Predikimi & Teologjia
Problemi me shumë predikime sot—dhe teologjia biblike si e vetmja kurë
Diagnozë—Problemi me shumë predikime sot (Pjesa 1)
Në shoqërinë e kishave të krishtera ku unë marr pjesë—Kuvendi Jugor Baptist—mund të jetë fituar beteja për pagabueshmërinë e Shkrimit. Megjithatë as ne, as denominacionet apo kishat e tjera ungjillore, që kanë fituar beteja të ngjashme, nuk duhet ta përgëzojmë veten shumë shpejt. Arsyeja është se kisha konservatore mund ta pranojë pagabueshmërinë e Shkrimit, por në praktikë mohon mjaftueshmërinë e fjalës së Perëndisë. Ne mund të themi se Shkrimi është fjala e pagabueshme e Perëndisë, dhe sërish të dështojmë në shpalljen e kësaj në podiumet tona.
Në fakt, në shumë kisha ungjillore sot ka uri për fjalën e Perëndisë. Disa seri predikimesh përfshijnë në titujt e tyre shfaqje televizive si Gilligan’s Island, Bonanza, and Mary Tyler Moore. Predikimi shpesh përqendrohet te hapat që duhen ndjekur për një martesë të suksesshme apo si të rrisim fëmijët në kulturën tonë. Patjetër që predikimet rreth çështjeve familjare janë të nevojshme, por dy probleme shfaqen shpesh në këtë lloj predikimi. Së pari, ajo që Shkrimi thotë për këto tema zakonisht neglizhohet. Sa predikime paraqesin me besnikëri atë që Pali në fakt thotë për rolin e burrit dhe të gruas (Efesianët 5:22-23)? Apo kemi turp nga ajo që thotë Shkrimi?
Së dyti, dhe ndoshta më e rëndësishmja, këto predikime pothuajse gjithmonë ndahen në nivelin horizontal. Bëhen temë e bashkësisë për javë të tëra dhe pikëpamja teologjike që përshkruhet në fjalën e Perëndisë lihet mënjanë në heshtje. Pastorët tanë kthehen në moralistë si Dear Abby, që na japin këshilla se si të jetojmë një jetë të lumtur javë pas jave.
Shumë bashkësi nuk e kuptojnë çfarë po ndodh, sepse ajo jetë morale që predikohet, është pjesërisht në përputhje me Shkrimin. Kjo pjesë flet për nevojat që ndiejnë edhe besimtarët edhe jobesimtarët.
Pastorët gjithshtu besojnë se duhet t`i mbushin predikimet e tyre me histori dhe ilustrime, në mënyrë që historitë e tyre të nxjerrin në pah moralin që ata duan të shpallin. Çdo predikues i mirë do të përdorë ilustrime. Por ndonjëherë, predikimet mbushen me kaq shumë histori, saqë mbeten pa teologji.
Shpesh kam dëgjuar ungjillorë të thonë se kishat ungjillore po ecin mirë, sepse bashkësia nuk po ankohet për mësimet që u japim. Një koment i tillë është i frikshëm. Ne, si pastorë kemi përgjegjësinë të shpallim “gjithë këshillën e Perëndisë” (Veprat 20:27). Ne nuk mund të mbështetemi te votimet e bashkësisë për të parë nëse jemi duke e përmbushur thirrjen tonë. Ne duhet të mbështetemi në atë që na kërkon Shkrimi. Mund të ndodhë që një bashkësie nuk i është mësuar kurrë siç duhet fjala e Perëndisë, kështu që ata nuk do ta kuptojnë kur pastori po dështon.
Pali na paralajmëron se “do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën” (Veprat 20:29). Dhe diku tjetër ai thotë “do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’i sjellin drejt përrallave”(2 e Timoteut 4:3-4). Nëse ne i përshtasim predikimet tona në bazë të dëshirave të bashkësisë, do të jetë njësoj sikur të jemi duke përgatitur recetën për herezi. Nuk po them që bashkësitë tona janë heretike, thjesht po them që prova e besnikërisë duhet të jetë fjala e Perëndisë dhe jo një opinion i famshëm. Kjo është thirrja e pastorëve, të ushqejnë tufën me fjalën e Perëndisë, jo të kënaqin njerëzit me çfarë ata duan të dëgjojnë.
Shpesh bashkësitë tona nuk trajnohen mirë prej predikuesve. Merr pak në konsideratë çfarë ndodh me një bashkësi që është ushqyer me një dietë të fortë moraliste. Ata mësojnë të jenë të sjellshëm, të falin, të duan dhe të jenë bashkëshortë të mirë (patjetër të gjitha këto janë të mira!). Zemrat e tyre ngrohen madje dhe ndërtohen. Por për aq kohë sa themeli teologjik neglizhohet, ujku grabitqar i herezisë rri në pritë. Si? Kjo nuk ndodh për shkak se pastori është vetë heretik. Ai mund të jetë i vërtetë në doktrinën e tij dhe mund të jetë besnik në teologjinë e tij. Gjithsesi, teologjia në predikimet e tij mbetet e hamendësuar, dhe ai nuk u predikon njerëzve të tij teologjinë e Biblës.
Në brezin e ardhshëm, ose në atë pas tij, bashkësia në mënyrë të pavetëdijshme do të kërkojë një pastor më liberal. Ky pastor i ri gjithashtu do të predikojë që njerëzit duhet të jenë të mirë, të sjellshëm dhe të dashur. Ai gjithashtu do të theksojë rëndësinë e një martese të mirë dhe marrëdhënieve dinamike. Njerëzit e ulur në rreshtat e kishës mund të mos e bëjnë dallimin, duke qenë se teologjia e tij tingëllon njësoj si teologjia e pastorit konservator që ishte para tij. Dhe, në njëfarë mënyre kjo ndodh, sepse pastori konservator nuk e shpalli apo predikoi teologjinë e tij. Pastori konservator besoi në pagabueshmërinë e Shkrimit, por jo në mjaftueshmërinë e tij, sepse nuk ia predikoi bashkësisë së tij të gjitha mësimet e Shkrimeve.
Injoranca jonë në teologjinë biblike shpesh del në sipërfaqe. Ka dy raste në dhjetë-vjeçarin e fundit që më kanë mbetur në mendje, në të cilat folësi i ftoi njerëzit të dilnin përpara (njëri nga rastet ishte në një stadium të madh nga një folës, që nuk ia mbaj mend emrin). Ky predikim në stadium supozohej të ishte një shërbesë ungjillëzuese, por me sinqeritet mund të them që ungjilli nuk u predikua aspak. Nuk u tha asgjë për Krishtin e kryqëzuar dhe të ringjallur, ose përse Ai u kryqëzua dhe u ringjall. Nuk u shpjegua aspak se përse besimi shpëton dhe jo veprat. Mijëra persona erdhën përpara, dhe padyshim u shënuan si të shpëtuar. Por unë po pyesja veten se çfarë po ndodhte vërtet. U luta që të paktën disa prej tyre të konvertoheshin vërtet, sepse ndoshta mesazhin e vërtetë të ungjillit mund ta kishin dëgjuar në ndonjë rast tjetër. E njëjta gjë ndodhi në një kishë që po vizitoja. Predikuesi bëri një ftesë prekëse që njerëzit të “vinin përpara” dhe “të shpëtoheshin”, por nuk dha asnjë shpjegim të ungjillit!
Një predikim i tillë mund të mbushë kishat tona me njerëz të pakonvertuar, që janë dyfish të rrezikshëm: Së pari ata kanë marrë sigurinë nga pastorët e tyre se janë të shpëtuar dhe se kurrë nuk do ta humbasin shpëtimin, por prapë janë të humbur. Së dyti, që nga ajo ditë, të njëjtët njerëz nxiten javë pas jave nga ungjilli ynë modern për këto kohë postmoderniste me thirrjen: ji i sjellshëm.
Zbulim—Çfarë është Teologjia Biblike (pjesa 2)
Zgjidhja për predikimet e cekëta në pjesën e mësipërme është shumë e thjeshtë: pastorët duhet të mësojnë si të përdorin teologjinë biblike në predikimet e tyre. Megjithatë për të mësuar këto gjëra, duhet të fillojmë me pyetjen: çfarë është teologjia biblike?
Teologjia biblike përkundrejt teologjisë sistematike
Teologjia biblike, ndryshe nga ajo sistematike, fokusohet në tregimin e ndodhive biblike në një rrjedhë kohore kronologjike.
Nga ana tjetër, teologjia sistematike, edhe pse merr informacionet nga teologjia biblike, nuk ndjek një linjë kohore. Don Carson thotë se
teologjia biblike qëndron më afër tekstit se ajo sistematike, ka për qëllim të arrijë ndjeshmërinë duke respektuar ndryshimet midis përmbajtjeve të ndryshme, dhe kërkon të lidhë përmbajtjet e ndryshme duke përdorur kategoritë e tyre specifike. Më e mira është kur teologjia biblike qëndron si një urë midis eksegjezës së përgjegjshme dhe teologjisë sistematike të përgjegjshme (edhe pse secila prej tyre ndikon në mënyrë të pashmangshme tek tjetra).[1]
Me pak fjalë, teologjia biblike vetëkufizohet më me ndërgjegje brenda mesazhit të tekstit ose strukturës që është marrë në konsideratë. Kërkon temat qendrore për shkruesin biblik në kontekstin historik, dhe përpiqet të bëjë dallim në koherencën e këtyre temave. Teologjia biblike fokusohet në linjën historike të Shkrimit—shfaqja e planit të Perëndisë në historinë shpenguese. Siç do ta shohim më nga afër në pjesën e tretë, kjo do të thotë se ne duhet të interpretojmë çdo tekst bazuar në kontekstin e lidhjes që ka me të gjithë linjën historike të Biblës, pastaj ta predikojmë atë.
Nga ana tjetër, teologjia sistematike i parashtron tekstit disa pyetje, që lidhen me çështjet ose shqetësimet filozofike të kohës. Studimi sistematik mundet gjithashtu—me përfundimin e duhur— të hulumtojë nëpër tema që janë të nënkuptuara në shkrimet biblike, por që nuk marrin vëmendje mbështetëse në tekstin biblik. Sërish, duhet të jetë e qartë se çdo teologji sistematike, që ia vlen, i ka rrënjët në teologjinë biblike.
Aspekti dallues i teologjisë biblike, siç e përshkruan edhe Brian Rosner, është që “lejon tekstin biblik të vendosë rendin.”[2] Kevin Vanhoozer artikulon rolin specifik të teologjisë biblike duke thënë: “‘Teologjia biblike’ është përkufizimi për një qasje interpretuese të Biblës që nënkupton se fjala e Perëndisë si tekst është përçuar nga fjalët e qenieve njerëzore, përmes diversitetit letrar dhe kushtëzimit historik.”[3] Ose: “Për ta deklaruar në mënyrë më pozitive, teologjia biblike korrespondon me qëllimet që çdo tekst ka në vetvete.”[4]
Carson e përshkruan mirë kontributin e teologjisë biblike:
Në rastin më ideal, teologjia biblike, siç e nënkupton dhe vetë emri, edhe pse punon logjikisht për të shpjeguar tekstet e ndryshme biblike, ajo kërkon të zbulojë dhe të artikulojë unitetin e të gjitha teksteve biblike të marra së bashku, duke iu drejtuar së pari kategorive të atyre teksteve. Në këtë këndvështrim ajo është teologjia biblike kanonike, teologjia biblike e ‘të gjithë Biblës’, [5]
Teologjia biblike mund ta kufizojë veten në teologjinë e Zanafillës, Pentatukut, Mateut, Romakëve, apo edhe te të gjitha letrat e Palit. E megjithatë teologjia biblike mund të përfshijë edhe të gjithë kanonin e shkrimit, në të cilin integrohet linja historike e shkrimit si një e tërë. Shpeshherë predikuesit ekspozues limitohen te Levitiku, Mateu, ose Zbulesa pa konsideruar vendin që ato zënë në linjën historike të historisë shpenguese. Ata izolojnë një pjesë të shkrimit nga të tjerat, duke e bërë predikimin e tyre të cunguar, në vend që të shpallin këshillën e plotë të Perëndisë. Me të drejtë Gerhard Hasel thekson se ne duhet të kemi teologji biblike, në mënyrë që ajo “të kërkojë të bëjë drejtësi në të gjitha dimensionet e realitetit, për të cilat dëshmon teksti biblik.”[6] Përdorimi i kësaj teologjie nuk është detyrë vetëm e profesorëve të seminareve; është gjithashtu përgjegjësia e çdo predikuesi në botë!
Le të mendojmë sërish për dallimet midis teologjisë biblike dhe sistematike, dallime të cilat Carson i parashtron.[7] Teologjia sistematike e merr parasysh kontributin e teologjisë biblike, prandaj gërmon në veprat e lëna ngaAugustini, Akuinas, Luteri, Kalvin, Eduards dhe shumë të tjerë për formulimin e mënyrës mësimdhënies së Shkrimit. Teologjia sistematike kërkon të flasë drejtpërdrejt fjalën e Perëndisë në mjedisin tonë kulturor dhe në kohën tonë. Atëherë padyshim që çdo predikues i mirë duhet të jetë i rrënjosur në teologjinë sistematike që t`ua shpallë fjalën bashkëkohësve të tij në mënyrë të thellë dhe të fuqishme.
Teologjia biblike është më shumë induktive dhe themeluese. Me të drejtë Carson thotë se teologjia biblike është “disiplina ndërmjetësuese”, ndërsa teologjia sistematike është “disiplina kulmuese.” Atëherë ne mund të themi se teologjia biblike është ndërmjetësuese, duke funksionuar si urë midis studimit historiko-letrar të shkrimit dhe teologjisë doktrinale.
Kështu pra, teologjia biblike punon me tekstin në kontekstin e tij historik. Nuk mund të themi se teologjia biblike është një ndërmarrje krejt neutrale apo objektive. Ideja që ne mund të bëjmë një dallimin shumë të saktë midis asaj që shkrimi nënkuptonte dhe asaj që nënkupton tani, ashtu siç e thotë edhe Krister Stendahl, është një iluzion. Scobie mendon kështu për teologjinë biblike:
Bazuar në angazhimin ndaj besimit të krishterë, supozimi i kësaj teologjie ndan bindjen se Bibla përçon një zbulesë hyjnore, se Fjala e Perëndisë përcakton normat e besimit dhe jetës së krishterë, dhe se të gjitha materialet e larmishme në Dhiatën e Vjetër dhe në Dhiatën e Re mund të lidhen me planin dhe qëllimin e një Zoti të vetëm në të gjithë Biblën. Një teologji e tillë biblike qëndron midis asaj që Bibla ‘nënkuptonte’ dhe asaj që ajo ‘nënkupton tani’.[8]
Më pas nënkupton se teologjia biblike nuk limitohet vetëm në Dhiatën e Re apo të Vjetër, por konsideron të dyja Dhiatat si fjalën e Perëndisë. Vërtet teologjia biblike funksionon në bazë të bindjes se standardi i shkrimit është normë edhe sot, dhe për këtë arsye të dyja Dhiatat nevojiten për të zbuluar teologjinë e shkrimit.
TË BALANCOJMË DHIATËN E VJETËR DHE TË RE
Ka një dialektikë të mrekullueshme ndërmjet Dhiatës së Re dhe të Vjetër në bërjen e teologjisë biblike. Dhiata e Re përfaqëson kulmimin e historisë së shpengimit që nisi në Dhiatën e Vjetër, dhe për këtë arsye teologjia biblike është si përkufizim një teologji rrëfyese. Ajo ka regjistruar historinë e veprës shpenguese të Perëndisë. Shpalosja historike e asaj që Perëndia ka bërë, mund të përshkruhet si historia e shpëtimit ose historia shpenguese.
Është gjithashtu e frytshme ta konsiderojmë shkrimin nga pikëpamja e premtimit dhe përmbushjes: Çfarë u premtua në Dhiatën e Vjetër përmbushet në Dhiatën e Re. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos fshijmë specifikat historike të zbulesës në Dhiatën e Vjetër, që mos të zhdukim kontekstin historik, në të cilin lindi. Nga ana tjetër, ne duhet të kuptojmë ecurinë e zbulesës nga Dhiata e Vjetër deri te Dhiata e Re. Një ecuri e tillë e kësaj zbulese na bën të kuptojmë natyrën paraprirëse të Dhiatës së Vjetër dhe fjalën përfundimtare që vjen në Dhiatën e Re. Kur themi se Dhiata e Vjetër është paraprirëse nuk jemi duke i hequr rolin e rëndësishëm që ajo ka, sepse Dhiatën e Re mund ta kuptojmë vetëm pasi kemi kuptuar Dhiatën e Vjetër, dhe anasjellas.
Disa hezitojnë të pranojnë tipologjinë, por një qasje e tillë është thelbësore për teologjinë biblike, duke qenë se është një kategori e përdorur nga vetë shkrimtarët biblik. Çfarë është tipologjia? Tipologjia është korrespondenca hyjnore midis ngjarjeve, personave dhe institucioneve në Dhiatën e Vjetër dhe përmbushjes së tyre në Krishtin në Dhiatën e Re,[9] si atëherë kur Mateu i referohet në Ungjillin e tij kthimit të Marisë, Jozefit dhe Jezusit nga Egjipti duke përdorur gjuhën e historisë së largimit të Izraelit nga Egjipti (Mateu 2:15; Eksodi 4:22,23; Osea 11:1). Pa dyshim që nuk janë vetëm autorët e Dhiatës së Re që vërejnë këtë “korrespondencë të qëllimshme”. Edhe autorët e Dhiatës së Vjetër gjithashtu. Për shembull, edhe Isaia edhe Osea parashikojnë një eksod të ri, që do të vijë pas eksodit të parë. Në të njëjtën mënyrë, Dhiata e Vjetër, pret një David të ri edhe më të madh se Davidi i parë. Në Dhiatën e Vjetër shikojmë një përshkallëzim të tillë në tipologji, ku përmbushja e modelit është gjithmonë më e madhe se modeli fillestar. Jezusi nuk është vetëm një David i ri, por Davidi më i madh.
Tipologjia pranon se ka një model dhe qëllim hyjnor në histori. Perëndia është autori përfundimtar i shkrimit—historia është një dramë hyjnore. Dhe Perëndia e njeh fundin që nga fillimi, kështu që ne si lexues mund të shohim edhe në Dhiatën e Vjetër hijen e përmbushjes përfundimtare, që do të vinte në Dhiatën e Re.
- D. A. Carson, “Systematic and Biblical Theology,” në New Dictionary of Biblical Theology (redaktorë T. Desmond Alexander dhe Brian S.Rosner; Downers Grove: InterVarsity, 2000), 94. Një përkufizim tjetër vjen nga Charles H. H. Scobie, “Teologjia Biblike mund të përkufizohet si studimi i rregullt për të kuptuar zbulesën e Perëndisë që shkrimi përmban në Dhiatën e Vjetër dhe në Dhiatën e Re” (“The Challenge of Biblical Theology,” Tyndale Bulletin 42[1991]: 36).
- Brian S. Rosner, “Biblical Theology,” në New Dictionary of Biblical Theology, 5.
- Kevin J. Vanhoozer, “Exegesis and Hermeneutics,” në New Dictionary of Biblical Theology, 56.
- Si më lart, 56.
- Carson, “Systematic and Biblical Theology,” 100.
- Gerhard Hasel, “Biblical Theology: Then, Now, and Tomorrow,” Horizons of Biblical Theology 4 (1982): 66.
- Për diskutimin e mëposhtëm shiko Carson, “Systematic and Biblical Theology,” 101-02.
- Scobie, “The Challenge of Biblical Theology,” 50-51.
- Për një prezantim të plotë të tipologjisë, shiko David L. Baker, Two Testaments, One Bible (IVP,1976), kapitulli 7.
Drejtim—Si të bëjmë teologji biblike kur predikojmë (Pjesa 3)
Kur predikojmë Shkrimet, është me rëndësi jetike të kuptojmë se ku bie libri që po studiojmë në linjën historike të shpengimit. Duke pasur rrezikun e thjeshtimit të tepërt, teologjia e mirë biblike gjatë predikimit konsiston në dy hapa të elementarë: shiko prapa dhe shiko të tërën.
SHIKO MBRAPA—TEOLOGJIA E NGJARJEVE TË MËPARSHME (pjesa 3)
Walter Kaiser na kujton se kur predikojmë Shkrimet duhet të konsiderojmë teologjinë paraardhëse të çdo libri të shkrimit. [1]
Pra, nëse jemi duke predikuar nga libri i Eksodit, nuk do të mund të interpretojmë siç duhet mesazhin e tij nëse nuk e lexojmë në kontekstin e tij të plotë paraardhës. Dhe konteksti i plotë paraardhës për Eksodin është mesazhi i përçuar te Zanafilla. Te Zanafilla mësojmë se Perëndia është Krijuesi i gjithçkaje, dhe se ai i krijoi njerëzit sipas shëmbëlltyrës së Tij, që njerëzit të ushtronin sundimin e Perëndisë mbi të gjithë tokën. Gjithsesi, Adami dhe Eva nuk i besuan Perëndisë dhe nuk iu bindën urdhërimit hyjnor. Krijimi u ndoq nga Rënia, që solli më pas vdekje dhe mjerim në botë. E pavarësisht kësaj, Perëndia premton se fitorja përfundimtare do të vinte nga fara e gruas (Zanafilla 3:15). Që nga ai moment do të lindte një konflikt i madh mes farës së gruas dhe farës së gjarprit. Por fara e gruas do të triumfonte. Në pjesën tjetër të Zanafillës shohim betejën midis farës së gruas dhe farës së gjarprit, dhe mësojmë se fara e gjarprit është shumë e fuqishme: Kaini vret Abelin; ligësia fiton mbi të drejtën, derisa mbetet vetëm Noeu dhe familja e tij; njerëzit bëjnë plan midis tyre për të arritur te Perëndia dhe ndërtojnë kullën e Babelit. Gjithsesi, mbi të gjitha këto Perëndia mbetet sovran. Ai e gjykon Kainin. Ai i shkatërron të gjithë në përmbytje, përveç Noeut dhe familjes së tij. Dhe Ai nuk lejon të përparojnë planet e njerëzve në kullën e Babelit.
Perëndia bën një besëlidhje me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin duke u zotuar se fitorja e premtuar te Zanafilla 3:15 do të vijë përmes pasardhjes së tyre. Perëndia do t’u jepte pasardhje, tokë dhe bekime universale. Zanafilla fokusohet specifikisht te premtimi lidhur me pasardhjen (farën). Me pak fjalë, Abrahami, Isaku dhe Jakobi nuk e zotërojnë tokën e premtimit dhe as nuk bekojnë të gjithë botën gjatë brezit të tyre. Libri i Zanafillës përfundon me rrëfimin e dymbëdhjetë bijve, që Perëndia i dha Jakobit.
Pra, si ka mundësi që kjo “teologji paraardhëse” është thelbësore për leximin e librit të Eksodit? Ajo është thelbësore sepse, kur ne lexojmë fillimin e Eksodit, me shumëfishimin e popullit të Izraelit, menjëherë kuptojmë se po plotësohet premtimi që Zoti i bën Abrahamit te Zanafilla për pasardhjen e shumtë. Jo vetëm kaq, por kur mendojmë për Zanafilla 3, ne kuptojmë se Faraoni është pasardhja (fara) e gjarprit, ndërsa Izraeli fara e gruas. Përpjekja e Faraonit për të vrarë të gjithë fëmijët meshkuj përfaqëson planin e farës së gjarprit, ndërkohë që vazhdon beteja që Zanafilla parashikoi midis dy pasardhjeve.
Ndërsa vazhdojmë të lëvizim përmes Eksodit dhe pjesës tjetër të Pentatukut, shohim se çlirimi i Izraelit nga Egjipti dhe premtimi se ata do të pushtojnë Kanaanin është gjithashtu pjesë e përmbushjes së premtimit që Perëndia i bën Abrahamit në besëlidhjen me të. Premtimi i tokës tani fillon të përmbushet. Madje, Izraeli në njëfarë mënyre është një Adam i ri në një tokë të re. Ashtu si Adami, Izraelitët duhet të jetojnë në besim dhe në bindje, në tokën që Perëndia u ka dhënë.
Nëse do të lexonim Eksodin pa qenë të informuar për mesazhin e ngjarjeve të mëparshme te Zanafilla, ne nuk do të kuptonim plotësisht domethënien e historisë. Do të ishim duke lexuar tekstin jashtë kontekstit, dhe do të biem pre e një leximi të rastësishëm.
Rëndësia e teologjisë paraprirëse është e dukshme përgjatë kanonit të shkrimit, dhe mund të shikojmë edhe disa shembuj të tjerë. Për shembull:
- Pushtimi që u bë në kohën e Jozueut, duhet të interpretohet i lidhur me plotësimin e premtimit që iu bë Abrahamit, në mënyrë që pushtimi i Kanaanit të kuptohet si përmbushje e premtimit ndaj Abrahamit që ai do të shijonte tokën e Kanaanit.
- Nga ana tjetër, mërgimi i mbretërive të veriut (viti 722 para Krishtit) dhe të jugut (viti 586 para Krishtit), që u paralajmërua nga profetët dhe u regjistrua në disa libra, përfaqësonte përmbushjen e mallkimeve të besëlidhjes te Levitiku 26 dhe Ligji i Përtërirë 27-28. Nëse predikuesit dhe bashkësitë nuk njohin teologjinë e ngjarjeve të mëparshme të besëlidhjes së Moisiut dhe mallkimet për shkeljet në atë besëlidhje, ata nuk do të jenë në gjendje të bëjnë dallimin kuptimin e mërgimit të Izraelit edhe të Judës.
- Premtimi i Davidit të ri (jep mesazhin) pasqyron besëlidhjen e bërë më parë me Davidin që pasardhja e tij do të zgjaste përgjithmonë.
- Dita e Zotit, që shpallet fort te shkrimet e profetëve, duhet të interpretohet e lidhur me premtimin që i qe bërë Abrahamit.
Dhe e njëjta gjë ndodh në Dhiatën e Re sigurisht.
- Vështirë se mund ta kuptojmë rëndësinë e mbretërisë së Perëndisë në ungjijtë sinoptikë nëse nuk dimë linjën historike të Dhiatës së Vjetër, dhe nëse nuk njohim besëlidhjet e Perëndisë me Izraelin dhe premtimet ndaj tij.
- Domethënia e Jezusit që është Mesia, Biri i Njeriut, dhe Biri i Perëndisë është e rrënjosur që në zbulesën e mëparshme.
- Libri i Veprave, siç e prezanton edhe Luka te hyrja, është vazhdim i asaj që Jezusi fillojë të bëjë dhe të mësojë, prandaj është bazuar edhe te Dhiata e Vjetër edhe te shërbesa, vdekja dhe ringjallja e Jezusit.
- Letrat e apostujve janë gjithashtu të bazuara në veprën e madhe shpenguese të arritur përmes Jezu Krishti, dhe ato shtjellojnë dhe aplikojnë mesazhin shpëtues dhe përmbushjen e premtimeve të Perëndisë te kishat e themeluara.
- Së fundi, Zbulesa vjen si kulmimi i historisë. Nuk është thjesht një shtesë e vogël që paraqet një fund kohërash emocionues. Rrëfimet te Dhiata e Vjetër tregojnë se Zbulesa është skicuar në sfondin e zbulesës së Dhiatës së Vjetër. Për më tepër libri nuk ka kuptim nëse nuk shikohet si plotësim i gjithçkaje që Jezu Krishti mësoi dhe bëri.
Megjithatë kjo nuk nënkupton se rrjedha e historisë së shpengimit ka të njëjtin qendërzim në të gjithë kanonin e shkrimit. Ne mund të mendojmë për librat e urtësisë si Këngët e Solomonit, Jobi, Predikuesit, Fjalët e Urta dhe Psalmet. Sidoqoftë, edhe në këto raste, autorët biblik parashtrojnë të vërtetat themelore të krijimit dhe të rënies që nga Zanafilla, dhe përmendin rolin e veçantë të Izraelit si populli i besëlidhjes së Perëndisë. Shpeshherë ata e përfshijnë këtë rol, ashtu siç ndodh kur Psalmet na flasin për historinë e Izraelit. Në këtë mënyrë në dallojmë diversitetin e shkrimit dhe kuptojmë se jo çdo pjesë ka të njëjtin funksion.
E vërteta qendrore për predikuesit këtu është se ata duhet të predikojnë në një mënyrë që predikimi i tyre të përfshihet në rrjedhën e gjerë biblike të historisë shpenguese. Ata që janë ulur nëpër rreshtat e kishës duhet të shikojnë pamjen e plotë të asaj që Zoti ka qenë duke bërë, dhe, të kuptojnë se çdo pjesë e shkrimit ka kontributin e vet në atë pamje. Gjë që na çon te…
SHIKO PAMJEN E PLOTË—PREDIKIMI I SHKRIMEVE
Si predikues, ne nuk duhet të përmbahemi vetëm tek teologjia e ngjarjeve të mëparshme. Ne gjithashtu duhet të marrim në konsideratë të gjithë shkrimin, standardin biblik që tashmë na është shfaqur në shërbesën, vdekjen dhe ringjalljen e Jezu Krishtit. Nëse ne predikojmë vetëm teologjinë e ngjarjeve të mëparshme, ne nuk do ta ndajmë siç duhet fjalën e të vërtetës; dhe as nuk do të mund të sjellim mesazhin e Perëndisë te njerëzit në ditët tona.
Kur ne predikojmë kapitullin e parë të Zanafillës, duhet gjithashtu të shpallim se fara e gruas është Jezu Krishti, dhe se rënia e krijimit në kotësi do të ndryshojë nëpërmjet veprës së Jezu Krishtit (Romakët 8:18-25). Dëgjuesit tanë duhet të kuptojnë se krijimi i vjetër nuk është fundi, por që ka një krijim të ri në Jezu Krishtin. Ne duhet t`u flasim atyre nga libri e Zbulesës që fundi është më i mirë se fillimi, dhe se bekimet e krijimit të parë do të shumëfishohen te krijimi i ri.
Pra gjithashtu, si mundemi ne si predikues të ndajmë nga Levitiku nëse nuk predikojmë nën dritën e përmbushjes që u arrit në Jezu Krishtin? Patjetër që ne duhet të shpallim se sakrificat e Dhiatës së Vjetër kanë marrë plotësimin në veprën e Jezu Krishtit në kryq.
Pastaj, rregullat në lidhje me ushqimet dhe pastrimin nga mëkatet duhet të interpretohen sipas kanonit, që të mund të kuptojmë se Perëndia nuk na thërret neve, në kohën tonë, të ndjekim ligjet e ushqimeve dhe pastrimit. Këto rregulla na orientojnë drejt diçkaje më të madhe: shenjtëria dhe jeta e re që duhet të jetojmë si besimtarë (1 e Korintasve 5:6-8; 1 e Pjetrit 1:15-16).
Siç qartësisht e mëson Dhiata e Re, nuk është rasti që besimtarët të jenë nën ligjin e Moisiut (Galatasve 3:15-4:7; 2 e Korintasve 3:7-18). Besëlidhja e vjetër ishte e qëllimshme për të qenë në fuqi për një periudhë të caktuar të historisë së shpëtimit. Tani që ka ardhur përmbushja në Krishtin, ne nuk jemi më nën besëlidhjen që Perëndia vendosi me Izraelin. Prandaj është gabim të mendojmë se ligjet që detyronin Izraelin duhet të shërbejnë edhe për kombet e tjera—siç pretendojnë disa teonomistë sot. Në predikimet tona ne duhet të bëjmë dallimin midis Izraelit si popull i Zotit dhe kishës së Jezus Krishtit. Izraeli ishte populli teokratik i Zotit, duke përfaqësuar në të njëjtën kohë, edhe popullin e besëlidhjes së Perëndisë, edhe një etnitet politik. Por kisha e Jezu Krishtit nuk është një etnitet politik me statute ligjesh për kombin. Kisha përbëhet nga njerëz të çdo gjuhe, fisi apo kombi. Të mos arrish të bësh dallimin midis besëlidhjes së vjetër dhe asaj të re do të ishte fatale për bashkësitë tona.
Nëse nuk arrijmë të kuptojmë dallimin midis besëlidhjes së vjetër dhe asaj të re, do ta kemi shumë të vështirë, si për shembull, të shpallim pushtimin e tokës te Jozueu. Me siguri premtimi për kishën e Jezu Krishtit nuk është se ne do të pushtojmë tokën e Kanaanit një ditë! Në fakt, duke lexuar Dhiatën e Re, ne mësojmë se premtimi i tokës kuptohet tipologjikisht dhe gjithashtu përshkallëzohet në një përmbushje përfundimtare në Dhiatën e Re. Te letra drejtuar Hebrenjve na shpjegohet se ky pushtim nuk ishte pushimi përfundimtar për popullin e Zotit (Hebrenjve 3:7-4:13). Pali shpjegon se premtimi i tokës për Abrahamin nuk mund të kufizohet brenda Kanaanit, por është universalizuar për të përfshirë të gjithë botën (Romakët 4:13). Ne zbulojmë te Hebrenjve se ne si besimtarë nuk presim një banesë tokësore por një qytet qiellor (Hebrenjve 11:10, 14-16; 13:14), një qytet që do të vijë. Ose, siç e thotë Gjoni te Zbulesa 21-22, ne presim Jerusalemin qiellor, që nuk është asgjë tjetër veçse një krijim i ri. Me pak fjalë, nëse ne predikojmë nga Jozueu, dhe nuk theksojmë trashëgiminë tonë në Krishtin dhe në krijesën e re, atëherë nuk kemi arritur ta komunikojmë siç duhet rrjedhën historike të shkrimit në ekspozimin e librit. Duke cunguar mesazhin ne nuk lejojmë njerëzit të shohin përmbushjen e plotë të shkrimit në Krishtin, dhe se si të gjitha premtimet e Perëndisë janë “po” dhe “amen” në Jezu Krishtin (2 e Korintasve 1:20).
Nëse shkrimin e predikojmë në mënyrë kronologjike, duke përdorur teologjinë biblike, atëherë do të jemi në gjendje të shpallim Krishtin edhe nga Dhiata e Vjetër edhe nga Dhiata e Re. Patjetër që duhet të shmangim rrezikun e aleogrizmit të thjeshtëzuar dhe lidhjen e detyruar midis dhiatave (të kërkojmë gjithmonë ndërveprimin e dy dhiatave). Ne nuk do të biem pre e këtyre gabimeve nëse e kemi bërë siç duhet punën e teologjisë biblike dhe nëse kemi ndjekur hermenautikën e vetë shkrimeve apostolike. Mbi të gjitha, shkrimtarët apostolikë besojnë se vetë Dhiata e Vjetër vë në dukje Krishtin dhe përmbushej në Të. Atyre iu mësua hermeneutika nga vetë Jezu Krishti, po ashtu si Ai i shpjegoi Kleopas dhe mikut të tij të gjitha shkrimet nga Dhiata e Vjetër që lidheshin më Të, gjatë rrugës për në Emaus (Luka 24). Në këtë aspekt, disa kanë pretenduar se hermeneutika e apostujve u frymëzua nga Perëndia por nuk duhet të imitohet sot.[2] Një pamje e tillë ka të metat e veta, sepse ajo sugjeron se përmbushja që apostujt panë në Dhiatën e Vjetër nuk akordon me kuptimin e vërtetë të tekstit. Nëse do të ishte kështu, atëherë lidhja midis dy dhiatave është e rastësishme, dhe apostujt (dhe vetë Krishti!) nuk shërbejnë si modele për interpretimin e Dhiatës së Vjetër sot.
Megjithatë, nëse ne besojmë se apostujt ishin të frymëzuar nga Perëndia dhe ishin lexues të mençur të Dhiatës së Vjetër, atëherë do të kemi një model për leximin e Dhiatës së Vjetër nën dritën e përmbushjes në Jezu Krishtin. Linja historike dhe struktura e Dhiatës së Vjetër, të gjitha çojnë tek Ai dhe plotësohen tek Ai.[3] Kur lexojmë për premtimin e Abrahamit në Dhiatën e Vjetër, ne kuptojmë se është përmbushur në Jezu Krishtin. Hijet e sakrificave në Dhiatën e Vjetër e gjejnë kuptimin e tyre në Krishtin. Për këtë arsye:
- Festat si Pashka, Pentakosti dhe Tabernakulli sot na drejtojnë tek Jezusi si sakrifica e vërtetë e Pashkës, tregojnë dhuratat e Frymës, dhe shpallin Jezusin si Dritën e botës.
- Besimtarëve nuk u kërkohet të ruajnë Shabatin, sepse është një nga hijet e besëlidhjes së vjetër (Kolosianët 2:16-17; Romakëve 14:5) dhe i përket besëlidhjes së Sinait që nuk është më në fuqi për besimtarët (Galatasve 3:15-4:7; 2 e Korintasve 3:4-18; Hebrenjve 7:11-10:18). Shabati pret pushimin që ka nisur për ne në Krishtin dhe pret përmbushje në pushimin qiellor në ditën e fundit (Hebrenjve 3:12-4:11).
- Tempulli fizik paraprin Krishtin si tempullin e vërtetë, ndërsa rrethprerja gjen aplikimin e saj tashmë në rrethprerjen e zemrës që ankorohet te kryqi i Krishtit dhe sigurohet nga puna e Frymës.
- Davidi, si mbret i Izraelit dhe një burrë sipas zemrës së Perëndisë nuk përfaqëson kulmin e mbretërimit; Davidi është një paraardhës i Jezu Krishtit. Krishti, Davidi i madh, ishte pa mëkat. Ai është mbreti, Mesia, i cili nëpërmjet shërbesës, vdekjes dhe ringjalljes solli përmbushjen e Premtimeve të Perëndisë për popullin e Tij.
Nëse Dhiatën e Vjetër nuk e predikojmë duke pasur parasysh të gjithë kanonin e shkrimit, ose do ta kufizojmë veten duke predikuar thjesht mësime morale nga Dhiata e Vjetër, ose siç ndodh rëndom, do të predikojmë shumë rrallë nga Dhiata e Vjetër. Si të krishterë, ne e dimë se shumica e Dhiatës së Vjetër nuk i flet drejtpërdrejt situatave në ditët tona. Për shembull, Perëndia nuk ka premtuar të na çlirojë nga zgjedha politike, ashtu si çliroi Izraelin nga Egjipti. Toka e Izraelit është politikisht e paqëndrueshme sot, por të krishterët nuk mendojnë se gëzimi i tyre do të vijë nga të jetuarit në Izrael, as nuk mendojnë se adhurimi ka të bëjë me të shkuarit në tempull për ofrimin e sakrificave. Megjithatë, nëse Dhiata e Vjetër nuk predikohet nga ana kanonike, nën dritën e teologjisë biblike, ajo do të lihet mënjanë në predikimet e krishtera. Duke bërë këtë, jo vetëm që i mohojmë vetes thesaret e mrekullueshme të fjalës së Perëndisë, por nuk arrijmë të shohim karakterin e thellë dhe shumëdimensional të zbulesës biblike. E vëmë veten në një pozicion ku nuk e lexojmë Dhiatën e Vjetër siç Jezusi dhe apostujt bënë, dhe kështu nuk arrijmë të shikojmë se premtimet e Perëndisë janë “po” dhe “amen” në Jezu Krishtin.
Ta lexosh Dhiatën e Vjetër sipas kanonit të shkrimit, nuk do të thotë që Dhiata e Vjetër nuk mund të lexohet në kontekstin historiko-kulturor. Detyra e parë e çdo interpretuesi është të lexojë Dhiatën e Vjetër në vlerën që ka, duke dalluar kontekstin e autorit biblik në momentin që e shkroi. Për më tepër, siç e thamë dhe më sipër, çdo libër i Dhiatës së Vjetër duhet lexuar nën dritën e teologjisë së mëparshme, që të kuptohet mirë linja historike e shkrimit. Por ne gjithashtu duhet të lexojmë të gjithë shkrimin nga ana kanonike, në mënyrë që Dhiata e Vjetër të lexohet nën dritën e historisë së plotë—në përmbushjen që ka ndodhur në Jezu Krishtin.
Për ta përmbledhur, ne gjithmonë duhet të konsiderojmë perspektivën e së gjithës—e Autorit hyjnor—ndërsa merremi me teologjinë biblike dhe predikojmë fjalën e Zotit. Ne duhet ta lexojmë shkrimin nga fillimi në fund dhe anasjellas. Duhet të marrim gjithmonë në konsideratë zhvillimin e historisë dhe gjithashtu fundin e saj.
PËRFUNDIM
Detyra jonë si predikues është të shpallim këshillën e plotë të Perëndisë. Nuk do ta plotësojmë thirrjen tonë si predikues nëse ne nuk arrijmë të bëjmë teologji biblike. Mund të marrim shumë komplimente nga njerëzit për mësimet tona morale dhe për ilustrimet tona, por nuk do të jemi duke i shërbyer në mënyrë besnike bashkësisë tonë nëse ata nuk arrijnë të kuptojnë se i gjithë shkrimi na drejton te Krishti, dhe nëse nëpërmjet nesh ata nuk arrijnë të marrin një botëkuptim të plotë të linjës historike të Biblës. Zoti na ndihmoftë të jemi mësues dhe predikues besnik, në mënyrë që çdo person nën përgjegjësinë tonë ta marrë Krishtin të prezantuar plotësisht.
- Walter Kaiser, Jr., Toward an Exegetical Theology: Biblical Exegesis for Preaching and Teaching (Grand Rapids: Baker, 1981), 134-40.
- Richard N. Longenecker, Biblical Exegesis in the Apostolic Period (botimi i dytë.; Grand Rapids: Eerdmans, 1999).
- 3.Për rëndësinë që ka predikimi me Krishtin në qendër, shiko Greaeme Goldsworthy, Preaching the Whole Bible as Christian Scripture: The Application of Biblical Theology to Expository Preaching (Grand Rapis: Eerdmans, 2000); Sidney Greidanus, Preaching Christ from the Old Testament: A Contemporary Hermeneutical Method (Grand Rapis: Eerdmans, 1999); Edmund P. Clowney, Preaching Christ in All of Scripture (Wheaton: Crossway, 2003).
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2020
Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.