Ungjillëzimi & Ungjilli

Ungjillëzim: Ta mësosh Ungjillin me qëllim për të bindur

Artikull
06.05.2023

Si ta kuptojmë kur po ndodh ungjillëzimi? Epo, përgjigjja varet nga përkufizimi që i japim atij. Përkufizimi i ungjillëzimit në mënyrë biblike na ndihmon ta vendosim atë në një linjë me Shkrimin. Nëse nuk e kemi kuptuar mirë ungjillëzimin, ndoshta nuk po ungjillëzojmë fare.

Për shembull, një shtëpiake që takohet me një mikeshë për një kafe mund të jetë ungjillëzuese, ndërkohë që një apologjet i shkëlqyer, i cili është i krishterë dhe po u flet mijëra njërëzve në një kishë, mund të mos jetë i tillë. Pak njerëz e shohin kështu, sepse ne nuk e kemi kuptuar drejt se çfarë është ungjillëzimi. Përkufizimi i besimit është gjë e mirë, por është e lehtë të japësh apologjetikë për krishterimin pa e shpjeguar ungjillin–dhe ne nuk mund të ungjillëzojmë pa ungjillin.

Ja një përkufizim që më ka shërbyer për shumë vite:

Ungjillëzimi është mësimi i ungjillit me qëllim për të bindur.

Pak zhgënjyese, apo jo? Ma merr mendja se pjesa më e madhe e njerëzve do të prisnin shumë më tepër nga një fjalë kaq e rëndësishme teologjike. Por ky përkufizim, sado i shkurtër, ofron një balancë shumë më të mirë, në të cilën mund të peshojmë praktikën tonë ungjillëzuese në vend që të shohim sesa njerëz i janë përgjigjur një apeli.

Ja si ta zgjerojmë përkufizimin tim: Ungjillëzimi është mësimi (kumtimi, shpallja, predikimi) i ungjillit (mesazhi nga Perëndia që na çon në shpëtim) me qëllimin (shpresën, dëshirën, pikësynimin) për të bindur (për të konvertuar).

Vër re se përkufizimi nuk kërkon një përgjigje të jashtme të menjëhershme. Ecja në altar, ngritja e dorës, madje edhe bërja e një lutjeje mund të na tregojnë se ka ndodhur ungjillëzimi, por veprime të tilla nuk janë ungjillëzim. Vër re gjithashtu se, nëse mungon ndonjëri nga katër komponentët, me shumë mundësi po bëjmë diçka tjetër, e jo ungjillëzim.

Ka shumë sëmundje nëpër kisha sot, për shkak se quajnë ungjillëzim diçka që nuk është. Prandaj, mësoje qartë çfarë është ungjilli dhe çfarë kërkohet që një person të kthehet te Krishti.”

Ki për qëllim të bindësh, por të bindësh pa manipulim. Mos përjashto pjesët e vështira të jetës së krishterë, sado tunduese të jetë; mos ngatërro përgjigjen njerëzore me lëvizjen e Frymës; dhe sidomos mos gënje për rezultatet. Ji i kujdesshëm të mos i quash njerëzit të krishterë pa prova që tregojnë se janë vërtet ndjekës të konvertuar.

Dallo tundimin për të sakrifikuar parime biblike për rezultate dhe “sukses”. Kur hedh sytë përreth, unë shoh që ungjillëzimi jobiblik praktikohet shumë. Ungjilli shpesh mbetet i pamësuar, dhe fjalët jobiblike hollojnë kuptimin e vërtetë të mëkatit, vdekjes dhe ferrit, ose i ngatërrojnë ata që kërkojnë të vërtetën.

Premtimet për pasuri dhe shëndet mashtrojnë më të pambrojturit: të varfrit, të mënjanuarit dhe të sëmurët. Dhe shumë kisha ofrojnë një “ungjill” të rehatshëm, pa kosto, nga i cili vetëm përfiton, ungjill që nuk gjendet askund në Shkrim. Në fakt, ungjilli devijohet nga ato që Pali i quan “ungjij të ndryshëm,” që nuk janë aspak ungjij (Galatasve 1:6-7). Duke plotësuar dëshirat e njerëzve, kishat komunikojnë idenë se fokusi i tyre është te jo të krishterët, jo te lavdia e Perëndisë e shfaqur nga adhurimi i popullit të tij.

Shpeshherë, shërbimi i kishës bëhet bulevard argëtimi dhe jo shteg adhurimi. Jezusi përfshihej, por nuk argëtonte; ka një ndryshim të madh, një ndryshim që mund të ketë humbur në kishën moderne. Shitjet me presion të lartë të vitit të kaluar janë zëvendësuar nga reklamimet e buta vetë-ndihmuese.

Këto gjëra janë rezultat i tundimeve të kësaj bote që rrezikojnë ungjillëzimin biblik.

Por ka një përgjigje për tundime të tilla. Sot, nuk është shumë ndryshe nga koha e Palit. Zgjidhja është të caktojmë një ungjillëzim me parime biblike dhe me qendër ungjillin, në mendjet dhe zemrat tona. Do të thotë të mësojmë si ta tregojmë ungjillin me integritet dhe të mbajmë në mendje pamjen e madhe të konvertimit të vërtetë.

Prandaj, në postimin e radhës, le të “theksojmë” me kujdes katër pjesët e përkufizimit tim: “mësimi”, “ungjilli”, “qëllimi”, dhe “bindja”.


Shënim: Ky postim është marrë nga libri i Mack Stiles “Evangelism: How the Whole Church Speaks of Jesus.”


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Botuar me leje nga 

9Marks: https://www.9marks.org/article/evangelism-teaching-the-gospel-with-the-aim-to-persuade-part-1-of-4/   

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

 

©️ dritez.al 2022


Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.

Më shumë të etiketuara si: