Jeta së bashku
Çfarë thotë Dhiata e Re në lidhje me atë që duhet të bëjnë kishat kur mblidhen?
Besëlidhja e Re thotë se kur kishat mblidhen duhet të lexojnë Biblën, të predikojnë Biblën, të luten sipas Biblës, të këndojnë fjalët e Biblës dhe ta shohin Biblën.
- Lexoni Biblën: Pali i tha Timoteut: “Kushtoju leximit, këshillimit dhe mësimit derisa të vij unë” (1 e Timoteut 4:13). Kishat duhet ta lexojnë Shkrimin me zë të lartë në takimet e tyre.
- Predikoni Biblën: Pali i tha Timoteut: “Prediko fjalën” (2 e Timoteut 4:2). Vetë Pali i shpalli “gjithë këshillën e Perëndisë” kishës në Efes (Veprat 20:27). Takimet e kishave sot duhet të përqendrohen te predikimet që marrin pikën kryesore të një pjese të Shkrimit, e bëjnë atë pikën kryesore të predikimit, dhe e zbatojnë në jetën e përditshme.
- Lutuni sipas Biblës: Pali na nxit që të ofrojmë lutje në takimin e kishës (1 e Timoteut 2:8, 3:14-15). Përmbajtja e këtyre lutjeve duhet të jetë biblike, në mënyrë që të ndërtohen të gjithë ata që janë të pranishëm (1 e Korintasve 14:12, 26). Kjo nuk do të thotë që lutjet në takimet e kishave duhet të jenë formale dhe të thata, por që duhet të jenë të pasura nga ana biblike.
- Këndoni sipas Biblës: Pali i tha kishës në Kolos: “Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njëri-tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke i kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja!” (Kolosianëve 3:16). Kjo nuk do të thotë që kishat duhet të këndojnë vetëm Psalme apo vetëm fjalët e Biblës, por do të thotë që kishat duhet të këndojnë këngë, të cilat janë të zhytura në gjuhën dhe teologjinë e Biblës.
- Shikoni Biblën: Ne e “shohim Biblën” për shkak se porositë e pagëzimit dhe Darkës së Zotit janë “fjalë të dukshme”, nëse përdorim frazën e Augustinit. Në pagëzim dhe në Darkën e Zotit ne shohim, nuhasim, prekim dhe shijojmë Fjalën. Kishat e krishtera duhet ta kremtojnë pagëzimin dhe Darkën e Zotit gjatë mbledhjeve të tyre publike (1 e Korintasve 11:17-34).
(Ky material është përshtatur nga kapitulli i Ligon Duncan, “Foundations for Biblically Directed Worship” në librin Give Praise to God: A Vision for Reforming Worship, ed. Philip Graham Ryken, Derek W.H. Thomas, dhe J. Ligon Duncan, III [Phillipsburg: P&R Publishing Co., 2003], faqet 65-68)
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
© dritez.al 2020
Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.