Ungjillëzimi & Ungjilli

Çfarë kërkon Urdhërimi i Madh nga kishat lokale?

Përgjigje
12.16.2021

Në mënyrë që ta përmbushin urdhrin e Jezusit për të bërë dishepuj nga të gjitha kombet (Mateu 28:19), kishat duhet:

  1. Ta predikojnë Ungjillin pa pushim. Nëse një kishë dëshiron të ungjillëzojë botën, ajo duhet ta fillojë duke ungjillëzuar fqinjët e saj. Hapi i parë: predikojeni qartë ungjillin në çdo shërbesë publike të kishës!
  2. T’i mësojnë njerëzit që t’i binden gjithçkaje që urdhëroi Jezusi. Urdhërimi i Madh është një urdhër për të bërë dishepuj të Jezusit, njerëz që e ndjekin, e imitojnë dhe i binden Atij. Dishepujt që janë duke u rritur, janë dëshmitarë më të mirë. 
  3. Ta mësojnë çdo anëtar që të ungjillëzojë personalisht. Pastori nuk mund të jetë ungjilltari i vetëm. Një kishë duhet t’i trajnojë dhe t’i inkurajojë të gjithë anëtarët e saj që të ungjillëzojnë. Krijoni klasa të shkollës të së dielës që të japin mësim për ungjillëzimin! Nxirrni në pah materialin ungjillëzues (siç është Christianity Explored) për t’u përdorur në ungjillëzimin personal! Lutuni rregullisht me kishën për fushata ungjillëzuese!
  4. Të kërkojnë mundësi për të pasur bashkëpunim me misionarë në kombe të tjera. Kishat nuk duhet të përpiqen të ungjillëzojnë vetëm fqinjët e tyre, por edhe vendet ku Krishti nuk njihet (Romakëve 15:20). Prandaj, kërkoni të bashkëpunoni me vëllezër dhe motra që kanë të njëjtën mendje për ungjillëzimin, por që tashmë shërbejnë në një vend tjetër!
  5. Të luten që Zoti të ngrejë anëtarë që do t’ia çojnë Ungjillin kombeve të tjera. Situata do të jetë e ndryshme në çdo kishë, por çdo kishë duhet të lutet që Zoti të ngrejë disa nga njerëzit e saj për të pasur zemër për misione në vende të huaja.

Përktheu: Jetmir Duraku | Redaktoi: Elona Dilka | Kryeredaktore: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

 

©️ dritez.al 2020


Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.

Më shumë të etiketuara si: