Jeta së bashku

Si funksionon dishepullimi në parim?

Answer
12.17.2021

Në thelb, dishepullimi funksionon përmes udhëzimit dhe imitimit, por më mirë funksionon përmes dashurisë. Ndërsa besimtarët e rinj i udhëzojmë me dashuri në shtegun e perëndishmërisë dhe që të jetojnë një jetë të lavdërueshme, ata rriten në ngjashmëri me Krishtin duke imituar jetën dhe doktrinën tonë (shih 1 e Timoteut 4:16).

Udhëzimi: Bibla u bën thirrje pastorëve dhe prindërve t’i udhëzojnë ata që u janë dhënë nën kujdesin e tyre (Fjalët e Urta; Galatasve 6:6; Efesianëve 6:4; 1 e Thesalonikasve 4:8; 1 e Timoteut 1:18, 6:3; 2 e Timoteut 2:25, 4:2). Bibla gjithashtu u bën thirrje të gjithë besimtarëve të këshillojnë njëri-tjetrin (Romakëve 15:14).

Imitimi: Të krishterët janë imitues, së pari imitues të Perëndisë dhe pastaj imitues të njëri-tjetrit. Ne rritemi në hirin e Perëndisë duke dëgjuar dhe imituar. Merrni në konsideratë vargjet e mëposhtme:

  • “Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit” (1 e Korintasve 11:1);
  • “Kujtoni të parët tuaj, që ju shpallën fjalën e Perëndisë dhe, duke çmuar rezultatin e sjelljes së tyre, merrni si shembull besimin e tyre” (Hebrenjve 13:7);
  • “Ato gjëra që keni mësuar, marrë dhe dëgjuar nga mua dhe patë në mua, i bëni, dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju” (Filipianëve 4:9);
  • “Dhe ti ndoqe nga afër mësimin tim, sjelljen, këshillat, besimin, durimin, dashurinë, ngulmin” (2 e Timoteut 3:10);
  • “Shumë i dashur, mos imito të keqen, por të mirën” (3 e Gjonit 11).

 

Dashuria: Njerëzit do ta imitojnë jetën tuaj edhe kur ju nuk i doni ata. E megjithatë një udhëheqës, i cili udhëheq me dashuri, paraqet tablonë më të mirë për Krishtin. Njerëzit do t`ju ndjekin edhe më mirë, kur i doni ata.

Miqësia: Në njëfarë mënyre, dishepullimi është thjesht miqësi, por miqësi me drejtim për nga Krishti. Çfarë bëjnë miqtë? Ata imitojnë njëri-tjetrin. Në dishepullim, ne bëhemi miq me të tjerët për t’u rritur në ngjashmëri me Krishtin dhe për t’i ndihmuar ata të rriten në ngjashmëri me Krishtin gjithashtu.

Si të jesh dishepull? (1) Dëgjo dhe shiko të krishterët më të moshuar si punojnë, si çlodhen, si e qeverisin familjen, si e trajtojnë konfliktin, si ungjillëzojnë fqinjët e tyre, si këmbëngulin në mes të sprovave, si shërbejnë në kishë apo si luftojnë kundër mëkatit. (2) Imitoji!


Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon | Kryeredaktore: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

 

© dritez.al 2020


Ky artikull u përkthye dhe u botua fillimisht nga Qendra IGNIS. Vizitoni faqen e tyre në internet për materiale të ngjashme.

More answers tagged as: