Ungjillëzimi & Ungjilli
Cilët janë disa shembuj të praktikave të gabuara të ungjillëzimit?
- Të mos e ndash fare ungjillin. Duke qenë se ungjillëzimi është ndarja e ungjillit, mënyra kryesore për të gabuar është të mos e ndash mesazhin e tij. Ndonjëherë njerëzit që bëjnë punë sociale, mendojnë se duke u kujdesur për të varfrit ose duke ndihmuar të shtypurit, po “ndajnë ungjillin pa fjalë”. Por në të vërtetë nuk po e bëjnë. Mund të jenë duke bërë gjëra shumë altruiste dhe të mira për të tjerët, por ungjillëzim do të thotë t’u tregosh të tjerëve mesazhin e Krishtit.
- Shtrembërimi i mesazhit. Ungjillëzim me besnikëri do të thotë ta tregosh mesazhin në tërësinë e tij (Veprat 20:27), madje edhe të vërtetat jo shumë të famshme për mëkatin dhe gjykimin e Perëndisë.
- Ndarja e një mesazhi të rremë në vend të të vërtetit. Disa njerëz që pretendojnë se predikojnë ungjillin, në fakt predikojnë tërësisht të kundërtën, duke shkaktuar pasoja të tmerrshme për veten dhe dëgjuesit (Galatasve 1:6-9; 2 e Pjetrit 2:1-3).
- Prezantimi i ungjillit thjesht si një mendim. Është shtrembërim i ungjillit ta prezantosh atë si një mendim personal që dikush mund ta refuzojë pa pasur pasoja të vërteta. Ungjillëzim do të thotë t’i thërrasësh njerëzit të pendohen për mëkatet e tyre dhe të besojnë në Krishtin, në mënyrë që të shpëtojnë nga zemërimi i Perëndisë. Ungjilli nuk është një mendim i thjeshtë dhe ungjillëzimi ynë duhet të komunikojë besnikërisht të vërtetën universale dhe kërkesat e tij detyruese.
- T’i ushtrojmë presion dikujt që të marrë një vendim. Vetëm Perëndia mund të japë besim dhe pendim. Nëse ushtrojmë presion që njerëzit të marrin një vendim, ata mund të marrin një të tillë, por ai “vendim” s’do të llogaritet fare për përjetësinë. Kjo mund ta bëjë dikë të besojë gabimisht se për shkak të “vendimit” të tij po bëhet i krishterë, kur në fakt, ai nuk është penduar për mëkatet e tij dhe as nuk ka besuar në Krishtin.
- Mbivlerësimi i vogëlsirave. Edhe pse duam t’i adresojmë siç duhet pyetjet e besimtarëve, harxhimi i orëve të tëra në debate për problemin e ligësisë nuk është njësoj me predikimin e Krishtit. Mos lër që këto devijime të të largojnë nga prezantimi i mesazhit të kryqit.
- Të përçmosh pa edukatë pyetjet apo kundërshtimet e jobesimtarëve. Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për t’i ofenduar dhe për ta përfunduar bisedën e ungjillëzuese. Pjetri na tregon si duhet t’u përgjigjemi pyetjeve të jo të krishterëve kur shkruan: “por me butësi e me druajtje, duke pasur ndërgjegje të mirë” (1 e Pjetrit 3:15-16).
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga 9Marks: https://www.9marks.org/answer/what-are-some-examples-bad-evangelistic-practices/
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2022
Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.