mund ta them kështu, është që të zbehet kjo vijë ndarëse. Arsyeja është se keni një përzierje të rinjsh, keni të rinj të kishës dhe të rinj që nuk janë pjesë e kishës. Disa pretendojnë se janë të krishterë, disa jo. Po kush mund ta thotë me saktësi, apo jo?

Kjo është ideja pse disa kisha preferojnë që të mos i pagëzojnë adoleshentët, një qëndrim të cilin mund ta merrni në konsideratë. Bini apo nuk bini dakord me këtë qëndrim, sigurohuni që fjalët tuaja, programet dhe metodat, t’i ndihmojnë të rinjtë të kuptojnë se “Kemi kishën dhe kemi botën. Pikë”. Do t’i doni më mirë adoleshentët tuaj duke i ndihmuar të kuptojnë se vendimi më i rëndësishëm që do të marrin ndonjëherë është të vendosin se në cilën anë të vijës do të qëndrojnë. Me kë jeni ju?

Prandaj, mos e trajtoni shërbesën e të rinjve si një degë të veçuar të kishës, në të cilën nuk vlejnë rregullat, pritjet dhe identiteti normal i anëtarësisë së kishës. Përkundrazi…

2) Nëse i pagëzoni adoleshentët, trajtojini ata si të rritur.

Sërish, nuk jam duke rekomanduar që t’i pagëzoni adoleshentët. Nuk jam i sigurt nëse duhet ta bëni, por nëse e bëni—dhe e di që shumë prej jush e bëjnë—atëherë duhet që t’i trajtoni ata si të krishterë të rritur. Ata janë pagëzuar në emrin e familjes (Mateu 28:19). Kështu që ata janë përgjegjës për ta nderuar emrin e familjes, së bashku me gjithë kishën (Mateu 18:20, 1 e Korintasve 5:4-5). Ata janë pjesë e trupit dhe si rrjedhim duhet të përfshihen në kujdesin për trupin (1 e Korintasve 12:21-26, krahaso me 2 e Korintasve 2:6).

Ata duhet të kenë të drejtën e votës në takimet e anëtarëve. Nëse përshihen në ndonjë festë të shkollës së mesme dhe fillojnë të jetojnë në mëkat, dhe nuk pendohen, ata duhet t’i nënshtrohen disiplinës së kishës. Duhet t’u kërkohet që të marrin pjesë në takimin kryesor të kishës dhe t’u kërkohet të luten për kishën. Duhet t’u kërkohet që të sjellin pajtim në marrëdhëniet e tyre të prishura para Darkës së Zotit. Ata duhet të vijnë nën mbikëqyrjen e pleqve të kishës, e kështu me radhë.

Në fund të fundit, nëse këmbëngulet në përgjegjësinë e plotë prej të rrituri në anëtarësi, do të thotë të këmbëngulësh në përgjegjësitë bazë të të qenët i krishterë. Jezusi ka për qëllim që të gjitha delet e Tij të kujdesen për emrin e familjes, të kujdesen për njëri-tjetrin, ta ndërtojnë njëri-tjetrin në dashuri, të jenë paqebërës. Ju nuk do të doni t’i mësoni ndryshe të rinjtë, duke praktikuar diçka tjetër.

Pagëzimi i një adoleshenti për t`u bërë anëtar i kishës, do të thotë t’i japësh kishës një lloj autoriteti mbi rrëfimin e besimit të të rinjve, prindërit e të cilëve nuk e kanë këtë rrëfim. Nuk ka dyshim që udhëheqësit e kishës duhet të përfshijnë gjithmonë prindërit, teksa i shërbejnë atij apo asaj adoleshenteje. Në fund të fundit, prindi duhet t’i nënshtrohet kishës, kur bie fjala te përfshirja apo përjashtimi i fëmijës së tyre të pagëzuar nga kisha. Kisha zotëron autoritetin dhe çelësat, dhe jo prindi (Mateu 16:18-19).

A duhet t’i merrni gjërat më shtruar para se të pagëzoni, për shkak të gjithave sa kemi thënë deri tani? Po!

3) Pagëzon ose nuk pagëzon, integroji të rinjtë në jetën e pasur kronologjike të kishës.

Bizneset dhe media perëndimore harxhojnë miliona dollarë çdo vit për marketingun drejtuar të rinjve dhe i trajnojnë ata të jenë konsumatorë: “Hej fëmijë, mund të marrësh atë që do, si të dëshirosh, menjëherë.” Si e tillë, rinia e sotme nuk shfaqet në kishë, duke pritur të jetojë në një botë të rriturish, sikurse do të vepronin dhe para 100 vitesh. Ata presin të shoqërohen me një tufë njerëzish, të cilët janë njësoj si ata—bashkëmoshatarët e tyre.

Ju inkurajoj të keni tepër kujdes që të mos bini pre e atyre instinkteve në programet për të rinjtë, përderisa konsumerizmi punon kundër pjekurisë së bujarisë. Gjithsesi, çfarëdo që të bëni, kuptoni se bërja e dishepujve të vërtetë, funksionon më mirë duke i tërhequr të rinjtë në jetën e pasur kronologjike të kishës. Sërish, ata kanë nevojë që ta shohin gjithë trupin në veprim, për të ditur se çfarë përfaqëson në të vërtetë krishterimi. Ata kanë nevojë të shohin të rriturit të dishepullojnë më të rinjtë dhe të rinjtë të mësojnë nga më të rriturit (p.sh. 1 e Timoteut 5:1; Titi 2:2-6; 1 e Pjetrit 5:5).

Udha e krishterimit është udha e unitetit mes shenjtorëve të moshuar dhe të rinj në trupin e Krishtit, dhe nëse dëshironi që të rinjtë tuaj ta ndjekin këtë udhë, duhet t’jua tregoni.

4) Pajisini prindërit t’u shërbejnë të rinjve.

Bibla i urdhëron prindërit, jo pastorët e të rinjve, që t’i edukojnë fëmijët në udhën që duhet të ndjekin (p.sh. Efesianëve 4:11, 6:4). Nuk po them që t’i pushojmë nga puna pastorët e të rinjve. Po u flas pastorëve të të rinjve: sigurohuni që puna dhe programi juaj të mos u japë prindërve justifikimin që të mos i binden Biblës, por përkundrazi inkurajoni punën e prindërve në bindjen e tyre ndaj Biblës.

5) Shfrytëzoni mundësitë ungjillëzuese të kësaj kohe.

Si plak kishe, lexoj çdo aplikim anëtarësie dhe si rrjedhim, çdo dëshmi të njerëzve që i bashkohen kishës tonë. (Sa gëzim që më jep kjo gjë në shpirt!) Ajo që më bën përshtypje është sa shumë njerëz kthehen në besim kur janë paraadoleshentë apo gjimnazistë; si nga familjet e krishtera ashtu dhe nga ato jo të krishtera. Kjo është një kohë mundësie për të ndarë ungjillin me njerëzit.

Si duket kjo gjë nga ana e programeve? Nuk e di. Gjithsesi, bëni diçka!

6) Çfarëdo që të bëni nga ana e programit në pikat 1 deri në 5, mos lejoni që planet e bëra nga ju të pengojnë këto objektiva biblike. Inkurajojini ato!

Sigurohuni që strukturat apo grupet që keni tashmë, të mos veprojnë kundër përfshirjes së të rinjve tuaj në jetën e bashkësisë, apo ta zbehin vijën ndarëse mes kishës dhe botës. Duhet të dëshironi që të rinjtë të dishepullohen nga anëtarët më të moshuar, jo thjesht nga bashkëmoshatarët.

Nuk jam i sigurt se si funksionon e gjithë kjo nga ana e programit (e kam thënë tashmë?), por ndjesia ime është se këtu mund të ketë vend për rrahje mendimesh. Pse mendoni që kaq shumë prindër i shohin të rinjtë e tyre ‘të krishterë’ të shkojnë në universitet dhe pastaj ta braktisin besimin? Hamendësimi im është që në shumë rrethana, ka pasur dy dështime: një dështim në dishepullim dhe një dështim për të treguar urtësi në çështjet strukturore të pagëzimit, anëtarësisë dhe disiplinës.

Prandaj pyetja është: Si ta vendosni me kujdes vijën ndarëse mes kishës dhe botës me të rinjtë e kishës tuaj dhe t’i ndihmoni ata të jenë ungjillëzues? Le të dëgjojmë disa propozime!


Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon | Kryeredaktore: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

 

© dritez.al 2020


Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.

More articles tagged as: