Predikimi & Teologjia

Teologjia biblike dhe shpallja e ungjillit

By Jeramie Rinne

Jeramie Rinne është shkrimtar, si dhe pastori kryesor i Kishës Komuniteti Ungjillor në Abu Dhabi në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Article
12.17.2021

A mund të jetë predikimi ekspozues vazhdimisht ungjillëzues?

Predikuesit nganjëherë i rrinë larg shtjellimit të librave të Biblës, për shkak se mendojnë që kjo përqasje është e mirë për t’u mësuar teologji të krishterëve të pjekur, por është e keqe për t’i ndihmuar jobesimtarët ta kuptojnë ungjillin.

Ky shqetësim rritet, kur pastorët mendojnë që të predikojnë nga një libër i Besëlidhjes së Vjetër. Si mund të bëhet i qartë ungjilli nga studimi i jetës së Abrahamit apo nga një seri me librin e Hagait javë pas jave? Mos vallë përfshin një prezantim filmik ungjillëzues në fund të predikimit? “Për miqtë tanë që nuk janë ende të krishterë, dëshiroj ta mbyll këtë mesazh për rrethprerjen e Abrahamit duke ju thënë si mund ta merrni dhuratën e jetës së përjetshme.” Momenti për të bërë thirrjen e ardhjes te altari.

Ka një mënyrë tjetër më organike, për ta shpallur ungjillin me besnikëri të dielë pas të diele, edhe nga Besëlidhja e Vjetër. Kjo bëhet duke përdorur teologjinë biblike.

HISTORIA E MADHE

Çfarë është teologjia biblike? Ne mund ta përkufizojmë atë si studimin e linjës së historisë së Biblës. Të marrë së bashku, 66 librat e Biblës tregojnë një histori të vetme të misionit të Perëndisë për të shpëtuar një popull dhe për të themeluar një mbretëri për lavdinë e Tij përmes vdekjes dhe ringjalljes së Jezu Krishtit. Besëlidhja e Vjetër përgatit skenën dhe na udhëheq te Jezusi. Ungjijtë zbulojnë Jezusin dhe veprën e Tij. Pjesa tjetër e Besëlidhjes së Re shpalos rrjedhojat e vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit, deri në momentin kur Perëndia do ta përmbushë plotësisht misionin e Tij. Sa më tepër ta kapim këtë subjekt, aq më tepër mund të shohim se si teksti i predikimit tonë lidhet me ungjillin.

Duke qenë të vetëdijshëm për teologjinë biblike, predikimi i një pjese të Shkrimit është sikur të kesh “ndjesinë e fushës” në basketboll. Lojtarët e mirë të basketbollit nuk fokusohen vetëm te driblimi i topit për në kosh. Ata janë të vetëdijshëm për vendndodhjen e shokëve të ekipit të tyre dhe të mbrojtësve të ekipit kundërshtar, si dhe për rrjedhën e lojës. Në mënyrë të ngjashme, ekspozimi i mirë nuk është thjesht sigurimi i një komentari të rrjedhshëm për vargjet në fjalë. Ai gjithashtu ka edhe një ndjesi të së tërës se ç`po ndodh tjetër, para dhe pas tekstit, dhe si lidhet me progresin e përgjithshëm të historisë së madhe të Perëndisë.

TEOLOGJIA BIBLIKE NË VEPRIM

Le të shohim disa strategji të teologjisë biblike, të cilat mund t’i përdorim për ta lidhur pjesën tonë të caktuar me historinë kryesore të Biblës, me historinë e ungjillit. Këto strategji mund t’i mendoni si shtigje të mundshme, të cilat na çojnë nga teksti ynë tek ungjilli, sikurse udhët alternative në një aplikacion harte në celular, të cilat ju çojnë nga vendndodhja juaj e tanishme te destinacioni i dëshiruar.

  1. Premtimi dhe përmbushja

Po fillojmë me rrugën më të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë për tek ungjilli. Në strategjinë premtim dhe përmbushje, teksti që po studioni përmban një profeci apo premtim që përmbushet qartë në një aspekt të caktuar të ungjillit. Premtimi dhe përmbushja janë fruti lehtësisht i arritshëm i teologjisë biblike: i lehtë për t`u parë dhe për t`u kapur. 

Pra, nëse po predikoni profecinë e Mikeas për një sundimtar që do të dalë nga Betlehemi (Mikea 5:2), lehtësisht mund ta ftoni bashkësinë të shkojë te Mateu 2:6 për të parë se si kjo profeci është përmbushur në lindjen e Jezusit. Ose nëse vendosni të flisni për jetën e Abrahamit, në një moment të caktuar duhet t’i lidhni premtimet e Perëndisë për ta bekuar pasardhësin apo “farën” e Abrahamit (Zanafilla 12:7; 13:15; 17:8; 24:7) me përmbushjen e tyre në Jezusin (Galatasve 3:16).

Përveçse na jep mënyra të dukshme për të arritur tek ungjilli, premtimi dhe përmbushja na tregojnë gjithashtu mënyrën si autorët e Besëlidhjes së Re e interpretuan Besëlidhjen e Vjetër nën dritën e ungjillit. Sa më tepër të mësojmë që ta lexojmë Biblën përmes lenteve interpretuese të apostujve, aq më mirë do të arrijmë tek ungjilli edhe nga tekste të tjerë, madje edhe nga ata që nuk duket se kanë ndonjë përmbushje të dukshme në Jezusin.

  1. Tipologjia

Tipologjia është premtimi dhe përmbushja, vetëm se në vend të një profecie gojore që përmbushet në Jezusin, në këtë rast shohim ngjarje, institucione apo persona që shërbejnë si hije të Jezusit dhe ungjillit. Tipologjinë mund ta mendoni si një profeci joverbale.

Merrni tempullin në Jerusalem, për shembull. Ai luajti një rol qendror në Besëlidhjen e Vjetër si vendi i pranisë shpëtuese dhe sunduese të Perëndisë mes popullit të Tij, por përfundimisht tempulli drejtonte vëmendjen te Jezusi. Jezusi i shtangu turmat, kur u çua në tempull dhe tha: “Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri!” (Gjoni 2:19). Ata menduan se po fliste për ndërtesën, por “ai fliste për tempullin e trupit të vet” (v. 21). Ashtu si tempulli, Jezusi ishte dhe është prania fizike e Perëndisë mes popullit të Tij, për të shpëtuar dhe mbretëruar. Kjo është gjithashtu arsyeja, pse apostujt në mënyrë të vazhdueshme e identifikuan kishën, për ata që janë në Krishtin, si tempullin e Frymës (p.sh. 1 e Korintasve 3:16-17, Efesianëve 2:19-22, 1 e Pjetrit 2:5).

Nën dritën e kësaj, le të themi se po ekspozoni Psalmin 122, i cili komunikon gëzimin e të shkuarit në tempullin e Perëndisë në Jerusalem: “U gëzova kur më thanë: ‘Shkojmë në shtëpinë e Zotit’” (v. 1). Mund ta përdorni tipologjinë e tempullit për t’i ndihmuar njerëzit, madje edhe ata që nuk janë pjesë e kishës, të shohin gëzimin më të madh të të shkuarit te Jezusi me anë të besimit.

Besëlidhja e Re është plot e përplot me tipe të tilla për Jezusin dhe veprën e Tij. Apostujt e panë Jezusin si Adamin e fundit, si qengjin e vërtetë të Pashkës, si Moisiun e ri, si flijimin e shlyerjes një herë e përgjithmonë, si kryepriftin e madh, si mbretin e vajosur (Mesian) nga pasardhja e Davidit dhe shumë të tjera. Këto shtigje mjaft të shkelura, mund t’ju çojnë besnikërisht nga shumë vende të Shkrimit te Jezusi dhe vepra e Tij shpëtuese.

  1. Temat

Po e përdor fjalën “temat” për të përshkruar motivet apo imazhet, që shfaqen herë pas here në historinë e Biblës dhe që nuk drejtojnë te Jezusi ashtu siç bën tipologjia. Prapëseprapë, këto tema dhe motive janë të lidhura në mënyrë integrale me ungjillin dhe mund të na ndihmojnë ta lokalizojmë tekstin tonë në historinë biblike, që është duke u shpalosur.

Një temë klasike biblike është krijimi. Bibla fillon me: “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.” Perëndia vendosi rregull në mes të rrëmujës, e bëri Adamin dhe Evën në shëmbëlltyrën e Tij, dhe i urdhëroi të sundonin mbi krijimin dhe ta mbushnin atë me pasardhësit e tyre, e gjithë kjo për lavdinë e Perëndisë. Tragjikisht, Adami dhe Eva dështuan në thirrjen e tyre dhe u rebeluan kundër Perëndisë. 

E megjithatë Perëndia kishte një plan për ta shpenguar krijimin e Tij. Përgjatë Besëlidhjes së Vjetër shohim “rinisje” të përsëritura të krijimit, ngjarje në të cilat Perëndia në mënyrë të hirshme fillon sërish me popullin e Tij, dhe fillimi i ri përshkruhet duke përdorur imazhe dhe gjuhë si ajo e krijimit. Këto rinisje të krijimit përfshijnë Noeun dhe familjen e tij pas përmbytjes, daljen e Izraelit nga Egjipti dhe hyrjen në tokën e premtuar, themelimin e një mbretërie Edenike nga Solomoni, dhe madje edhe kthimin e izraelitëve nga robëria në Babiloni. Gjithsesi, në secilën prej këtyre rasteve rinisja dështoi, njerëzimi u rebelua, Adami mbytej herë pas here. A do ta kuptonte ndonjëherë si duhet ndonjëri prej këtyre kopjeve të Adamit?

Po. Adami i fundit, Jezu Krishti, bëri vullnetin e Atit në mënyrë të përsosur. Ringjallja e Jezusit dhe shpëtimi i popullit të Tij, nisën krijimin e ri dhe të vërtetë. Ai krijim vazhdon të rritet edhe sot. Jezusi i dërgon njerëzit e Tij të shpëtuar që ta nënshtrojnë tokën dhe ta mbushin atë me bij dhe bija të Perëndisë, përmes mesazhit të ungjillit. Një ditë, kjo punë do të arrijë kulmin e saj në tokën e re dhe qiellin e ri, të cilët janë shumë herë më madhështorë dhe më të lavdishëm se origjinalët.

A e dalloni se si të qenët në gjendje ta ndiqni motivin e krijimit, ju siguron një skemë për të lëvizur në mënyrë organike nga shumë tekste te pika kyçe e kthesës e krijimit të ri, te vdekja dhe ringjallja e Jezusit?

Ka edhe shumë fije të tjera tematike, të cilat ndërthuren bashkë në vijën e historisë së Biblës, si besëlidhjet, Eksodi, dita e Zotit dhe mbretëria e Perëndisë.

  1. Mësimi etik

Po sikur të jeni duke u përpjekur të predikoni përgjatë Fjalëve të Urta apo Dhjetë Urdhërimeve? Po sikur të tregoheni vërtet të çmendur dhe të provoni të bëni ungjillëzim ekspozues nga Levitiku? Duket sikur këto lloj pjesësh janë më të mira për të mësuar ‘bëj’ dhe ‘mos bëj’ ndaj jetës së pjekur të krishterë, në vend që t’u tregosh njerëzve të pashpëtuar atë që Jezusi ka bërë në mënyrë që të bëhen të krishterë.

Sërish, teologjia biblike shtron një udhë nga ligji tek ungjilli. Ne mund t’i lexojmë urdhërimet e veçanta morale në rrjedhën e historisë së Biblës, të paktën në tri mënyra. Së pari, ligjet dhe etika e Biblës na udhëheqin te Jezusi, duke na treguar mëkatin dhe nevojën tonë për një shpëtimtar. Sikurse është thënë shpesh, urdhërimet e Perëndisë shërbejnë si një pasqyrë për të na ballafaquar me deformimin tonë moral. Ndërsa lexojmë historinë e shkatërrimit kronik moral të Izraelit, dallojmë historinë e njerëzimit dhe historinë tonë personale. “Sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit” (Romakëve 3:20).

Së dyti, urdhërimet morale të Biblës na drejtojnë te Jezusi, si Ai që i zbatoi ato në mënyrë të përsosur. Ai nuk erdhi që ta shkatërronte ligjin e Perëndisë, por që ta plotësonte atë në çdo aspekt (Mateu 5:17). Të gjithë bijtë e tjerë të Perëndisë (Adami, Izraeli, mbretërit e Izraelit) ishin plëngprishës; vetëm Jezusi e kënaqi Atin. Kështu, urdhërimet etike të Biblës, në fund të fundit, zbulojnë karakterin e vetë Jezusit.

Së treti, përmes varësisë në fuqinë e ringjalljes së Jezusit dhe Frymës së Tij në ne, tani ne mund t’i bindemi ligjit të Perëndisë si bij dhe bija të bindur. Jezusi na shpëtoi nga fuqia e mëkatit “që të përmbushet drejtësia e ligjit në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës” (Romakëve 8:4).

Pra, imagjinoni se po predikoni nga Fjalët e Urta 11:17: “Njeriu i mëshirshëm i bën të mirë vetes, kurse njeriu mizor mundon mishin e tij.” Duke ndjekur konturet e teologjisë biblike nuk është se thjesht do të jepni një mesazh 30 minutësh për mënyrën se si të jemi më të mëshirshëm. Ju gjithashtu mund të tregoni se si dështojmë kur jemi të mëshirshëm dhe përkundrazi jemi tepër mizorë në mënyra shumë të fshehta. Ju do t’i drejtoni njerëzit te fakti që Jezusi ishte mishërimi i mëshirës, në mënyrë të veçantë duke dhënë jetën e Tij për mëkatarët. Së fundi, do ta lidhni atë hir mirëdashës të Jezusit ndaj nesh si energjia për transformimin tonë përmes Frymës së Shenjtë.

  1. Zgjidhja e enigmave

Kur nisim të ndiejmë rrjedhën e teologjisë biblike, do të shohim gjithashtu mënyrën se si ungjilli shpesh i zgjidh enigmat e Besëlidhjes së Vjetër. Si do t’i përmbushë Perëndia premtimet e Tij ndaj Davidit, pasi Juda ka shkuar në mërgim dhe tani nuk kishte më mbret në Jerusalem? Nëse sakrificat e tempullit e largonin mëkatin, atëherë pse e gjykoi Perëndia Izraelin? Besëlidhja e Vjetër shpesh flet për bekimet e Perëndisë mbi të drejtët dhe gjykimin e Tij mbi të ligjtë. Pra, pse shohim të kundërtën e kësaj?

Këtu mund të themi shumë, por tani për tani mjafton të themi që kur përballeni me një pikëpyetje biblike, konsideroni se si ungjilli i Jezusit mund ta zgjidhë misterin. Si një roman i mirë, Besëlidhja e Vjetër prezanton tensione në vijën e historisë, të cilat i zgjidh heroi, Jezusi.

“JU JENI KËTU”

Kur e përdorim teologjinë biblike për të praktikuar këtë lloj ekspozimi me vetëdije rreth ungjillit, ndodh diçka ngazëlluese për jobesimtarët. Jo vetëm që ata përballen me mëkatin e tyre, por prezantohen me Jezusin, dhe u bëhet thirrje për pendim dhe besim javë pas jave. Ata gjithashtu nisin ta gjejnë veten në rrjedhën historike të punës së Perëndisë. Ungjilli nuk është thjesht një metaforë apo ide, të cilën janë të lirë ta përdorin apo ta hedhin tej nëse “u bën punë”. Jo, historia e Jezusit është një forcë historike e themeluar në të shkuarën, e cila vazhdon në të tashmen dhe dominon përjetësinë. Perëndia, i cili veproi në botën biblike, është duke vepruar edhe në botën e jobesimtarëve, për shkak se është e njëjta botë, e njëjta histori, i njëjti tregim.


Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon | Kryeredaktore: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

 

© dritez.al 2020


Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.

More articles tagged as: